Qeveria ta shmangë një trysni ndërkombëtare, ta ofrojë një zgjidhje kushtetuese për asociacionin!

Politika

Qeveria ta shmangë një trysni ndërkombëtare, ta ofrojë një zgjidhje kushtetuese për asociacionin!

Nga: A.Z Më: 7 shkurt 2022 Në ora: 12:30
Qeveria Kurti

Analisti në Qendrën për Analizë të Politikave Evropiane në Washington, Leon Hartëell, së fundmi ka deklaruar se risia në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është se Bashkimi Evropian po e shtyn hapur Kosovën që ta zbatojë Asociacionin e Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive.

Ai thotë se këtë BE-ja po e bën në mënyrë agresive. Madje ai ka deklaruar se opinioni e ka përshtypjen se formimi i asociacionit është një kusht për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi.

“Megjithatë, nuk ka asnjë dëshmi se kjo do të kontribuonte në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia”, ka thënë Hartwell.

Lidhur me këtë, analisti Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se së pari duhet shqyrtuar dialogu që nga Rambujeja, pastaj ta analizojmë temeë e dialogut.

Ai thekson se edhe pse e fituam luftën, nuk e fituam luftën e paqes, madje u bëmë edhe shërbëtorë të ideologjive të huaja, gjë që tmerruam botën duke e kthyer në një potencial krejt ndryshe.

“Për ta analizuar drejt temën e dialogut maratonist, duhet shqyrtuar dialogun që nga Rambujeja e tutje. Serbët, nuk pranuan marrëveshjen, në vend të sajë zgjodhën agresionin dhe luftën e që u përballën me ndëshkimin ndërkombëtarë. Shqiptarët nga ana tjetër, ishin pala viktimë në luftë, por edhe kooperues në negociata, gjë që u kurorëzua me lirinë tonë. Fatkeqësisht ne shqiptarët fituam betejën e luftës, por jo edhe atë të paqes! Ne u trimëruam shumë në liri, madje shpejt harruam sfidat dhe rrugën drejt lirisë. U bëmë shërbëtor të ideologjive të huaja, të cilat i demonstruam hapur në trazirat e marsit të vitit 2004, gjë që tmerruam botën me transformimin tonë nga popull paqësor në atë me një potencial ndryshe. Nga europian në atë me prapavijë lindore”, tha ai.

Tutje potencoi se këtë e shfrytëzuan serbët dhe kundërshtarë tanë të tjerë, dhe në këtë rast trashëgimia ortodokse u paraqit si e rrezikuar nga shqiptarët, gjë e cila ndikoi që serbët të nxjerrnin të drejtat gjithëpërfshirëre. Por, që edhe pas kësaj prapë nuk pranuan marrëveshje.

“Për fat të keq, kjo qasje përkeqësoi dukshëm pozicionin tonë në negociatat e Vjenës. Serbët i shfrytëzuan ngjarjet e marsit 2004, për t'i vërtetuar sipas tyre akuzat e propagandës së tyre se shqiptarët janë antiperendimorë. Ata ia dolën t'i paraqesin kishat, përkatësisht trashëgiminë ortodokse, e cila edhe pse në masë të madhe është trashëgimi shqiptare, e që për fat të keq u paraqit si e rrezikuar nga vetë shqiptarët, gjë që edhe u dëshmua. Kjo ndikoi që serbët ta përmirësojnë pozicionin negociues dhe të nxjerrin të drejta të rezervuara në planin gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari. Serbët prapë nuk e pranuan marrëveshjen, e cila edhe pse u dha atyre pozicion të mirë kushtetues, e nxori Kosovën të pavarur. Pas kësaj pasuan edhe 6 pikat e ish Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Kimun, të cilat parashihnin kompetenca shtesë për serbët”, shtoi Duhanaj.

Më tej ka deklaruar se Kosova bëri hap të madh në GJND, kjo gjë u arrit me ndihmen e SHBA-së dhe BE-së, andaj ai thekson se ne shqiptarëve na është mbetur në kujtesë kur bota u bë një për të na dhuruar liri.

Andaj, duke u bazuar në interesa të ndryshme, ndodhin edhe ndryshimet në aleanca.

“Për fat të mirë Kosova bëri një hap të madh përpara në GJND, gjë që ishte meritë e madhe e miqve ndërkombëtarë përkatësisht SHBA-së, dhe BE-së. Më pastaj ishin prapë miqtë ndërkombëtarë amerikan e europian, të cilët e nxorën rastin e Kosovës nga OKB-ja, gjë mund ta paramendojmë po të kishte qenë tani çështje e trajtuar nga OKB-ja, si do të na ngatërroheshin punët keq. Ne shqiptarët, përpos që kemi lëvizje të vazhdueshme që punojnë kundrejt interesave kombëtare, na është mbetur në kujtesë koha kur bota kishte simpati e dhimbje për ne dhe kur u bë një për të na dhuruar lirinë. Në këtë kontekst, po mendojmë që bota nuk ndryshon, përkatësisht rri statike, në status quo, ashtu siç rrimë ne vetë. Ne duhet ta kuptojmë se kjo gjë nuk ndodhë dhe, se bota është vazhdimisht në lëvizje dhe bazuar në interesa të ndryshme, ndodhin edhe ndryshime në simpati dhe aleanca”, thotë ai.

Duhanaj e potencoi se për ta përmbyllur problemin me Serbinë, SHBA-ja po është mbështetja më e madhe për Kosovën, përveç SHBA-së janë edhe europianët.

Ai asociacionin e quan derivat të marrëveshjeve të mëparshme.

“Tani na është ofruar edhe njëherë një shans i mirë që mund të na ndihmojnë ta përmbyllim problemin me Serbinë. Për fat të mirë janë SHBA-të, të cilat nuk heqin dorë nga mbështetja për shtetin e Kosovës dhe për këtë duhet të konsiderohemi me fat. Por, janë edhe europianët, brenda të cilëve ka interesa të ndryshme dhe të ndara, të cilat manifestohen në politikën karshi regjionit të Ballkanit Perëndimor. Serbia është shndërruar në partner serioz për ekonomitë e forta, e sidomos në aspektin ekonomik. Në anën tjetër, Kosova përpos që nuk ofron treg të madh, nuk ofron edhe siguri investive dhe infrastrukturë të sigurtë, shto kësaj edhe pengesave që i ka nga Serbia. Asociacioni, siç e thamë më lart, është derivat i marrëveshjeve të mëparshme dhe i dështimeve tona”, thotë Duhanaj.

Amerikanët, dhe sipas tij, po kërkojnë që të ofrojmë alternativë, madje edhe Qeveria të përpiloj një statut bazë për asocacionin.

Ndërsa, kërkesë kyçe thekson se duhet të jetë anëtarësimi në NATO.

“Kjo nuk do të largohet nga kërkesa për ta zbatuar. Madje këtë e kërkojnë edhe amerikanët. Ajo çfarë ne duhet ta bëjmë është të tregohemi kooperativ dhe agil, duke ofruar alternativa, e jo duke vajtuar për dështimet tona, sepse koha prapë nuk kthehet dot. Kosova, përkatësisht Qeveria, duhet ta ofrojë modelin se si e sheh të ardhmen e integrimit të serbëve në shtet. Të përpiloj një statut bazë për asociacionin, të cilin do ta bënte në harmoni kushtetuese, por të cilin do ta kushtëzonte me zbatim vëtëm si marrëveshje paketë me marrëveshjen gjithëpërfshirëse, e cila brenda saj do të ngërthente edhe njohjen nga Serbia, nga pesëshja europiane dhe perspektiva e qartë drejt anëtarësimit. Anëtarësimi në NATO, duket të ketë kërkesë kyçe për shqiptarët. Pra, ne duhet të bëhemi proaktiv, t'i ofroj idetë tona rreth temës dhe të jemi shkrues të fatit tonë. Ne duhet sa më parë ta ndërpresim qasjen përjashtuese, konfrontuese e jotransparente karshi procesit, sepse kjo mund të na hakmerret, pasi që bota po lëviz me shpejtësi të dritës, përderisa ne po merremi me vetveten dhe po bëjmë politika jo të mira”, përfundon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat