Publicisti zbulon lidhjen që PDK-ja ka me Listën Serbe/Ja dëmet që i shkaktuan Kosovës

Politika

Publicisti zbulon lidhjen që PDK-ja ka me Listën Serbe/Ja dëmet që i shkaktuan Kosovës

Nga: M.H. Më: 25 janar 2022 Në ora: 15:10
Kuvendi i Kosovës

PDK-ja e vetme nga partitë shqiptare e bojkotoi rezolutën për ndalimin e referendumit antikushtetues të Serbisë, por me këtë lëvizje ajo ia ‘ngrysi’ imazhin vetes edhe më shumë.

Kështu besojnë analistët politikë. Njëri prej tyre që ka pasur rastin të jetojë në më shumë se një shtet, dhe në më shumë se një sistem, publicisti Idriz Zeqiraj, konsideron se kjo ka ndodhur për shkak të aleancës së vazhdueshme me Listën Serbe, prej se u krijua kjo.

Ka pasur edhe shprehje habie: Si ka mundësi që deputetët e PDK-së, nuk e përkrahën Rezolutën e Qeverisë të Kosovës, për ndalimin e mbajtjes të Referendumit të Serbisë, brenda territorit të shtetit sovran të Kosovës? Realisht, po ta shohim kronologjinë e sjelljeve të krerëve të PDK-së, njëherësh, edhe të mbështetjes - blanko-, të strukturave të saj, përgjatë këtyre dy dekadave, është rrjedhë logjike edhe distancimi i turpshëm aktual nga votimi i Rezolutës. Me këtë rast, u njëjtësua me "Listën Serbe", e cila bojkotoi votimin, duke e lëshuar sallën kuvendore, si rëndom, kur vendimet "nuk i shkojnë për shtati”, u shpreh ai.

Image
Idriz Zeqiraj

Publicisti më tej thotë se mosprania e deputetëve të PDK-së në seancën e jashtëzakonshme dëshmon edhe njëherë që ajo ka lidhje të ngushtë me Listën Serbe, duke iu mbetur nga Thaçi dhe Vuçiqi.

“Mosprania në sallën e Kuvendit të deputetëve të PDK-së, në seancën e jashtëzakonshme, ku votohej Rezoluta, në mbrojtje të kushtetutshmërisë, sovranitetit dhe dinjitetit shtetëror të Kosovës, flet shumë për katandinë e këtij subjekti politik, tashmë, të përfolur dhe të dëshmuar për krime vrastare, gjatë dhe pas luftës. Aleanca e PDK-së, me "Listën Serbe", është dëshmuar me miqësinë ‘intime’ dhe intrigimet konspirative të liderit të saj, Hashim Thaçi me Aleksander Vuçiqin. Madje, dy qeveri të dyshimta, të lodhëta në Kosovë, janë krijuar me votat vendimtare të "Lista Serbe”, thotë publicisti.

PDK do të ketë pasoja nga mosprania në Kuvendin ku u votua Rezoluta

Nga ana tjetër publicisti thotë që PDK-ja do të ketë pasoja nga ky veprim pasi do të fillojnë të dalin në shesh lidhjet speciale që ka me Listën Serbe.

Akti i rëndë dhe paparaprijës, siç është bojkotimi i Rezolutës, e cila ndalon mbajtjen e Referendumit në territorin e Kosovës, me qëllim të mbrojtjes të kushtetutshmërisë dhe të sovranitetit shtetëror, nuk mund të kalojë pa pasoja për PDK-në, kur dihen lidhjet speciale që i ka kjo parti me "Listën Serbe", Vuçiqin, Serbinë, që nismon me bojkotimin e luftës së Kosovës, me faktet e pakundërshtueshme, siç janë: pengimi i unifikimit të faktorit ushtarak; përçarja e popullit; vrasjet politike të ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut; kuadrove dhe veprimtarëve të LDK-së; si dhe të kuadrove të hershëm të LPK-së, për arsye rivaliteti”, shprehet Zeqiraj.

Ai tregon një kronologji të ngjarjeve që kanë ndodhur nga PDK-ja për ta dëmtuar shtetin e Kosovës.

Krerët puçistë të LPK-së së re, me dominim klanin e Drenicës, përjashtuan kryesinë e vjetër të LPK-së; bojkotuan organizimin dhe futjen në luftë, me formacione ushtarake UÇK-në e LPK-së. Rrjedhimisht, komplotistët e LPK-së, tani, të konvertuar në PDK, në ujdi me disa shtete armike të Kosovës, e pensionuan UÇK-në e LPK-së në hotel "Rogner", duke ua mohuar dhe pamundësuar ushtarëve të gatshëm, angazhimin në luftën e organizuar për çlirim”, thekson ai.

Në fund, publicisti kërkon të hetohet veprimtaria kriminale e PDK-së për shkak se dyshohet për konspiracione, me shërbimet informative të shteteve armike të Kosovës.

Është koha që të fillojnë hetimet, për veprimtarinë kriminale të PDK-së, me dyshimin e bazuar për konspiracione, me shërbimet informative të shteteve armike të Kosovës. Asnjë shtet, asnjë shoqëri demokratike, nuk do ta pranonte dhe nuk do të lejonte, që një parti, bollshëm e inkriminuar, siç është PDK-ja, të bënte hije në politikë. Koha për veprim”, përfundoi Zeqiraj për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat