Policia po bën luftë me vetveten kundër korrupsionit / Gjykatësit me kë do të jenë?

Politika

Policia po bën luftë me vetveten kundër korrupsionit / Gjykatësit me kë do të jenë?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 12 prill 2022 Në ora: 12:30
Foto nga arrestimi gjatë operacionit Pika

Rreth 60 zyrtarë policorë u arrestuan javën e kaluar në pikën kufitare të Vërmicës, me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ata ishin policë të Kosovës e Shqipërisë, ku arrestimet për zyrtarët e Kosovës u kryen nga Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale, që realizoi operacionin e koduar me emrin “Pika 2”, i cili ishte paraprirë nga një hetim rreth një vjeçar.

“Me autorizimin e Prokurorisë Speciale në kuadër të këtij hetimi nga hetuesit e IPK-së janë përshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe masat e nevojshme që të zbulojnë dhe të ruajnë gjurmët dhe provat tjera të veprave penale dhe sendet të cilat mund të shërbejnë si prova të cilat mund të përdoren në procedurë penale. Bazuar në këto veprime të suksesshme hetimore, IPK në kuadër të operacionit “Pika 2” ka arrestuar 26 zyrtarë policorë (duke përfshirë dy rreshterë policorë dhe 24 zyrtarë policorë), që të gjithë të dyshuar për veprat penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “marrje e ryshfetit”. Hetimi ka përfshirë edhe bashkëpunimin me SPAK-un (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) Agjencinë për Mbikëqyrje Policore - AMP-së (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri) që ka rezultuar me arrestimin e disa të dyshuarve edhe në Republikën e Shqipërisë”, thanë IPK përmes një komunikate për medie.

Policët e Kosovës kanë dalë para gjykatës të shtunën, ku Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.K, B.H, B.P, B.S, D.Z, F.H, I.I, I.S, N.S, R.K, S.K, S.P, SH.A dhe Z.P, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale në vazhdimësi Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkim me veprën penale Marrja e ryshfetit.

“Të pandehurve iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në bazë të nenit 183 lidhur me nenin 187 par.1 nën paragrafi 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK. Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Por, sa ndikojnë këto arrestime në zbehjen e imazhit të Policisë së Kosovës dhe sa pritet të ketë arrestime të tjera të ngjashme?

Shala: Policia nuk e luftoi krimin brenda vetes

Image
Drizan Shala

 

Për këto arrestime, që pasojnë pas një operacioni të njëjtë ditë më parë ku u arrestuan policë kufitare, eksperti i sigurisë Drizan Shala, thotë se Policia nuk është marrë me luftimin e krimit brenda vetes.

“Në lidhje me aksionin policore të zhvilluar nga IPK-ja, kjo tregon faktin që deri më tani institucioni i Policisë nuk është marrë me vetveten, për ta luftuar krimin brenda radhëve të veta”, është shprehur ai.

Shala përmend raste të ngjashme që kanë ndodhur në të kaluarën.

“Raste të tilla të involvimit të zyrtarëve policorë ka pasur edhe në të kaluarën, ku për interesa personale të përfitimit kanë keqpërdorur pozitën zyrtare ku duhet të veçohen dy raste të tilla si kjo Pika dhe të cilat janë: Arrestimi i pjesëtarëve policorë të njësisë së trafikut rrugor, si dhe me 2019 aksioni i zhvilluar në veri të vendit nga IPK për të arrestuar zyrtarë policorë të involvuar në krim dhe korrupsion”, vlerëson eksperti i sigurisë.

Sipas tij, aksione të tilla priten edhe në të ardhmen.

“Aksione të tilla mund të ketë edhe në të ardhmen dhe është tregues se në secilin institucion nëse vendosen masat e fshehta, mund të paraqiten dhe identifikohen veprime të tilla kriminale dhe që mendoj se me këso veprime duhet që të vazhdojnë organet e sigurisë”, ka deklaruar Drizan Shala për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: Skeptik për dënimin e të arrestuarve

Image
Faton Mehmeti

 

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti thotë për gazetën “Bota sot” se arrestimet nuk e zbehin punën e mirë të policisë.

“Pavarësisht se në radhët e policisë mund të ketë njerëz që nuk janë në rregull me ligjin, në përgjithësi e vlerësojnë pozitive punën e policisë, këtë gjë e dëshmon dhe perceptimi i qytetarëve për policinë. Në këtë kuptim, nuk besoj se ka dilemë”, thotë ai.

Mehmeti i vlerëson arrestimet e kryera në këtë aksion të IPK-së.

“Ajo çfarë mund të themi për aksionin e policisë është respekti për punën e tyre, në këtë drejtim i vlerësoj shumë arrestimet që janë kryer”, është shprehur ai.

Ai shprehet i shqetësuar për Prokurorinë, derisa thotë se është skeptik se ata do ta marrin dënimin e merituar.

“Shqetësimi im ka të bëjë me Prokurorinë, me pak fjalë me sistemin e drejtësisë. Pavarësisht se policia i arreston, në anën tjetër drejtësia i ka liruar, kjo gjë më bën skeptik se të arrestuarit do të marrin dënimin e merituar”, deklaron Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat