Tërnava: “Krimi nuk njeh kufij e as komb”

Politika

Tërnava: “Krimi nuk njeh kufij e as komb”

Më: 19 janar 2022 Në ora: 17:53
Hajrullah Tërnava

Nga krimi i organizuar në veri të vendit deri në arrestimet e fundit në Brezovicë ishin të përfshirë  shqiptarët dhe serbët.

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, është shprehur se  krimi i organizuar është duke u zhvilluar mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Thënia që në kriminalistik i përgjigjet realitetit të ndodhive të tanishme është se “krimi nuk njeh kufij e as komb”. Prandaj, jo rastësisht në këto krime ku janë interesat e përfitimeve të mëdha, janë të përzier struktura të ndryshme si njerëz të rëndomtë, por edhe aso në poste të larta qoftë politike apo ekonomike dhe profesione të tjera, e që janë lakmitar të pasurimit të shpejtë dhe të pakufijshëm. Shembullin më të mirë të këtij realiteti, e kemi në rastin “Brezovica” që edhe në praktikë po shihet ajo thënia, sikur e shpjegova, se krimi i organizuar me të madhe, me vite të tëra, është duke u zhvilluar mes shqiptarëve dhe serbëve në këto pjesë të një regjioni për Kosovën turistike, i njohur si Qendra e skijimit të Kosovës. Qartë shihet se në këtë lloj të krimit ishin të inkriminuar edhe struktura-zyrtare të larta politike nga Kosova”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Sipas Tërnavës në këto krime janë të përfshirë në krime edhe ish zyrtarë të lartë shtetëror.

“Edhe në këto dy pjesë ku bashkëjetojnë shqiptarët dhe serbët, sikur tani Brezovica dhe Mitrovica, jug dhe veri, ngjashmërisht po ripërsëritet krimi i organizuar. Në këto krime janë të involvuar edhe shumë njerëz “eminent” të politikës në Kosovë, të cilët shpeshherë na shesin patriotizëm. Ata thirren në atë, se si e kanë çliruar Kosovën, dhe papritmas sikur në këto raste emrat e tyre përfolën dhe dokumentohen në këto krime të organizuara, ku bëhet fjalë për përfitime të mëdha, dhe janë të lidhur ngushtë mes veti. Sepse janë parë edhe në shoqëri të njëri- tjetrit, duke festuar të shoqëruar në vende të ndryshme, por nuk duhet të harrohet thënia se interesi i bashkon edhe armiqtë”, vlerëson Tërnava.

Po ashtu, ai ka treguar se a kanë ngjashmëri krimet në Veri të vendit me atë të Brezovicës.

“Gjithsesi se kanë ngjashmëri mes veti krimi i Brezovicës, me atë të veriut të Mitrovicës, e sidomos kur në detaje do të zbërthehen këto të fundit, qartë do të shihen pjesëmarrësit në këto krime”, thotë Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat