Hapja e dosjeve të UDB-së i hap dyertë drejt integrimit në BE

Politika

Hapja e dosjeve të UDB-së i hap dyertë drejt integrimit në BE

Nga: N. Sh. Më: 25 janar 2022 Në ora: 22:47
Ilustrim

Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është proces që po vazhdon që disa vite, por që akoma ka një rrugë të gjatë përpara.

Ky është synimi i Republikës, por që duhet shumë punë e mund deri në arritjen e plotë të shtetit të Kosovës në BE.

E për t’u integruar Kosova në BE, sipas ish-zëvendësministrit të MPB-së, Hajrullah Tërnavës, duhet që së pari të demokratizohet, ngase e kaluara e Kosovës që dikur i takonte shteteve të komunizmit është e vështirë të arrihet integrimi në BE.

Sipas tij, problem të njëjtë kanë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, andaj shton se, duhet të hapen arkivat e së kaluarës.

Tërnava shprehet ky proces i kushtëzuar nga BE-ja është moment vendimtar për dekriminalizimin dhe fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe shkëputjen e tyre nga lidhjet me mafian dhe krimin e organizuar.

Kjo lidhje sipas tij, ka zgjatur me dekada.

Image
Hajrullah  Tërnava

“Përfaqësuesit e Parlamentit Evropian më 15 dhjetor e kanë votuar raportin për bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, ku me këtë dokument kërkohet në mënyrë specifike, që shtetet e rajonit t'i hapin arkivat e ish-Jugosllavisë, pasi që bëhet fjalë për ish Republikat të cilat ishin pjesë e ish federatës Jugosllave. Në dokumentin e miratuar, eurodeputetët u bënë thirrje qeverive të shteteve të rajonit që t'i shtojnë përpjekjet në drejtim të reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pasi që sipas konstatimit të BE-së del se shumica nga  shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shtete të prejardhjes, destinacionit dhe transitit me qenie njerëzore dhe shërbejnë si korridore transiti për emigrantët e refugjatët, por po aq janë edhe zona për shpëlarje të parave dhe tregti me drogë dhe armë zjarri, prandaj çrrënjosen nga lidhjet politike dhe administrative me krimin e organizuar përmes masave të qarta të mbrojtjes nga korrupsioni dhe me ndjekje efikase penale të rasteve të korrupsionit të profilit të lartë duhet ta ketë në prioritet secili shtet i dalë nga ish federata”, thotë Tërnava.

Sipas tij, ky është një shans dhe kush që i detyron të zbulojnë dosjet e UDB-së, e cila ka funksionuar në lidhje zingjirore në të gjitha shtetet e Ballkanit përfshirë edhe Kosovën.

“Të gjitha këto shtete i takonin kohës se komunizmit, dhe diku më shumë e diku më pak ka vazhdon UDB-ja t’i ruaj lidhjet e spiunazhit, me qëllim të shantazhit, spiunimit dhe të destabilizimit në planin afatgjatë, sikur që është rasti konkret i strukturave paralele në veri të Kosovës dhe nëpër enklavat me shumicë serbe në zonat qendrore”, shprehet ai.

Ai thekson se, sa më shpejtë të demokratizohen këto shtete aq më parë do të inkuadrohen në sistemet demokratike të shteteve të BE-së.

“Për këtë duhen të bashkëpunojnë me shtetet në fjalë të BE-së, dhe t’iu qasen kërkesave të tyre, dhe t’i luftojnë të gjitha të këqijat që ato shtete i kërkojnë nga shtetet në fjalë që si kusht e kanë për tu u inkuadruar në BE”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat