“Çakorri dhe Kulla janë pa vijë kufitare”/ Juristi tregon si të veprojë Qeveria për Demarkacionin me Malin e Zi

Politika

“Çakorri dhe Kulla janë pa vijë kufitare”/ Juristi tregon si të veprojë Qeveria për Demarkacionin me Malin e Zi

Nga: G.B Më: 23 mars 2022 Në ora: 14:51
Foto ilustruese

Çështja e Demarkacionit me Malin e Zi është riaktualizuar në 4 vjetorin e ratifikimit të saj.

Ka qenë kryeministri Albin Kurti i cili ka thënë se do ta diskutojë atë me Qeverinë e Malit të Zi, sapo ajo të zgjidhet.

“Shpresojmë që së shpejti Mali i Zi do të ketë Qeveri të re me të cilën do të mund të bisedojmë e ta trajtojmë këtë çështje. Për dallim nga qeveria paraprake e cila kishte për brenda elemente pro ruse, përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë. Ne kemi bërë mbledhje të përbashkëta të qeverisë me Maqedoninë e Veriut edhe me Shqipërinë, dhe shpresojmë të bëjmë edhe me Malin e Zi pasi të formohet qeveria e re. Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje për të cilën natyrisht fajin e përgjegjësinë e ka ajo qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm iu dha Malit të Zi 8200 hektar të territorit të Kosovës”, u shpreh Kurti.

Lidhur me këtë, profesori dhe juristi Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Çakorri dhe Kulla janë pa vijë kufitare dhe se deri më tani nuk është vepruar.

“Vija kufitare sipas marrëveshjes midis dy shteteve nuk është definitive. Në Çakorr dhe në Kullë nuk dihet vija kufitare. Nga dokumentet del se të dy qeveritë ishin marrë vesh që në Çakorr dhe në Kullë të krijohen komisionet e veçanta që do të analizojnë vijën kufitare. Deri më tash nuk është vepruar. Pse nuk dihet! Por, as Prishtina dhe as Podgorica, nuk morën deri tash iniciativë për të kontaktuar dhe për të krijuar komisionet për caktimin e vijës kufitare”, është shprehur ai.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas Kelmendit, marrëveshja në mes të dy presidentëve, i obligon qeveritë që të takohen dhe të veprojnë dhe se asnjëra palë nuk mund të ikë nga marrëveshja.

“Marrëveshja e arritur midis dy presidentëve, atij të Kosovës me atij të Malit të Zi, i obligon dy qeveritë që të takohen dhe të veprojnë. Këtej pritet që Prishtina të drejtojë çështjen në Podgoricë dhe të sqarojë faktin se në Çakorr dhe në Kullë nuk ka marrëveshje për vijë kufitare. Prishtina nuk ka çka pret. Podgorica është e obliguar të veprojë sipas marrëveshjes. Asnjëra palë nuk mund të ikë nga marrëveshja dhe tërheqja e vijës kufitare në Çakorr dhe në Kullë është obligative”, ka vlerësuar profesori.

Ai shton se Kuvendi e ka pranuar marrëveshjen për demarkacionin dhe me këtë qeveria obligohet që të kontaktojë me Podgoricën.

“Marrëveshja është akt obligativ dhe Kuvendi i Kosovës e ka pranuar. Me atë akt juridik Kuvendi e ka obliguar Qeverinë e Kosovës që domosdo të kontaktojë me Podgoricën për vijën kufitare. Ky obligim është edhe për Podgoricën. Ky është obligim politik ndërkombëtar. Qeveritë nuk mund të ikin. As Malin i Zi nuk ka rrugëdalje pa u takuar me Kosovën për kufirin në Çakorr dhe në Kullë. Marrëveshja është obligative”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat