“Serbia ka aktivizuar artilerinë e rëndë të spiunëve të saj në Kosovë”/ Bytyçi komenton qëndrimet e opozitës për asociacionin

Politika

“Serbia ka aktivizuar artilerinë e rëndë të spiunëve të saj në Kosovë”/ Bytyçi komenton qëndrimet e opozitës për asociacionin

Nga: M.L. Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 16:13
Foto ilustrim

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, dhe zëvendës-ndihmës sekretari i SHBA-së, Gabriel Escobar përmbyllën sot vizitën tre ditore në Kosovë.

Dy përfaqësuesit e lartë të Perendimit, takuan presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, si dhe kryetarët e partive politike opozitare.

Presidentja dhe kryeministri u shprehën me nota optimizmi për një lloj mirëkuptimi, sic thanë ata, me dy të dërguarit e mësipërm sa i përket këtij asosacionit.

Zonja Osmani akuzoi hapur ish-kryeministrat e mëparshëm (Thaçi dhe Mustafa) për qëndrime anti-kombëtare.

Lidhur me këtë çështje për gazetën “Bota sot”, ka folur prof.dr. Enver Bytyçi.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

 

Ai rikujtoi se lideri politik i PDK-së u shpreh pas takimit se mbështet krijimin e asosacionit. Ndërsa ish-ministri i Jashtëm nga kjo parti, Enver Hoxhaj, u deklarua në një televiizion të Shqipërisë mbasditen e së martës se mbështet asosacionin si kusht për arritjen e marrëveshjes me njohje të ndëesjelltë të Serbisë e të Kosovës.

“Ky qëndrim i Partisë Demokratike nuk është i qartë. Nuk dihet se për çfarë lloj asociacioni janë ata dakord. Por derisa bëhet prsion për krijimin e tij, atëherë kjo nuk ka të bëjë me një organizatë jo-qeveritare”, u shpreh ai.

Bytyçi ka thënë se nëse do të krijohej një asociacion i komunave serbe në Kosovë si model i një shoqate, pra të një organizate jo-qeveritare, atëherë kjo nuk do kishte nevojë që të diskutohej midis delegacioneve të Kosovës e Serbisë.

"Krijimi i organizatave jo-qeveritare është i parashikuar në ligj, bazuar në lirinë kushtetuese të organizimit vullnetar të qytetarëve. Prandaj duhet besuar se ky asosacion, për të cilin po flitet vazhdimisht, nuk është një organizëm i tillë.

E gjitha kjo le përshtypjen se propozimet për krijimin e Asociacionit janë „pak me barrë“! D.m.th e kanë një shejtan brenda tyre. Se çfarë shejtani është ai, këtë mund e duhet ta dinë ata që kanë biseduar me zotin Escobar dhe zotin Lajçak. Me këtë shejtanin e propozuar është shpallë dakord Memli Krasniqi dhe Enver Hoxhaj. Abdixhiku ishte në takim me zotin Haziri dhe zotin Gashi. Për nga përbërja e grupit duhet të merret me mend se ka qenë një bisedë me dy kuptimsi, dicka midis asaj çka beson Luta për shkëmbim territotresh dhe asaj çka ka mbështetur Kujtimi-Isën për asociacionin. Abdixhiku ka qenë diku midis kësaj”, ka treguar profesori.

Por, sipas tij, presidentja Osmani ishte shumë e qartë.

“Dukej se ajo nuk ishte pajtuar me diçka që ka rrjedhë në ato bisedime me zotin Escobar dhe zotin Lajcak. Edhe Kurti ka thënë shumë herë se “nuk pranon një asociacion një-etnik“! Ndoshta ka përdor këtë aksiomë për të mos u pajtuar me propozimin e të dërguarve përkatës”, potencon ai.

Në këto kushte, Bytyçi thotë se propozimi i dy të dërguarëve amerikan e europian ka nisur ta përçajë skenën politike të Kosovës.

“Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë duket se dha një sinjal për këtë, kur tha se bisedimet nuk do të zhvillohen me Albin Kurtin. Ai në fakt i tradhtoi miqtë e tij në Prishtinë me këtë deklaratë, sepse me të kuptohet se Beogradi parapëlqen përfaqësuesit e opozitës. Më mjaltë e kishin para një viti me kryeministrat e presidentin e PDK-së dhe LDK-së. Nuk ka nevojë për kallauz, sepse gjithçka duket sheshit. Politikanët e PDK-së flirtojnë me këdo që jep mbështetje për t’u rikthyer në pushtet. Dyshoj në rastin konkret edhe tek ata të LDK-së. Një farë Skënder Hyseni nuk heq dorë nga shërbimet ndaj Serbisë as në këto kushte. Ai tha se “Kosova nuk mundet të bëhet shtet pa Serbinë“! D.m.th mendon se Serbisë po i plas shpirti që ta bëjë Kosovën shtet! O zot, çfarë nuk na dëgjojnë veshët!”, ka potencuar Bytyçi.

Profesori shton se fakti që këto dy javët e fundit na janë rishfaqur politikanët pro-serbë në Kosovë, do të thotë se ose Serbia është në hall dhe ka aktivizuar gjithë artilerinë e rëndë të spiunëve me peshë të saj, ose këta putha-dorë janë thjesht kuislingë që shohin pushtetin në dëm të interesave të atdheut.

“Në fakt kjo e dyta ka ndodhur vazhdimisht në këto 15 vitet e fundit. Grabitje, vjedhje, nepotizëm, gjithçka që e shkatërron shtetësinë e Kosovës kanë ndodhur. Dhe kryeministrit Kurti ia kanë lidhur duart e gjuhën, edhe pse ai pati premtuar se do t’i shkatërrojë bandat e krimit shtetëror në Kosovë. Pasoja është kjo. Ngrihen grabitarët e Kosovës, pajtohen me gjithçka që do Serbia në Kosovë, mjafton që t’i ikin drejtësisë. Kjo ishte arsyeja pse Hashim Thaçi donte ta copëtonte territorin e Kosovës. Kjo është arsyeja pse politikanët e sotëm të opozitës duan të krijojë një shtet serb brenda shtetit të Kosovës. Kjo nuk duhet pranuar! Edhe me koston e largimit nga pushteti nuk duhet pranuar. Serbët në Kosovë trajtohen më mirë se shqiptarët. Ku ka ndodhur që një minoriteti në botë t’ia paguajë energjinë qeveria, shteti, taksapaguesit qytetarë shumicë?! Askund. Vetëm në Kosovë! Ku lejohen banditët e shteti fqinjë të ngrejnë barrigada në pjesët ku jetojnë pakicat?! Askund, përveçse në rajonet e pushtuara nga Rusia në Gjeorgji, Moldavi e Ukrainë”.

Në fund Bytyçi ka thënë se duhet të merret shembulli i asaj që bën Moska në këto vende dhe t`iu thuhet z. zotit Escobar e z.Lajçk, se e njëjta gjë me bekimin e tyre po ndodh edhe në Kosovë.

“Kjo është e papranueshme!”, ka nënvizuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat