Vuçiqi mund të ndërmarr ndonjë aventure të rrezikshme ndaj vendeve fqinje/ BE dhe SHBA duhet ta ndërmarrin urgjentisht këtë veprim

Politika

Vuçiqi mund të ndërmarr ndonjë aventure të rrezikshme ndaj vendeve fqinje/ BE dhe SHBA duhet ta ndërmarrin urgjentisht këtë veprim

Nga: A.Z Më: 18 janar 2022 Në ora: 23:20
Aleksander Vuçiq

Furnizimi i Serbisë me armë nga Rusia po konsiderohet rrezik për Ballkanin Perëndimor, kësisoj, është kërkuar edhe ndërhyrja e SHBA-së dhe BE-së.

Eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, njëherësh profesor amerikan, Alon Ben-Meir tha se këtë veprim nuk e sheh si kërcënim, po më shumë implikim politik.

“Vendimi i Putinit për ta furnizuar me armë Serbinë, është llogaritur për të ndikuar më shumë te Serbia, sepse me këto furnizime me armë vijnë edhe trajnerë, furnizime të vazhdueshme me pjesë këmbimi etj., gjë që i mundëson Rusisë të mbajë një prani të vazhdueshme të personelit ushtarak në Serbi. Kjo, për mendimin tim, ka implikime më të mëdha politike sesa një kërcënim ushtarak. Nuk ka nevojë për ndërhyrje të BE-së apo SHBA-së, lidhur me furnizimet me armë ndaj shteteve të tjera të Ballkanit”, tha Ben-Meir.

Lidhur me këtë, analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se furnizimi i Serbisë me armë është veprim i pandërprerë, madje nuk po konsiderohet vetëm rrezik për Kosovën por edhe për forcat ndërkombëtare.

Përveç kësaj, sipas tij Serbia ka një arsye të forte për këtë, madje po vazhdon të vendos edhe agjetë të fshehtë, vetëm për të nxitur konflikte.

Image
Gani Qarri

“Në fakt furnizimi i vazhdueshëm i Serbisë me armatim luftarak rus, megjithëse formalisht ishte paralajmëruar se do të ndërpritej, nuk është akt i ri, as i paditur, por një veprim i serishëm që vijon pandërprerë ndër vite, madje përveç Rusisë, Serbia po merr armatim edhe nga Kina komuniste, duke krijuar kështu edhe një de-balancë të madhe rajonale, gjë që nga ekspertët vendor dhe ndërkombëtar të sigurisë, po konsiderohet si rrezik, jo vetëm për Kosovën, por edhe për forcat ndërkombëtare të KFOR-it dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. Madje, furnizimi i pareshtur i Serbisë me armët më moderne nga Rusia dhe Kina, ka një arsye të fortë, gjë që ka alarmuar të gjitha vendet përreth, për shkak se përveç dërgimit të armëve, Rusia vazhdon të vendosë gjithnjë e më shumë edhe ekspertë dhe agjentët e saj të fshehtë, për nxitje konfliktesh dhe parapërgatitje të terreneve të luftës, duke rritur jo vetëm ndikimin politik por edhe praninë kualitative-fizike të personelit të saj të lartë ushtarak, për përzgjedhjen e vatrave të konflikteve të reja ndëretnike, në këtë rajon të ndjeshëm dhe mjaft eksploziv”, tha ai.

Më tej, ai deklaroi se ekziston mundësia që edhe Vuçiq të ndërmarrë Aventura të rrezikshme ndaj Kosovës, andaj edhe po kërkohet ndërhyrja e SHBA-ve dhe e BE-së që të parandalojnë me kohë veprimet e rrezikshme.

“E duke pasur parasysh se Vuçiqi është pasardhës i drejtpërdrejtë i kryekriminelit Sllobobdan Milloseviq, ekziston mundësia reale, që pas grumbullimit të gjithë këtij armatimi, edhe ky të ndërmarr ndonjë aventure të rrezikshme ndaj vendeve fqinje, e veçanërisht ndaj Kosovës për gllabërimin me forcë të veriut të vendit tonë, apo edhe për pushtimin e Malit të Zi, kështu që me të plot të drejtë, nga të gjitha vendet e rajonit, po kërkohet ndërhyrja e SHBA-ve dhe BE-së, për parandalimin me kohë të këtyre rreziqeve, të cilat pas Ukrainës, mund të ktheheshin në kërcënim të hapur, për këtë pjesë të Evropës dhe shndërrimin e saj në vatër të gjakderdhjeve të reja, që është edhe qëllimi kryesor i ushtarakëve rus dhe i Vlladimir Putinit”, ka shtuar Qarri.

Sipas tij, armatimi i Srebisë nuk bëhet vetëm për të rritur ndikimin politik, andaj ndikimi rus  mbetet i madh tek serbët.

Qarri thotë se të gjitha këto mund të kthehen në kërcënime të hapura.

“Pra duke pasur të gjitha këto parasysh, megjithëse eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, njëherësh profesor amerikan, Alon Ben-Meir, këtë veprim të Rusisë, më tepër se kërcënim, e sheh si implikim politik, furnizimi i vazhdueshëm me armë i Serbisë, nuk bëhet thjeshtë vetëm për të rritur ndikimin politik, ngase ndikimi rus edhe ashtu ishte dhe mbetet i madh tek serbët dhe Serbia, por përveç furnizimit me armët më të reja, Rusia rritë në vijimësi edhe praninë me ekspertë, personel ushtarak dhe pjesëtar të agjenturave të saj sekrete në Serbi, që pas qetësimit të problemeve me Ukrainën, mund të kthehen në kërcënim të hapur, për paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar ai.

Tutje deklaroi se Kosova që të jetë pjesë e Aleancës Veri-atlantike, BE dhe SHBa duhet integrimi i shteteve të ballkanit në BE dhe Nato.

Më tej Qarri shtoi se me këtë veprim mund të bëhet bllokimi i përpjekjeve të Putinit për zgjerimin e ndikimit rus.

“Kështu që BE dhe SHBA, duhet të bëjnë çdo gjë të mundshme për integrimin sa më të shpejtë të shteteve të Ballkanit në BE dhe NATO, e sidomos për forcimin dhe modernizimin e ushtrisë së Republikës së Kosovës, në mënyrë që në të ardhmen e afërt, Kosova të jetë pjesë e Aleancës Veri-atlantike, si akti më i sigurte për parandalimin me sukses të tendencave destabilizuese të Rusisë dhe bllokimit të përpjekjeve të Vlladimir Putinit për zgjerimin e ndikimit rus, përveç Serbisë edhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, që do të shkonte edhe në dëm të BE-së,SHBA-ve dhe vet NATO-s”, ka përfunduar Gani Qarri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat