Eksperti i sigurisë zbulon origjinën e dronit që u rrëzua në Mitrovicë, tregon faktin interesant çka po trajton KFOR-i në veri

Politika

Eksperti i sigurisë zbulon origjinën e dronit që u rrëzua në Mitrovicë, tregon faktin interesant çka po trajton KFOR-i në veri

Nga: A.ZH Më: 25 mars 2022 Në ora: 20:53
Droni i KFOR-it që u rrëzua në lagjen Blair, në Mitrovicë

Një dron ushtarak i KFOR-it ra të enjten në oborrin e një shtëpie në lagjen Blair në Mitrovicë.

Ngjarja ndodhi të enjten rreth orës 14:30, ku droni ra në oborrin e familjes Sylejmani.

Familjarët kanë thënë se në shtëpinë ku ra droni nuk jeton askush, pasi familja gjendet në perëndim.

KFOR-përmes një komunikate për media, konfirmoi se droni i rrëzuar është i tyre dhe se i njëjti u rrëzua për shkak të mosfunksionimit.

‘’Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja konfirmon se një nga dronët e tij u ul në një kopsht privat në zonën e Mitrovicës, si pasojë e mosfunksionimit. Droni nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz apo dëme materiale dhe është nxjerrë nga Forca Policore e Kosovës menjëherë pas uljes së tij”, thuhet në deklaratën e tyre.

KFOR-I ka treguar se çfarë misioni po realizonin me dronin në fjalë.

"Droni po kryente një mision rutinë monitorimi në mbështetje të aktiviteteve të KFOR-it, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, duke e mandatuar KFOR-in të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, kanë thënë nga KFOR-i.

E eksperti i çështjeve të sigurisë Drizan Shala, ka thënë për gazetën "Bota sot", se droni ishte prodhim i Izraelit dhe përdoret për mbledhjen e informacioneve.

Image
Drizan Shala

"Siç dihet droni i modelit SKYLARK I-LEX prodhim i Izraelit, përdoret për misione që për qëllim kanë mbledhjen e informacioneve përmes videove të ofruara në kohë reale si ditën, ashtu edhe natën", ka thënë ai.

Sipas Shalës, fakti që droni është aset i KFOR-it, tregon se KFOR po mbledh informacioneve për çdo parregullësi që mund të ketë në veri të Kosovës.

"Bazuar edhe në deklaratën nga ana e KFOR-it, ky dron është nga aseti i tyre, tregon faktin interesant që ajo pjesë është duke u trajtuar nga ana e KFOR-it në aspektin e ofrimit të sigurisë dhe mbledhjes së informacioneve për çdo parregullësi që mund të ketë në veri të vendit, si pasojë e zhvillimeve politike në mes Kosovës dhe Serbisë", është shprehur më tej eksperti i sigurisë.

Ai ka përmendur edhe deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, se do të luftojnë kundër interesave të Kosovës, duke theksuar se si rrjedhojë veprime të tilla të KFOR-it janë të pritshme.

"Duke iu referuar edhe deklarimit nga ana e presidentit serb që qytetarët serbë të Kosovës janë në gjendje që të luftojnë për interesat e tyre kundrejt institucioneve të Republikës së Kosovës, kjo tregon që veprime të tilla nga ana e KFOR-it mund të priten në bazë të mandatit që ka", ka shtuar Drizan Shala për "Bota sot".

Ditë më parë, në Zagreb të Kroacisë, kishte rënë një dron i ngjashem, i cili ishte prodhim sovjetik./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat