“Është rrezik për Kosovën”, kërkohet mbyllja e zyrës ruse në Dragodan

Politika

“Është rrezik për Kosovën”, kërkohet mbyllja e zyrës ruse në Dragodan

Nga: P.R. Më: 3 prill 2022 Në ora: 17:56
Arkiv

Ani pse Rusia nuk e njeh ende Kosovës si shtet dhe vazhdon luftën ndaj saj në vazhdimësi, ajo e ka zyrën e vet ndërlidhëse e cila gjendet në lagjen Dragodan të Prishtinës, dhe është e hapur që nga viti 2005, kohë kur Kosova administrohej ende nga UNMIK-u.

E në bazë të rregullores për këtë zyre, e cila është miratuar nga UNMIK-u, pjesëtarët e zyrave ndërlidhëse nuk i nënshtrohen asnjë regjimi të vizave dhe kanë të drejtë të hyrjes dhe qëndrimit në Kosovë. Poashtu objekti dhe asetet e Zyrës Ndërlidhëse janë imune ndaj bastisjeve, urdhrave të institucioneve lokale, sekuestrimi dhe çdo formë ndërhyrjeje, qoftë me veprim ekzekutiv, administrativ, gjyqësor apo legjislativ.

Tash kur në Ukrainë po vazhdon pushtimi rus, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kjo zyrë është duke u vëzhguar nga organet e sigurisë.

“Ne nuk kemi komunikim me të, mirëpo ajo ndodhet nën vëzhgimin e plotë të organeve tona kompetente, por pa dyshim që nuk janë pasivë as aleatët dhe partnerët tanë. Deri kur do të marrim ndonjë udhëzim për shkak të fakteve të reja që të veprojmë në ndonjë veprim të caktuar ,do të ngelet kështu siç është, mirëpo në momentin që ne sadopak vërejmë se ndodhin gjëra të rrezikshme ose të paparashikuara padyshim që s’do të hezitojmë për asnjë moment”, kishte deklaruar kryeministri Kurti në një nga intervistat e tij.

E javë më parë para se të niste pushtimi rus në Ukrainë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani kishte shpallur dy zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Kosovë persona nongrata, pasi me  aktivitetet e tyre kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Lidhur me këtë zyre dhe rolin e saj në Kosovë, për gazetën “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

“Në lidhje me zyrën Ruse në Kosovë e cila operon në kuadër të një leje veprimi në kohen e UNMIK-ut, organet e sigurisë të Kosovës mendoj që vetëm e kanë të targetuar këtë zyre dhe objekt duke monitoruar çdo lëvizje të dyshuar të personave që veprojnë në kuadër të kësaj zyre”, thotë Shala.

Por a paraqet rrezik për Kosovën ekzistimi i kësaj zyre, kohë kur Rusia po synon përhapjen e ndikimit të saj nëpër botë?

“Unë mendoj në bazë të vlerësimeve të mija, PO, sepse kjo zyre nuk ka as një bashkëpunim formal me institucionet tona të MPJ-së, siç kanë zyrat tjera të cilat pavarësisht qëndrimeve shtetërore që kanë mbi njohjen apo jo të pavarësisë sa do kenë një bashkëpunim formal që në rastin me zyrën ruse ky veprim nuk qëndron”, shprehet Shala.

Më tej, ai thotë se dëbimi i zyrtarëve të saj nga Kosova, tregon më së miri veprimtarinë e kësaj zyre.

“Siç dihet mbi një vlerësim që ka bërë AKI-ja të personave që kanë shërbyer në kuadër të kësaj zyre dhe që Presidentja ka miratuar një dekret që këta persona të lirojnë territorin e Kosovës, kjo e pasqyron më së miri që aktivitetin e kësaj zyre duhet të shihet me skepticizëm. Sepse edhe në të kaluarën ka patur raste ku shtetasit rus kanë tentuar që t’i pengojnë organet e sigurisë në ushtrimin e aktiviteteve të tyre e në disa raste dhe tentimi për të paraqitur Kosovën si një vend jo miqësor duke përdorur aparaturën propagandistike kundër shtetit të Kosovës”, deklaron Shala.

Por a mund të mbyllet Zyra Ndërlidhëse Rusë në Kosovë, dhe a duhet që ta kërkojë një gjë të tillë Kosova?

“Kjo zyre nuk mund të mbyllet për arsye që ekziston rezoluta 1244, e cila jep një lloj legjitimiteti të veprimit të kësaj në territorin e Kosovës, sepse siç dihet UNMIK-u është derivat i kësaj rezolute, por edhe kjo zyre ka bërë kërkesë në këtë institucion që fushveprimtaria e UNIMK ish dasht të vihet në pikëpyetje për arsye që Kosova ka përmbushur gjitha kriteret demokratike për një pasqyrim të shtetit të së drejtës ku respektohen edhe të drejtat e minoriteteve në Kosovë”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat