“Gjyshi im furnizoi me armë Thaçin”/ Kjo është kërkesa për Albulena Haxhiun – ja çka duhet të tregojë

Politika

“Gjyshi im furnizoi me armë Thaçin”/ Kjo është kërkesa për Albulena Haxhiun – ja çka duhet të tregojë

Nga: P.R Më: 7 prill 2022 Në ora: 21:13
Kadri Veseli, Albulena Haxhiu dhe Hashim Thaçi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se me Ligjin e ri për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme nuk do të përjashtohet askush nga zyrtarët publik.

Sipas Haxhiut, nga konfiskimi i pasurisë nuk do të përjashtohen as Hashim Thaçi e Kadri Veseli të cilët akuzohen nga Gjykata Speciale në Hagë.

“Në momentin kur Institucioni do të themelohet nga Kuvendi, pra kur fillon puna e tij. Në rastin kur shohin se një zyrtar ka pasuri në shpërputhje me të ardhurat që i ka, sepse duhet me theksu faktin që me 1200 me 1500 euro qoftë të Presidentit apo Kryesministrit, nuk mund të bëhesh as milioner e as të kesh biznese. Në Kosovë është keqpërdorur pozicioni që kanë pasur zyrtarë. Askush nuk është imun nga kontrollimi i pasurisë, edhe unë, edhe ata (Thaçi e Veseli) edhe të gjithë”, tha Haxhiu, duke shtuar se gjyshi i saj i kishte dhënë bukë e armë ish-presidentit Hashim Thaçi.

“E kuptoj se në politikë edhe mund të akuzohesh, ndonëse është e ultë, por mund të bëhen. Por, për familjen time ka qenë ndryshe sepse familja ime ka qenë para lufte e gjithmonë ka kontribuar për vendin. Z. Thaçi e njeh familjen time. Gjyshi im i ka dhënë bukë e armë Thaçit, por edhe përkundër kësaj ka bërë një akuzë të tillë. Unë e kam paditur për shpifje, jo si ministre, por si individ. Të akuzosh një familje për trafikim me narkotikë, s’mund t’i mbyllësh sytë. Rasti është në gjykatë dhe ende nuk është mbajtur asnjë seancë”, ka thënë Haxhiu.

Image
Gani Qarri

E për paralajmërimin e Albulena Haxhiut për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.

Sipas tij, ky premtim i Haxhiut nuk mund të realizohet, përderisa e njëjta solidarizohet me të akuzuarit e Speciales, duke i vizituar në Hagë.

“Siç shprehet Haxhiu në momentin kur Institucioni do të themelohet nga Kuvendi dhe fillon puna e tij, askush nuk është imun nga kontrollimi i pasurisë, veçanërisht në rastin kur shohin se një zyrtar ka pasuri në shpërputhje me të ardhurat që merr, sepse duhet me theksu faktin që me 1200 me 1500 euro qoftë të Presidentit apo Kryeministrit, nuk mund të bëhesh as milioner e as të kesh biznese. Por siç thotë fjala popullore, aty ku të premtojnë dredhëza shumë, duhet marrë shporta sa më e vogël, e edhe ministrja Haxhiu, nuk mund t’i përmbush premtimet ligjore me veprime kundërligjore, duke i vizituar dhe solidarizuar edhe ajo vet, me të akuzuarit për krime nga Gjykata Speciale në Hagë”, thotë Qarri.

“Madje ministrja Haxhiu në vend se të qonte deri në fund hetimet për zbardhjen përfundimtare të vrasjes së Astrit Deharit, para sa vitesh në burg, që ishte një nga premtimet madhore gjatë fushatës parazgjedhore, ajo gjen kohë të shëtitet nga Prishtina në Hagë e anasjelltas, pa marrë në konsideratë imazhin e diskutueshëm që i jep, para ndërkombëtarëve, sistemit të drejtësisë në vend, me sjelljet e saj”, shprehet Qarri.

Më tej, ai thotë se Albulena iu ka borxh një shpjegim familjarëve të viktimave të vrasjeve politike.

“Për aq më tepër ministrja Haxhiu ka luksin edhe për tu argëtuar, se si babai dhe gjyshi i saj i paskan furnizuar me armatim të arrestuarit e Hagës, pa dhënë shpjegime se kundër e kujt u përdorën ato armë, kur dihet mirëfilli fakti, se vet Hashim Thaçi ka deklaruar publikisht se nuk ka marrë pjesë në luftë dhe në asnjë betejë të armatosur kundër Serbisë. Kështu që, duke qenë se sipas akuzave të Gjykatës Speciale, ndër tjerash të arrestuarit akuzohen edhe për vrasjen numerike të shqiptarëve, Albulena Haxhiu duhet tua shpjegojë familjeve se armët e babait e të gjyshit të saj, kanë shkuar në duar të sigurta dhe nuk janë (keq)përdorur për vrasjen e bijve të tyre”, thekson analisti Qarri.

Ai shton se Hashtim Thaçit e Kadri Veselit duhet tu hetohet pasuria deri në konfiskim.

“E në anën tjetër, siç dihet në Kosovë, për kohë të gjatë është keqpërdorur në mënyrën më të paskrupullt, pozicioni që kanë pasur zyrtarët, prandaj dhe duhet te hetohet pasuria jo vetëm e Thaçit dhe Veselit, por edhe e të gjithë politikanëve të tjerë shtetëror e partiak vendor”, deklaron Qarri.

“Dhe kjo jo vetëm që duhet të ndodhë sa më shpejtë, por qysh në momentin e parë duhet tu konfiskohet pasuria milionëshe e të gjithë atyre, që konstatohet se është grumbulluar në mënyrë të kundërligjshme, pa marrë parasysh emrin dhe pozitën në parti apo pushtet, të cilit do politikan apo biznesmen të dyshimtë në Kosovë”, përfundon për “Bota sot” analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat