Edhe dita e gjashtë e luftimeve që nga fillimi i luftës pushtuese të Rusisë ndaj Ukrainës, ka vazhduar me shumë viktima civile dhe ushtarake, si dhe dëme në infrastrukturë.
Putini për shkak se dështoi në valën e parë të sulmit ndaj Ukrainës, po vazhdon me grumbullimin e fuqisë së jashtëzakonshme ushtarake të Rusisë, duke rritur forcën sulmuese, me armë dhe trupa.
Ndërkohë, që lufta atje po vazhdon, dhe se duket se do të vazhdojë edhe për një kohë, po rritet rreziku që ajo të përhapet në rajone të tjera, si në Gjeorgji, Moldavi, dhe në Ballkanin Perëndimor, duke rritur gjasat që Serbia ta sulmojë Kosovën.
Kosova është e rrezikuar në veri, me ç’rast edhe lufta me shtetin serb mund të ndodhë në atë pjesë.
Duke e pasur parasysh që Kosova nuk është vend aq i zhvilluar, po të ndodh një gjë e tillë do të shkaktoj shumë dëme.
Së fundmi kanë filluar disa përgatitje nga institucionet, gjë që e kanë për qëllim ruajtjen e sigurisë së qytetarëve dhe asaj publike, me ç’rast Policia e Kosovës ka dërguar pajisje logjistike dhe kontejnerë për zyrtarët policorë në kufirin në Bërnjak, që shihet si një lëvizje e lehtë, për të shtuar vëzhgimin dhe kontrollin në kufi.
Por, për rreziqet, mundësitë e përhapjes së konfliktit si dhe se çfarë duhet të bëjnë institucionet në rast të përhapjes së luftës Rusi-Ukrainë, për “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.
“Mundësit që Rusia ia dha Kosovës”
Lidhur me këtë, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, deklaron se tani me luftën që po ndodh në Ukrainë, është rritur besueshmëria për Kurtin dhe Osmanin, dhe kanë krijuar një situatë shumë më të favorshme kundrejt Serbisë.
“Si kurrë më parë pozicionet politike e diplomatike të kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit nuk kanë qenë më të favorshme kundrejt Serbisë sesa tani me luftën okupuese të Rusisë ndaj Ukrainës, të gjitha të bërat vrastare serbe në Kosovë, i zbuloi para botës progresive e demokratike lufta e palogjikshme e Putinit në Ukrainë, atë që bëri Millosheviqi në Kosovë, po e bën Putini në Ukrainë. Tani më të gjitha arsyetimet serbe ndaj Kosovës do të jenë të shurdhëta e të pabesueshme ndaj diplomacisë botërore. Elitës politike të Kosovës i duhet vetëm të tregojnë mençuri politike e diplomatike e asgjë më shumë”, potencoi Mehazi.
Ai i jep të drejtë Kosovës që të anëtarësohet në NATO dhe në organizata të tjera, madje edhe të njihet nga Ukraina.
“Lufta e Rusisë në Ukrainë, Kosovën e arsyeton që të mbrohet me polici, ushtri e armët më të sofistikuara në kufi me Serbinë;
-Albin Kurti lehtësisht duhet të bënte kërkesë ndaj shteteve evropiane që ende se kanë njohur për ta njohin sa më shpejtë Kosovën: Spanjës, Sllovakisë, Greqisë, Rumanisë e Qipros;
-Lufta e Rusisë e arsyeton kryeministrin e Kosovës për mos realizimin e asociacioneve serbe në Kosovë;
-Lufta e Rusisë në Ukrainë, Kosovës i jep shkas të arsyetueshëm që së bashku me Ukrainën ta padisin Serbinë e Rusinë në Gjykatën Speciale të Hagës për krimet e bëra serbo-ruse në Kosovë dhe Ukrainë; - Lufta e Rusisë në Ukrainë i jep të drejtë Kosovës që të anëtarësohet në NATO, i jep të drejtë Kosovës që Ukraina ta njohë Kosovën jashtë kufijve të Serbisë si shtet të pavarur;
-Lufta e Rusisë në Ukrainë i jep të drejtë Kosovës që të anëtarësohet në të gjitha instancat më të larta politike e ekonomike botërore OKB, BE etj, etj”, theksoi ai.
“Të investoj qeveria në mallra”
Juristi Blerim Burjani, ka potencuar se nuk ka përgatitje për krizat e mundshme për naftë apo benzinë. Burjani thotë se Qeveria duhet të investojë dhe të sigurojë furnizimin me mallra elementarë për konsum të përgjithshëm.
Burjani shtoi se tani është gjendja e qetë, por duhet të ngriter shkalla e sigurisë.
“Përgatitjet janë ato që shihen përveç një deklarimi se miell ka për gjashtë muajt e ardhshëm si rezerva. Nuk ka ndonjë përgatitje tjetër për ndonjë krizë të mundshme për derivate të naftës dhe benzinës, nuk dihet se a ka ndonjë rezervë për këto mallra. Pra, ka shumë pak informacione. Realisht Qeveria do të duhet të investojë në mallra rezervë për konsum të përgjithshëm, po që se kriza vazhdon të mbetet për një kohë të gjatë, normal se mund të ketë krizë për mallra. Pra, shteti duhet të ketë plan emergjent për të dhënë përgjigje të caktuara. Pra, duhet të ketë rezerva të mallrave dhe deponitë rezervë, sa i përket sigurisë, njëherë gjendja e sigurt në Ballkan nuk ka ndonjë trazirë e as ndonjë kërcënim, pra gjendja duket e qetë, normal se duhet të ketë një shkallë të lartë të ngritjes të shkallës së sigurisë”, thotë ai.
“Kosova me ekonomi të brishtë”
Ndërsa, analisti politik Hidajet Ahmeti, thotë se lufta do ta prek të gjithë botën, madje edhe Kosovën, por sipas tij, jo deri në atë masë sa të jetë e papërballueshme.
Ai theksoi më tej se institucionet në koordinim me ekspertët e fushave profesionale duhet ta bëjnë më të mirën që të kalohet kriza.
“Mendoj se lufta Rusi-Ukrainë do të prekë shtetet e botës, e që do të jetë evidente edhe për shtetin tonë. Por, nuk mendoj se do të jetë deri në masën sa që do të bëhet e papërballueshme. Institucionet përgjegjëse duhet të gjejnë moduse për ta kaluar "krizën" potenciale, pasi Kosova ka një ekonomi të brishtë dhe dëmi sado që i vogël të jetë do ta prekë shtetin e Kosovës. Prandaj, institucionet përgjegjëse duhet të jenë vigjilente dhe ta bëjnë më të mirën e mundshme, çdoherë në koordinim me ekspertët e fushave profesionale për ta kaluar krizën e mundshme”, potencoi Ahmeti.