“Dënimi për këto nënshkrime është 5 vjet deri në dënim me burg të përjetshëm”/ Juristi tregon se kush ka përgjegjësi penale për asociacionin

Politika

“Dënimi për këto nënshkrime është 5 vjet deri në dënim me burg të përjetshëm”/ Juristi tregon se kush ka përgjegjësi penale për asociacionin

Nga: A.SH Më: 6 prill 2022 Në ora: 17:39
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, njëherësh ish-kryeministër, ka thënë se nëse themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, ai duhet të bëhet sipas marrëveshjes së vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

”Të gjithë ne i kemi të qarta rrugët për me e bë ose jo asociacionin. Në qoftë se bëhet, bëhet sipas marrëveshjes së vitit 2013. Marrëveshja është mjaftë e përgjithshme sepse marrëveshja thotë se duhet të përcaktohen parimet. Ne në marrëveshjen e vitit 2015 kemi punuar në parimet, e jo në marrëveshje për themelim, sepse marrëveshja për themelim ka qenë e vitit 2013”, ka thënë Mustafa.

Lidhur me këtë për “Bota sot” ka komentuar juristi Muhamet Kelmendi, i cili ka thënë se pavarësisht verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, ka mbetur baza e organizimit të këtij subjekti, e që këtë kurrsesi nuk duhet lejuar.

“Marrëveshja për Asociacionin serb të vitit 2013 dhe Marrëveshja më e thelluar për Asociacioni serb të vitit 2015. Pavarësisht verdiktit të Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen për Asociacionin Serb në Kosovë të vitit 2015, ka mbetur baza e organizimit të këtij subjekti. Këtu është edhe konflikti më i madh midis Kosovës dhe të shtetit serb. Përkundrazi, duhet thënë, se Asociacioni Serb në Kosovë është hap i rëndësishëm, madje edhe themelor, mbi ndërtimin e Republikës serbe në Kosovë. Këtë kurrsesi nuk duhet lejuar. Këtej ka filluar në Kosovë një fushatë qesharake”, ka thënë juristi.

Sipas tij, anulimi i marrëveshjes për Asociacionin nga Gjykata Kushtetuese, nuk e largon Isa Mustafën nga përgjegjësia penale.

“Ish-kryetari i LDK-së dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, për të hequr përgjegjësinë, po deklaron se Asociacioni do të ndërtohet sipas Marrëveshjes së vitit 2013, të nënshkruar nga Hashim Thaçi. Loja e tillë është kriminale. Gjykata Kushtetuese e anuloi Marrëveshjen për Asociacion nga viti 2015, por kjo qe nënshkruar nga Isa Mustafa, si Kryeministër. Anulimi nuk e largon Isa Mustafën nga përgjegjësia penale. Si e tillë edhe nga pozita e nënshkruesit është akti kriminal dhe i dënueshëm sipas Kodit Penal të Kosovës. Në nenet 120-225 të KP dënimi për këto nënshkrime është 5 vjet deri në dënim me burg të përjetshëm. Edhe nënshkruesi i Marrëveshjes së vitit 2013 ka përgjegjësi penale. Njëjtë është e dënueshme, pavarësisht pse e njëjta nuk ishte objekt i Gjykatës Kushtetuese. Mirë është të merret edhe mendimi me shkrim nga kjo gjykatë edhe për këtë Marrëveshje të vitit 2013. Me këtë verdikt ndalet presioni ndërkombëtar për Asociacion në bazë të marrëveshjeve, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës, që anulon të njëjtat. Në të kundërtën do të kemi presion të madh ndërkombëtar. Kjo edhe mundet të shtyjë Republikën në veprime antikushtetuese dhe seperatiste. Dhe, përfundimi është dhe dërgon te luftërat e reja”, deklaron Kelmendi.

Në fund profesori shton se Kosova kurrsesi nuk duhet pranuar asnjë status të ri që është pushtet i dytë në Kosovë.

“Duhet thënë se Kosova kurrsesi nuk duhet pranuar asnjë status të ri që është pushtet i dytë në Kosovë. Minoriteti serb është i mbrojtur më mirë dhe më gjerë se vetë shqiptarët dhe të tjerët në Kosovë dhe këtu nuk ka ku shkon më tej. Çdo veprim tjetër është vdekjeprurës për Republikën e Kosovës”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat