“ShBA po e humb besimin te BE-ja”

Politika

“ShBA po e humb besimin te BE-ja”

Nga: A.M. Më: 27 janar 2022 Në ora: 22:19
Gabriel Escobar, Miroslav Lajçak

I dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do ta vizitojnë Kosovën dhe Serbinë gjatë javës së ardhshme.

Këtë e ka konfirmuar shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ka thënë se Kosova po dëshmon jogatishmëri për të vazhduar dialogun.

“Dua t’ia bëj të qartë Kosovës se dialogu nuk zhvillohet për shkak të dialogut, por për shkak se është kyç në përparimin në rrugëtimin evropian. Së bashku me Lajçakun do të vazhdojmë të përgatisim takimin e radhës, por kjo do të ndodhë vetëm nëse të dyja palët merren vesh rreth rezultateve pozitive dhe konkrete. Prandaj unë dhe Lajçak do të vazhdojmë të angazhohemi me palët, e posaçërisht me Kosovën, e cila po dëshmon më shumë jogatishmëri për t’u ulur në tryezë”, ka thënë Borrell.

Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar se me çfarë po mundohet të arsyetoj  Borrell me ardhjen e Lajçakut dhe Eskobarit.

“Në mungesë të aftësisë së z. Borrell për të bërë të mundur që Serbia tu qëndrojë marrëveshjeve, po mundohet që të arsyetojë ardhjen e  Lajçakut dhe Escobarit. Ardhja e tyre nënkupton se z. Borrell  ka dështuar në rolin e tij si shef i BE në raport me negociatat Kosovë-Serbi”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka folur edhe për kritikat që janë bërë për Kosovën

“Kritikat e tij ndaj Kosovës janë përpjeke për të hedhur gurë mbi Kosovën për dështimet e tija, diçka që nuk është fare korrekte. Pritet që nga kjo vizitë të bëhet presion mbi Kosovën që të ulet në tryezë, pavarësisht se Kosova nuk është fajtore për dështimet”, ka nënvizuar Mehmeti.

Në fund, ai ka treguar se çfarë do të thotë ardhja e  Escobar-it në Kosovë.

“Ardhja e z. Escobar nënkupton se ShBA po e humb besimin tek BE, kjo gjë është pozitive për Kosovën. Vetëm inkuadrimi direkt i SHBA në këtë proces është grancë për zgjidhje të qëndrueshme”, ka  përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat