Gani Geci flet për ditën kur u shpall Pavarësia, tregon cilat ishin dy momentet më të rëndësishme

Politika

Gani Geci flet për ditën kur u shpall Pavarësia, tregon cilat ishin dy momentet më të rëndësishme

Nga: P.R Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 19:50
Gani Geci, njëri ndër deputetët që ishte pjesë e legjislaturës që e shpalli Pavarësinë e Kosovës

Republika e Kosovës sot po shënon 14 vjetorin Pavarësisë, ku qytetarë të shumtë u mblodhën në qendër të Prishtinës për të parë parakalimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës.

Po ashtu, një seancë solemne u mbajt edhe në Kuvendin e Kosovës, ku Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti iu drejtuan me një fjalë rasti deputetëve të Kuvendit.

Por si e kujton 14 shkurtin e vitit 2008 Gani Geci, njëri ndër deputetët që ishte pjesë e legjislaturës që e shpalli Pavarësinë e Kosovës?

“Është normale që isha i mbushur me emocione, sepse përmbushej vullneti im dhe i popullit tim, popull i cili kishim bërë një luftë 100 vjeçare për tu pavarësuar dhe ishte normale edhe të kishim emocione”, thotë Geci për “Bota sot”.

Ai tregon se cilat ishin dy momentet më të rëndësishme në jetën e tij.

“Ishin dy momente të rëndësishme për mua, një dita kur kam marr pushkën në dorë me 30 dhjetor 1991 dhe kam shkuar me i ndihmu Adem Jasahrit, dhe dy momenti kur janë përmbush qëllimet e mija dhe kam nënshkruar Pavarësinë e Kosovës”, shprehet Gani Geci.

E 14 vite më vonë, Geci thotë se Kosova e gjen vetën më keq se para shpalljes së Pavarësisë.

“14 vite më vonë, Kosova është më keq se para shpalljes së Pavarësisë, sepse tani ka informacione se mijëra Policë kanë lëshuar punën dhe presin një vizë për të ikur, qindra ushtarë të FSK-së po e lëshojnë FSK-në dhe po presin një vizë pune në perëndim, qindra mjekë, inzhinierë e Arkitekt tashmë kanë ikur e po ikin. Kosovës po i ik truri dhe një kombi kur i ik rinia shtrohet pyetja: Në vitet 90-ta ne kishim një arsye të iknim nga vendi ynë për shkak të represionit, po tani nga kush po ikin?”, deklaron Geci.

Sipas Gecit, deklaratën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës është dashur ta lexojë kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

“Jakup krasniqi e ka pas një prononcim për këtë çështje dhe ka treguar se kush është dashtë ta lexoj tekstin për shpalljen e Pavarsisë së Kosovës dhe tani kjo është e pa rëndësishme, por me kornizë Kushtetuese të atëhershme edhe me rregulloren e Kuvendit, kryetari i Kuvendit është ai që i lexon qoftë deklaratat qoftë dokumentet që burojnë nga Kuvendi i Kosovës, dhe leximi nuk është e rëndësishme nga kush është bërë, me rëndësi është se Pavarësinë e Kosovës e kanë shpallur deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe Populli i Kosovës në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”, përfundon për “Bota sot” ish deputeti i LDK-së, Gani Geci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat