A është ky plani Edi Ramës me Serbinë?

Politika

A është ky plani Edi Ramës me Serbinë?

Nga: P.R Më: 13 prill 2022 Në ora: 22:44
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përsëritur edhe njëherë se nuk do të heq dorë nga “Ballkani i Hapur”.

“Jemi shumë të vendosur të vendosur të ecim me Ballkanin e Hapur. Le të thonë çka të duan përqafuesit e turbofolkut nacionalist, ne do të vazhdojmë me Ballkanin e Hapur dhe besoj që asnjë shqiptari të arsyeshëm nuk i vjen keq, përkundrazi s’ka si të mos i vije mirë kur për dy herë rresht Serbia bashkohet me perëndimin në Kombet e Bashkuara kundër Rusisë dhe me lejoni t’iu them se pa Ballkanin e Hapur kjo nuk do të kishte ndodhur”, tha Rama.

E sipas Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë edhe përkrahës i idesë për ndarjen e Kosovës.

“Ajo marrëveshje mbijeton ende. Nuk është se është në agjendë siç ka qenë atëherë, por ende mbijeton nëpër media, në grupe politikanësh. Ideja është që Kosova mund ta zgjidhë problemin me Serbinë me një prerje të ashpër. Edhe kjo është në këtë stil. Është një tezë që unë nuk do të doja të besoja se mund të mbijetonte në Kosovë kaq gjatë, pavarësisht se vet akterët që e kanë promovuar si të tillë, në rastin konkret Thaçi e Vuçiqi, kanë hequr dorë. Në Kosovë ende qarkullon”, ka deklaruar Kraja, duke shtuar se marrëveshja ishte mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Shqiërisë, Edi Rama.

E për këmbënguljen e Edi Ramës për “Ballkanin e Hapur” dhe qasjen e tij pro Serbisë, për gazetën “Bota sot” ka folur publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu.

Image
Rexhep Shahu

“Hetimin e kësaj çështje e bën vetëm koha dhe historia, sot është festival fjalësh e akuzash, festival shpifjesh e të vërtetash. Edi Rama thuhet se ka qenë pro ndarjes së Kosovës, por ne kaq dimë, thuhet. Qëllimet e Ramës në politikë duket se janë që ai të njihet e të shpallet e të kujtohet si politikani i parë shqiptar që shkriu akujt me Serbinë, si politikani i parë që është për pajtim e paqe, por që ndonjëherë e ndez retoriken edhe ai”, thotë Shahu.

Sipas tij, për t’i arritur synimet e tij, Edi Rama cenoi Kosovën dhe liderët shtetëror të saj.

“Rama për të arrite synimet e tij për tu bërë poli shqiptar me Serbinë, e cenoi Kosovën, cenoi liderët e Kosovës dhe u duk se ai guxon të flasë edhe për Kosovën. Kjo ishte e dënueshme nga opinioni kudo. Rama ka treguar butësi, lojalitet, ëmbëlsi për serbët, gjë e pa njohur më parë nga politika shqiptare. Po ndërkohë ai nuk u diktua nuk u imponua asnjëherë në Serbi për Kosovën”, u shpreh Shahu.

Ai thotë se Edi Rama synon famën dhe historinë, për çka edhe do të dështojë.

“U bien dajreve se ai tha ne Beograd se Kosova është e pavarur gjë të cilën serbët e dinin para Rames sepse nuk e kishin Kosovën nën hyqem. Rama fiton famë, lavdi, vend në histori, ky është synimi i tij, por me gjithë përpjekjet e tij të pafundme ai nuk bën vend në histori, nuk e fut dot gjurin në sofrën e historisë që të thuhet psh siç thuhet Koha e Zogut, koha e Enverit, koha e Berishës, të thuhet koha e Ramës. Kjo nuk arriti të ndodhë”, deklaron Shahu.

Më tej, Shahu kritikon ashpër Ramën, për të cilin thotë se është shndërruar në servil të Beogradit.

“Kjo është dëshpërimi i Ramës. Rama, Vuçiqi dhe Thaçi pretenduan të jenë djemtë e rij të Ballkanit, të Evropës juglindore që ndryshojnë historinë. Rama e ka tepruar me një lloj servilosje ndaj serbëve, mendoj se e ka tepruar dhe e ka ulë veten duke dhënë çelësin e Tiranës njërit e duke i shkruar letra dashurie tjetrit e duke takuar si te dashur aq shpesh Vuçiqin. Rama mbështetet nga ndokush në Amerikë sepse ai nuk duket aq trim që të veprojë siç vepron edhe me Ballkanin e hapur”, thekson Shahu.

“Mendoj se Rama nuk i di mirë punët e Serbisë, kurthet e Serbisë e cila vuan marrjen e Kosovës dhe nuk është politikisht në gjendje të nise marrëdhënie të re me shqiptarët me politikanë të vjetër si Vuçiq. Rama synon vetëm historinë e lavdinë”, përfundon për “Bota sot”, publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat