Regjistrimi si parti, vjen parashikimi i keq për Listën Guxo: Ky mund të jetë kryetari i ri

Politika

Regjistrimi si parti, vjen parashikimi i keq për Listën Guxo: Ky mund të jetë kryetari i ri

Nga: P.R Më: 23 janar 2022 Në ora: 16:43
Lista Guxo ishte formuar nga Vjosa Osmani para së të zgjidhej në postin e presidentes, gjatë muajit shkurt do të regjistrohet si parti politike.

Lista Guxo, e cila ishte formuar nga Vjosa Osmani para së të zgjidhej në postin e presidentes, gjatë muajit shkurt do të regjistrohet si parti politike.

Kështu ka njoftuar deputeti Haxhi Avdyli.

“Gjatë muajit ardhshëm bëhet regjistrimi, dhe fillojnë përgatitjet tjera për konstituimin e të gjitha organeve. Do të mbahet konventa, kryetari i ri, kryesia, degët dhe do të jetë proces i vazhdueshëm gjatë vitit 2022”, ka thënë deputeti Avdyli.

Por regjistrimin eventual si parti të kësaj Liste, po e sheh me rreziqe të mëdha analisti politik, Faton Mehmeti.

“Regjistrimi si parti i Listës Guxo mbart me vete rreziqe të shumta, mundësia e saj për rënie është e madhe. Qytetarët ndryshe përqafojnë një lëvizje dhe ndryshe si parti, për më tepër që Vjosa nuk mund të jetë në krye të saj. Lista Guxo është sinonim i Vjosës, identifikohet me të, duke qenë presidente Vjosa kjo gjë e penalizon shumë listën Guxo”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, kjo Listë mund të përfundojë njëjtë si Lidhja Demokratike e Dardanisë.

“Në këtë kuptim e shoh të vështirë këtë gjë. Lista Guxo rrezikon të pësojë si LDD, kështu që për momentin e shoh më të mirën për të që të mbetet kështu siç është, duke inkuadruar ose në LDK ose në VV por si fraksion i njërës nga këto. Kështu do të arrinte të ruante anëtarësinë, dhe njëkohësisht të mbetët e rëndësishme në përbërjen e politikëbërjes”, deklaron Mehmeti.

Por kush mund të jetë kryetar i Listës Guxo, në rast se kjo Listë regjistrohet si parti politike?

“Haxhi Avdyli mund të jetë kryetar i saj nëse regjistrohet si parti, por mungesa e Vjosës është fatale për Listën Guxo”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Faton Mehmeti.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat