Skenari i ‘komandantëve të Rognerit’: “Më mirë s’e duam pavarësinë, sesa të pranojmë flamurin e Rugovës”!

Politika

Skenari i ‘komandantëve të Rognerit’: “Më mirë s’e duam pavarësinë, sesa të pranojmë flamurin e Rugovës”!

Nga: N. Sh. Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 22:58
Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Hashim Thaçi e Azem Syla. Foto ilustrim nga "Bota sot"

Dje Kosova e festoi 14 Vjetorin e Pavarësisë.

Republika e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, i miratoi edhe simbolet e saja.

Himnin, dhe flamurin me një sfond blu në të cilin i ka të vendosur mbi hartën e Kosovës edhe gjashtë yje.

Këto yje zyrtarisht nënkuptojnë gjashtë grupimet kryesore etnike në Kosovë: shqiptarët, serbët, turqit, goranët, romët dhe boshnjakët.

Para këtij flamuri, presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, paraqiti flamurin e Dardanisë më 29 tetor 2000.

Ai flamur ishte blu, i brendashkruar nga një disk i kuq që brenda kishte shqiponjën, por edhe me një unazë të artë.

Megjithatë, në Kosovë, tek shqiptarët dashuria më e madhe është për flamurin Kuq e Zi. Flamurin me shqiponjën dy krenare.

E kur Kosova feston 14 Vjetorin e Pavarësisë, në institucionet tona, në sheshe dhe në duart e qytetarëve, krahas flamurit Kuq e Zi, qëndron edhe flamuri i shtetit tonë.

Në lidhje me këtë profesor dr. Enver Bytyçi thotë se, simbol aktual i shtetit është flamuri me simbolet e prezencës shumëkombëshe.

Sipas tij, presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, kishte projektuar një flamur me simbolet e Dardanisë për shtetin e ri të Kosovës. Por, shton se, kur u shpall Pavarësia, Rugova kishte dy vite që kishte shkuar në amshim.

Image
Profesor dr. Enver Bytyçi

“Kundërshtarët e Ibrahim Rugovës e dogjën flamurin Dardan të tij. Ata thoshin se “më mirë nuk e duam pavarësinë, sesa të pranojmë flamurin e Rugovës”! Ajo ngjarje të kujtonte luftën e verës 1912 për çlirimin e Shkupit, kryeqytetit të Dardanisë, kur shqiptarët e çliruan atë dhe në fund ia dorëzuan me duart e tyre fqinjëve armiqësorë serbë. Sepse u zunë me njëri-tjetrin se kush do të ishte i pari i Shkupit dhe i Shqipërisë. Dhe në vend që të merrnin në administrim kryeqytetin e Dardanisë e ta shpallnin në gusht Pavarësinë e Shqipërisë, ia dorëzuan atë Serbisë! Simbolikisht e njëjta gjë ndodhi edhe me flamurin e Kosovës. Në vend që politikanët shqiptarë të Kosovës pas Rugovës ta pranonin flamurin Dardan, pranuan një flamur, të cilin e imponuan ndërkombëtarët dhe që ngjan me flamurin e Bosnjë-Hercegovinës. Sikur edhe Kosova të ishte federatë, njësoj si Bosnja”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Ai shprehet se, “komandantët e luftës që e bënë luftën nga Rogneri i Tiranës nuk kundërshtuan flamurin aktual, sepse për ta ishte fitore e madhe injorimi i projektit të Rugovës”.

Ai thotë se të gjitha përpjekjet e tyre u përqendruan në krijimin e kushteve që të mos venitej roli i Hashim Thaçit.

“Prandaj Thaçi, në kundërshtim me çdo lloj protokolli e rregulli imponoi që ta lexonte vetë deklaratën e Pavarësisë në Parlament. Ai, në detyrën e Kryeministrit, nuk do të duhej ta bënte këtë, sepse para tij ishin Presidenti dhe Kryetari i parlamentit. Por, etja për lavdi e bëri Hashim Thaçin të harrojë gjithçka. Madje ta refuzojë flamurin Dardan e ta pranojë një flamur të llojit të Bosnjë-Hercegovinës, e cila nuk kishte histori shtetformuese, siç kishte Dardania, përkatësisht Kosova”, shton ai.

Por, sipas tij, tashmë gjithçka ka marrë fund.

“Vështirë se do të rikthehet flamuri Dardan i Rugovës dhe simbolet e tij të shtetësisë së Kosovës. Kjo për faktin se po kalon gjithnjë e më shumë kohë dhe se tashmë është vështirë të ndryshohet Kushtetuta e vendit. Për ndryshimin e këtyre simboleve duhet ndryshuar vetë Kushtetuta, gjë e cila nuk mund të bëhet pa votat e deputetëve serbë të Kosovës. Mirëpo, nuk besoj se do të gjendet ndonjë deputet serb që do ta votonte ndryshimin e flamurit dhe ta votonte një flamur dardan për Kosovën. Serbët e urrejnë simbolin Dardan të flamurit për shumë arsye. Së pari, sepse ata mbrojnë tezën se shqiptarët nuk janë autoktonë, por të ardhur në territoret e Kosovës. Së dyti, sepse nuk e pranojnë Kosovën si territor njëetnik, ose nuk pajtohen me homogjenitetin shqiptar të saj. Së treti, sepse ata edhe nëse do ta njohin Pavarësinë e Kosovës, nuk do ta legjitimojnë kurrë identitetin jo serb të saj për nga kultura dhe trashëgimia”, thekson profesori.

Bytyçi shton se, për këto arsye nuk ka gjasa që flamuri të ndryshojë.

“Në fakt në Beograd janë dakord që Kosova ta përdorë flamurin shqiptar. Shpeshherë këtë e ka theksuar p.sh. Ivica Daciqi, duke thënë se shqiptarët do të duhej ta përdornin flamurin kuq e zi. Por, kjo është një intrigë serbe, sepse përdorimi i flamurit të Shqipërisë në Kosovë do të jepte mesazhe se shteti i Kosovës është një shtet fals, pasi ajo është pjesë e Shqipërisë. Qëllimi ishte dhe mbetet që shqiptarët në Kosovë të shtyhen drejt kërkesës për t’u bashkuar me Shqipërinë dhe në këtë rast do të realizohej kërkesa e përhershme e Beogradit për ndarjen e Kosovës midis Shqipërisë dhe Serbisë! Prandaj, mendoj dhe besoj se flamuri aktual do të vazhdojë të pranohet në Kosovë, ndonëse është një flamur i imponuar”, përfundon prof. Dr. Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat