“Beogradi i tronditur dhe i alarmuar”/ Ish-diplomati britanik tregon a mund të tentojë Serbia të marrë veriun e Kosovës

Politika

“Beogradi i tronditur dhe i alarmuar”/ Ish-diplomati britanik tregon a mund të tentojë Serbia të marrë veriun e Kosovës

Nga: A.ZH Më: 17 mars 2022 Në ora: 21:37
Timothy Less; foto "Bota sot"

Ish-diplomati britanik në Bosnjë e Hercegovinë Timothy Less, ka thënë se Serbia nuk është duke tentuar të marrë veriun e Kosovës.

Ai për gazetën "Bota sot", ka thënë se udhëheqja në Beograd është tronditur nga dobësimi i aleatit të saj kryesor të jashtëm, Rusisë, e cila është përfshirë në luftën në Ukrainë.

Sipas udhëheqësit të projektit “Studimet e Shpërbërjes” të Qendrës për Gjeopolitikë dhe Strategji në Universitetin e Cambridge, Serbia është e alarmuar gjithashtu nga përqëndrimi i Perëndimit në Ballkan.

Less ka theksuar se përkundër që ka argumente se Serbia mund të tentojë të kapë veriun e Kosovës, ai nuk sheh asnkë provë në praktikë për këtë.

"Jo në ndonjë kuptim të drejtpërdrejtë. Përsëri, e kuptoj argumentin - se serbët do të shfrytëzojnë mundësinë e luftës në Ukrainë për të kapur veriun e Kosovës, siç bëri Rusia me Donbasin, me mbështetjen e Moskës, në një pikë kur Perëndimi është i hutuar nga ngjarjet në Ukrainë.

Megjithatë, unë nuk shoh asnjë provë për këtë në praktikë. Përkundrazi, unë shoh një udhëheqje në Beograd, e cila është e tronditur nga dobësimi i aleatit të saj kryesor të jashtëm, pasi Rusia i nënshtrohet sanksioneve perëndimore dhe është përfshirë në një luftë të dëmshme në Ukrainë. Serbia është gjithashtu e alarmuar qartë nga përqendrimi i përtërirë i Perëndimit në Ballkan, gatishmëria e saj për të përballuar kërcënimin nga serbët në Bosnjë dhe qëndrimi i saj konfrontues ndaj Beogradit. Në këto rrethana, nuk e shoh Serbinë duke bërë një rrëmbim oportunist për veriun e Kosovës", është shprehur Less për gazetën.

Megjithatë, ai thekson paralajmërimin e Serbisë se do të përgjigjej nëse Kosova anëtarësohet në NATO.

Sipas diplomatit, Kosova që nga pushtimi i Ukrainës, është angazhuar për anëtarësimin në NATO dhe në lobimin  ndërkombëtar për t'i paraqitur serbët si marioneta të Rusisë. 

"Ka një paralajmërim, konkretisht se si Serbia do të përgjigjej nëse ndihej e kërcënuar seriozisht në fqinjin e saj. Që nga pushtimi rus i Ukrainës, kundërshtarët e saj rajonalë kanë shtyrë të gjithë qëllimet e tyre kombëtare, të nxitur nga një kombinim i frikës dhe mundësive. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Kosovën, e cila ka nxitur anëtarësimin në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare, dhe është angazhuar në lobim ndërkombëtar për t'i paraqitur serbët si marioneta të Rusisë. Kjo ka pasur njëfarë suksesi në mesin e udhëheqësve perëndimorë që ndajnë këtë pikëpamje themelore për serbët. Prishtina gjithashtu ka ndërmarrë hapa për të mbështetur forcat e sigurisë së Kosovës dhe për të pohuar praninë e saj në veri", ka thënë më tej Timothy Less për "Bota sot".

Teksa ka thënë se ministri serb Nikola Selakoviq mund të jetë duke e thënë të vërtetën se Serbia do të përgjigjet me forcë ndaj përpjekjeve të Kosovës për integrim në NATO, Less nuk e përjashton mundësinë që të krijohet nnjë situatë e paqëndrueshme.

Në rast se do të ndodhte kjo, ai ka theksuar se do të hapej edhe çështja e Bosnjës dhe mund të rritej rreziku për një përshkallëzim situate në Ballkan.

"Kjo ka krijuar një situatë të paqëndrueshme në të cilën Serbia mund të ndjehet e detyruar të reagojë duke aneksuar veriun e Kosovës. Nikola Selakoviq ka paralajmëruar se Serbia do t'i përgjigjet me forcë çdo përpjekjeje të Perëndimit për të integruar Kosovën dhe mund të jetë duke thënë të vërtetën. Nëse po, kjo do të hapte çështjen e Bosnjës ku serbët po ndihen gjithnjë e më shumë të kërcënuar dhe mund të shfrytëzojnë mundësinë për të bërë një përpjekje për pavarësi me shpresën se Serbia dhe Rusia do t'i mbështesin ata. Shkurt, rreziku është një përshkallëzim i rastësishëm në Ballkan, në të cilin, duke u përpjekur t'i kundërvihen revanshizmit serb, boshnjakët, shqiptarët dhe të tjerët bëjnë një profeci vetëpërmbushëse të frikës së tyre", ka shtuar Timothy Less./Botasot

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat