Aktakuza ndaj Pal Lekajt u ngrit në ‘ditën e fundit’/ Juristi nga Belgjika zbulon prapaskenat: Ja cilët politikanë u intervistuan

Politika

Aktakuza ndaj Pal Lekajt u ngrit në ‘ditën e fundit’/ Juristi nga Belgjika zbulon prapaskenat: Ja cilët politikanë u intervistuan

Nga: A.M. Më: 8 shkurt 2022 Në ora: 22:12
Pal Lekaj

Ditë më parë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt dhe dy të tjerëve pasi të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.

Aktakuza ndaj Lekajt ndërlidhet me rastin e 53 milionë eurove shtesë të cilat Ministria e Infrastrukturës i ka ndarë për “Bechtel&Enka”, disa vjet më parë, për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” që lidh Kosovën me Maqedoninë.

Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi aktakuzën e ngritur ndaj ish-ministrit Pal Lekaj për rastin e 53 milionë eurove.

Fillimisht, ai thotë se kjo aktakuzë nga Prokuroria Speciale erdhi pas një heshtje të gjatë.

“Pas një heshtje maratonike, ditë më parë Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër ish ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe dy zyrtarëve të tjerë, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, e që ka të bëjë me pagesën e 53 milionë eurove për kompaninë Bechtel&Enka”, deklaroi juristi.

Krahas kësaj, Musliu përmendi faktin se për ndërtimin e autostradës ku dyshohet se u keqpërdorën këto miliona ishin ‘përkujdesur’ tri qeveri, e Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt.

Madje, ai thotë se këto qeveri e kanë menaxhuar këtë projekt me veprime joligjore.

“Duhet theksuar se, që nga fillimi i punimeve në ndërtimin e autostradës “Arben Xhaferi”, që lidhë Kosovën me Maqedoninë e Veriut, në vitin 2014 e deri në përfundimin e tyre më 2019, janë “përkujdesur” tri Qeveri, e Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Ramush Haradinaj, të cilat në kaskadë kanë përsëritur gabimet në menaxhimin e këtij projekti me veprime joligjore. Madje kontratën e ka nënshkruar Hashim Thaçi, në Qeverinë Thaçi II në korrik të vitit 2014, kur kjo Qeveri ka qenë Qeveri në detyrë dhe sipas rregullave Qeveria në detyrë nuk ka qenë kompetente të nënshkruajë këtë kontratë kapitale”, theksoi ai.

Mirëpo, juristi hodhi dyshime mbi ndërhyrjen në ngritjen e aktakuzës ndaj Lekajt, pasi kjo gjë erdhi vetëm pak para përfundimit të afatit 6 mujor.

Image
Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu

Të gjitha rrugët dhe dyshimet çojnë te politikanët

Po ashtu, ai thotë se kur bëhet fjalë për shuma milionëshe, nuk mund të ndodhë që një ministër, mund ta bëjë këtë pa dijen dhe bashkëpunimin e ngushtë të kryeministrit përkatës.

“Është sinjifikative vonesa e ngritjes së aktakuzës, sepse afati ligjor ka qenë 24 muaj, e cila kishte skaduar, por fatmirësisht është shfrytëzuar një mundësi tjetër juridike, që ky afat të vazhdohet edhe për 6 muaj. Mirëpo, pse është pritur kaq shumë për ta iniciuar këtë çështje, madje aktakuza është ngritur në «ditën e fundit» të këtij afati 6 mujor. Kështu lindin dyshime të mëdha, se a ka pasur interferencë apo ndërhyrje në këtë aferë.

Të gjitha rrugët dhe dyshimet çojnë te politikanët, sepse në opinion rregullisht është shkruar dhe përfolur për këtë aferë, në të cilën janë të përfshirë ministra, prandaj është e qartë se pa ndërhyrjen e politikës, nuk do të pritej dita e fundit për ngritjen e aktakuzës. Dhe kur bëhet fjalë për shuma milionëshe, nuk mund të ndodhë që një ministër, mund t’a bëjë këtë pa dijen dhe bashkëpunimin e ngushtë të kryeministrit përkatës”, nënvizoi Musliu për “Bota sot”.

A thua a është reale ‘penalltia’ e shumës prej 53 mil. eurove, a ka mundur të evitohet ky ‘dënim’, pse nuk janë ndërmarrë me kohë masat parandaluese ?

Në vazhdim, juristi përmendi edhe kritikat për sistemin e drejtësisë në Kosovës, ku u vlerësua si e kapur dhe e ndikuar nga politika.

“Prandaj, jo rastësisht në të gjitha Raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, Këshillit të Europës dhe shumë OJQ-ve vendore dhe ndërkombëtare, është kritikuar drejtësia në Kosovë, si e kapur dhe e ndikuar nga politika. Në këtë kontekst edhe afera «Pronto» e vërteton këtë konstatim, ku në përgjimet dëgjohen bisedat e zyrtarëve të lartë të PDK-ës, se si politikanët i kanë përzgjedhur prokurorët dhe gjyqtarët, me qëllim që ata më vonë të vihen në shërbimin e tyre, prandaj politikanët si konsumatorët më të mëdhenj të korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë ngelë të pandëshkueshëm”, shpjegoi ai.

Më pas, Musliu thotë se ish-ministrat Lutfi Zharku dhe Pal Lekaj duhet të japin përgjegjësi dhe t’i tregojnë fajtorët kryesorë të kësaj afere korruptive.

“Nëse Qeveria e Kosovës penalizohet se nuk i paska kryer të gjitha obligimet me kohë ndaj kompanisë Bechtel&Enka, atëherë pse kjo kompani nuk është penalizuar për vonesat e saj në ekzekutimin e punimeve?! A thua a është reale «penalltia» e shumës prej 53 milionë eurove, a ka mundur të evitohet ky «dënim», pse nuk janë ndërmarrë me kohë masat parandaluese?! Emërues i përbashkët i përgjigjes është, papërgjegjësia, që duhet të përcaktohet në procesin gjyqësor.

Se çfarë fshihet prapa kësaj afere, kush janë të implikuarit dhe fajtorët, këtë duhet ta sqarojnë në procesin gjyqësor ish ministrat e Infrastrukturës Lutfi Zharku dhe Pal Lekaj, të cilët ia hedhin fajin njëri – tjetrit”, vlerësoi juristi.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe vjedhjet masive në subvencione që ndodhën në Ministrinë e Bujqësisë.

Intervistimet

Musliu përmendi edhe intervistimin e ish kryeministrit Abdullah Hoti dhe ish ministres Hykmete Bajrami.

“Fillimisht detyrimi i Qeverisë ndaj kompanisë në fjalë, ka qenë 14 milionë euro, por për shkak të veprimeve të papërgjegjshme, kjo shumë u rritë në 53 mil. euro. Kjo është vetëm një aferë, ndër të shumtat, sepse gjatë dy dekadave në Kosovë, nuk ka pasur kontroll në menaxhimin e parasë publike. Në këtë kontekst po përmendi, se edhe në Ministrinë e Bujqësisë u zbuluan vjedhje masive me subvencionet dhe grantet e bujqve, që u procesuan në prokurori, dhe si rezultat i kësaj kishte shumë zyrtarë që tani janë nën hetime.

Lidhur me 53 milionë eurot, në cilësinë e dëshmitarit, nga task-forca e Kosovës, janë intervistuar edhe ish kryeministri Abdullah Hoti dhe ish ministrja Hykmete Bajrami. Po ashtu kjo task-forcë ka pasur nën hetime disa afera korruptive të ish zyrtarëve të LDK-ës, sikurse Agim Veliun, Skender Hysenin e tj., mirëpo për fat të keq, Abdullah Hoti kur ishte kryeministër e shkarkoi këtë task-forcë, me qëllim shmangien nga përgjegjësia të bashkëpartiakëve të tij”, theksoi Musliu.

Tutje, juristi konsideron se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka treguar përkushtim në luftimin e korrupsionit dhe krimit.

“Qeveria Kurti II, ka përkushtimin për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, prandaj nëpër të gjitha ministritë është duke u skanuar gjendja dhe të gjitha keqpërdorimet do të adresohen në prokurori.

Si po duket, presioni i disa OJQ-ve dhe një televizioni, kohëve të fundit, para skadimit të afatit, aktualizuan aferën e 53 milionëve, prodhoi rezultate pozitive, duke u ngritur aktakuza ndaj ish ministrit Pal Lekaj. Këtë çështje e inkurajuan edhe reformat e paralajmëruara të Qeverisë Kurti për Vettingun dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”, tha ndër të tjera ai.

Në fund, Musliu tha se paritë e PLAN-it do të jenë objekt i trajtimit për keqpërdorimet e 20 viteve, prandaj po tentojnë ta pengojnë reformat e qeverisë Kurti.

“Se vërtetë qeveria Kurti II ka filluar t’i prodhojë rezultatet e para në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, tregon përmirsimi i Kosovës për 17 vende sipas Indeksit për Perceptimin e Korrupsionit për vitin 2021 sipas Transparency Internacional, për çka pati inkurajim dhe lavdata nga disa Ambasada të huaja në Kosovë si dhe nga Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola Von Cramon.

Duke parë PLAN-i se drejtësia në Kosovë ka filluar të funksionojë, tani ata bënë ç’mos për t’i penguar reformat në drejtësi, duke dashur t’a degradojnë pamëshirshëm Qeverinë Kurti, sepse ata do të jenë objekt i trajtimit për keqpërdorimet e 20 viteve”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat