Mulliqi: Evropa dhe Amerika do ta ndëshkojnë Vuçiqin për qëndrimin pro-rus, shtohen gjasat e Kosovës për anëtarësim në NATO  

Politika

Mulliqi: Evropa dhe Amerika do ta ndëshkojnë Vuçiqin për qëndrimin pro-rus, shtohen gjasat e Kosovës për anëtarësim në NATO  

Nga: A.Z Më: 28 shkurt 2022 Në ora: 19:49
Aleksander Vuçiq

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se pozicionimi i Serbisë në anën e Rusisë paraqet rrezik për Kosovën. Ai tha se është koha që Kosova të anëtarësohet në NATO dhe në organizmat e tjerë të sigurisë. 

“Serbia tani është pozicionuar në anën e Rusisë, kjo situatë paraqet një rrezik të shtuar për Kosovën. Prandaj është momenti i duhur që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s dhe organizatave të tjera të sigurisë”, ka shkruar Pacolli. 

Lidhur me këtë, analisti politik Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se dita ditës po ngjallet frika se lufta mund ta përfshijë edhe Ballkanin. 

Ai shtoi se Rusia ka menduar se do ta mposht Ukrainën, madje po mundohet që objektivat t’i arrij me forcë. 

“Lufta në Ukrainë nga dita në ditë po ngjallë frikë se mund të kemi një luftë të re ballkanike. BH-ja mund të jetë kolateral nëse Ukraina arrin të dalë faqebardhë nga lufta që zor është të parashikohet, kur Putin ka paralajmëruar edhe luftë bërthamore. Rusia e cila ka menduar se në një aksion të rrufeshëm do të mposhtë Ukrainën po shihet se ka qenë qasje e gabuar e Putinit. Dallimet janë të mëdha kur bëhet fjalë për hapjen e mundshme të luftës në rajonin tone. Putin po mendon që me forcë t’i arrin objektivat e tij pushtuese, që në planin afatgjatë do të jetë shumë më ndryshe. Rusët në Bosnje ishin qysh në vitet 90-ta kur Moska në këtë republikë kishte dërguar vullnetarë në rrethimin e Sarajevës .Rusët me humbjen e ndikimit nga Lufta e Ftohtë janë bërë gjithnjë më agresiv duke krijuar me luftë para shtete në Gruzi, Osetinë Jugore, Abhazi, dhe në vitin 2014 aneksuan Krimën”, tha ai.

Ai thekson se Putin po synon ta kthej shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, me ç’rast të njëjtën po e synon edhe Dodik për shkëputjen nga Republika Serpska. 

“Të gjitha këto lëvizje lufte Putin po i merë për ta dobësuar Perëndimin, kështu mendon edhe në Bosnje, Mal të Zi dhe në Kosovë. Duket se lufta në Ukrainë shumë ju ka hapur sytë botës perëndimore, për të ditur se kush është burimi i problemeve në Evropë, e kjo është Rusia e diktatorit Putin. Zaten populli ukrainas po bën luftë në rusët që 8 vite. Tash vetëm reflektorët e luftës janë ndezur. Mendoj se nëse Rusia nuk u ndal nga bota demokratike në Ukrainë, në Evropë do të ndalet nëse synon luftën, sidomos në Ballkanin Perëndimor. Me aneksimin e Krimesë dhe tash me luftën për të pushtuar krahinat Donjeskut dhe Luhanit, Putin po synon që pjesë ta kthejë shpërbërjen e ish Bashkimit Sovjetik. Këtë gjë po dëshiron të bëjë edhe Millorad Dodik duke e shkëputur Republika Serpskën nga BH-ja, për t`ia bashkëngjitur Serbisë”, shtoi Mulliqi.

Më tej u shpreh se kështu po mundohen edhe serbët që ta ndajnë  Veriun nga Kosova. 

Mulliqi potencoi se Vuçiqi gjithmonë ka intesifikuar marrëdhëniet me Rusinë, dhe në anën tjetër kanë gënjyer se kinse janë për BE. 

 “E bëra këtu një hyrje se edhe në Kosovë ruso serbët mendojnë që të ndërhyjnë ushtarakisht në veri, për të bërë faktike ndarjen e Kosovës. Pozicionimi i Serbisë jo që e ka thënë këtë gjë Behgjet Pacolli, por ka qenë e ditur qysh moti se Serbia është aleat natyror i Rusisë. Vuçiq dhe presidentët e tjerë serbë para tij gjithë kohën ka rrejt dhe mashtruar se gjoja janë për BE, kurse në anën tjetër kanë intensifikuar marrëdhëniet bilaterale me Rusinë. Vuçiqi është vetëm një pion i tij dhe asgjë më shumë. Serbia më në fund e shpërfaqi fytyrën e saj pas ngjarjeve në Ukrainë, duke dalë hapur në krahë të Rusisë. Karl Bild përmes një shkrimi i tregoi hapur Vuçiqit se le ta harron BE-në pas paraqitjes së një qëndrimi të tillë në krahë të luftës së Putinit në Ukrainë”, ka deklaruar ai.

Mulliqi u shpreh tutje se pozicionimin që e ka cilësuar Pacolli i shkon për shtati Kosovës në bisedimet nëse zhvillohen me ta, madje sipas tij, tani janë edhe gjasat më të mëdha për tu inkuadruar në NATO. 

Ai shtoi se Rusët do e humbasin luftën me Ukrainën ashtu siç kanë humbur me Afganistanin. 

“Se a është rrezik për Kosovën një pozicionim i tillë i hapur, karshi botës perëndimore siç e ka cilësuar Pacolli, mua më duket se ky pozicionim i shkon shumë për shtati Kosovës në bisedimet që priten herëdokur të zhvillohen me këtë shtet. Nuk besojë që Evropa dhe Amerika nuk do të ndëshkojnë një qëndrim të tillë të Vuçiqit pikërisht me Kosovën. Nëse gjasat e vendit tonë nuk kanë qenë që më shpejt të inkuadrohet në NATO, tash ato po shtohen. Nëse do të ndërmerr ndonjë aventurë suhtarke Rusia që vështirë do të ketë Putin në rajon, ai nuk do të kalon si në Ukrainë, do të ndeshet ashpër me botën perëndimore, e cila do t`ia thyej kurrizin përfundimisht Rusisë. Rusët kanë menduar se me një blic aksion do të triumfojnë në Ukrainë, dhe hesapet nuk po ju dalin ashtu siç kanë menduar. Nëse rusët e kanë humbur luftën në Afganistan, edhe më lehtë do të humbasin atë me Ukrainasit, të cilët po e mbrojnë pragun”, përfundoi ai. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat