Haradinaj në kundërshtim me veten/ Analistët e kritikojnë ashpër

Politika

Haradinaj në kundërshtim me veten/ Analistët e kritikojnë ashpër

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 14 prill 2022 Në ora: 22:22
Ramush Haradinaj

Të mërkurën Qeveria e Kosovës miratoi pakon e re ekonomike, ku do të ndahen nga 100 euro për zyrtarët publikë, privat, pensionistët dhe studentët.

Shuma nuk vlen për të punësuarit që kanë pagë mbi 1 mijë euro e nga kjo nuk përfitojnë as zyrtarët e Qeverisë.

Por kjo pako u kritikua nga partitë opozitare dhe analistët e ekspertët e ekonomisë.

Ndërsa, AAK-ja ka thënë se ndarja nga 100 euro nuk e zgjidh problemin e qytetarëve të Kosovës.

Lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj ka thënë se ndihma prej 100 eurove është shumë e vogël, për ta fshehur dështimin e qeverisë së tij për zhvillim ekonomik.

“Qeveria duhet të veprojë si qeveri e shtetit. Qytetarët kanë nevojë edhe për 1 euro, por nuk zgjidhet asnjë problem me masat që zgjasin vetëm një muaj. Është shumë e vogël shuma prej 100 euro që Albin Kurti të fshihet pas paaftësisë së tij për të rishikuar buxhetin që do të mundësonte zgjidhje të krizës financiare qytetare. Kjo shumë është e vogël që Kurti ta fshehë dështimin e tij, mungesën e rritjes ekonomike dhe rritjen e pagave për të gjithë”, ka thënë Haradinaj.

Sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës, tremujori i parë (TM1) i këtij viti ka shënuar rritje prej 17 % krahasuar me TM1 e vitit të kaluar, argument që flet për rritje ekonomike.

Por, AAK-ja që tani po e kundërshton ndarjen e nga 100 eurove për qytetarët, e kishte propozuar një ide të tillë dy vite më parë, e edhe së fundmi ka kërkuar që shuma e tillë të ndahet vetëm për zyrtarët publikë.

Bytyçi: Pakoja e Qeverisë, gjest bujar

Lidhur me këtë, profesori Enver Bytyçi thotë për gazetën “Bota sot” se ndarja e këtyre parave nga Qeveria duhet parë si gjest bujar dhe nuk e sheh si sadaka.

Image
Enver Bytyqi

“Ndarja e 100 eurove si ndihmë për të kapërcyer krizën për punëtorët privatë e shtetërorë, për pensionistët, studentët e kategori tjera të caktuara në Kosovë duket si gjest bujar i qeverisë Kurti. Në një farë mënyre është i tillë. Unë nuk i mbështes ata që e konsiderojnë këtë si sadaka, si ndihmë për bajram etj. Por, kjo ndihmë më ngjan me një veprim të një shoqate humanitare dhe të një qeverie serioze. Qeveritë serioze operojnë me programe dhe projekte zhvillimi, me rritje pagash e pensionesh, me qëllim nxitjen e prodhimit e të konsumit. Njëqind euro nuk janë pak si ndihmë, aq më tepër se nga ato mund të përfitojnë 800 mijë veta”, thotë ai.

Por, ai thotë se do të mund të përdorej në një mënyrë tjetër për të përballuar krizat.

“Megjithatë kjo shumë mund të përdorej në një mënyrë tjetër për të përballuar krizat. Prandaj jam kritik. Por askush nuk mund ta qortojë qeverinë pse ndihmon qytetarët e Kosovës me njëqind euro në muaj. Edi Rama u ça duke u mburrur se u dha nja 23 euro nja 50-60 mijë pensionistëve, të cilët e kanë pensionin nën 130 euro. E jo të mos mburret Albini, i cili u jep 12 fish më shumë njerëzve dhe 3 fish më shumë si sasi”, është shprehur profesori.

“Haradinaj bie në kundërshtim me veten”

Bytyçi pajtohet se 100 euro nuk e zgjidhin krizën por thekson se Haradinaj bie në kundërshtim me veten, derisa ishte i pari që kërkoi që të ndahen para për qytetarët.

“AAK dhe opozitarë të tjerë thonë se këto 100 euro nuk e zgjidhin problemin. Kjo është e vërtetë. Por zoti Haradinaj bie në konflikt me pohimet e veta, sepse ishte i pari që i ka bërë thirrje qeverisë të japë këtë shumë parash për qytetarët e Kosovës. Unë them se problemin nuk e zgjidhin as 500 euro, sepse jeta nuk është një muaj e pak më shumë se kaq. Jeta është e gjatë dhe me kriza të tmerrshme. Ndërkohë kur Haradinaj dhe opozitarë të tjerë thonë se me këtë shumë nuk zgjidhet problemi, ata duhet të ballafaqojnë veten me atë që kanë bërë vetë për rritjen e mirëqenies në kushte normale në Kosovë”, vlerëson Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se askush nuk ka pritur që qeveria Kurti ta sjellë parajsën në tokë për 14 muaj, derisa përmend rritjen e pagës minimale që thotë se nuk ishte rritur deri tani.

“Opinioni publik në Kosovë e jo vetëm nuk kanë pritur që qeveria Kurti dhe institucionet që dolën nga zgjedhjet e para 14 muajve do të sillnin parajsën në kaq pak kohë. Aq më tepër në kushtet e pandemisë dhe të krizave që bota po përjeton për shkak të luftës në Ukrainë. Megjithatë mendoj se ndryshimet janë të mëdha. Buxheti i shtetit është rritur si kurrë ndonjëherë më parë. Këto ditë u vendos niveli i pagës më të ulët në sektorin shtetëror e atë privat. Kjo pagë u rrit me 30-40 për qind, krahasuar sa ishte më parë. Me rëndësi është që të mos lejohen kompanitë të abuzojnë dhe të luajnë me dy balance sa i përket pagesave të punëmarrësve, siç ndodh në Shqipëri”, thotë Bytyçi.

“Për punën në ekonomi e financa dallohet qeveria Hoti dhe qeveria Kurti”

Profesori si qeveri të mirë në ekonomi e financa përmend qeverinë Hoti dhe tani qeverinë Kurti, teksa kritikon qeverinë Haradinaj, qeverinë e Thaçit dhe atë të Mustafës.

“Nga të gjitha qeveritë e mëparshme, unë dalloj se profesionalisht punoi në ekonomi e financa mjaft mirë qeveria e Avdullah Hotit. Por, e tillë duket të jetë edhe qeveria Kurti. Ndërsa, qeverisja e zotit Haradinaj, i cili përpiqet të japë mend për menaxhimin e ekonomisë dhe financave të shtetit sot, ka drejtuar si të ishte një qeveri pa kurrfarë profesionalizmi dhe përgjegjësie. Abuzimet e qeverisë Thaçi e Haradinaj janë të njohura tashmë. Deri diku edhe ato të Isa Mustafës. Qeveria Kurti së paku deri tani nuk ka asnjë rast flagrant të abuzimit me taksat e qytetarëve dhe ka mundur të ndihmojë në kohë krize biznesin dhe qytetarët e vet. Mënyra sesi e ka dëshmuar e dhënë këtë ndihmë mund të jetë e kritikueshme, por jo dhe fryma e predispozicioni për të qenë pranë qytetarëve në kohë krize”, potencoi ai.

Bytyçi thotë se qeveria Haradinaj nuk mund të krahasohet me atë të Kurtit, por që sipas tij, kjo e fundit duhet të jetë më kreative për menaxhimin e pasurive publike të Kosovës.

“Nëse bëjmë pra një ballafaqim të asaj që ishte në periudhën e qeverisjes së zotit Haradinaj dhe asaj që ndodh sot me menaxhimin e pasurive publike në Kosovë, duhet ditur se nuk ka të krahasuar. Por unë mendoj se qeveria Kurti duhet të jetë më kreative, të ndërmarrë reforma më thelbësore në ekonomi dhe të kërkojë përgjegjësi edhe për menaxhimin e të ardhurave dhe shpenzimeve nga ana e pushtetit lokal, komunave. Kosova ka shumë rezerva të pashfrytëzuara, ka pasuri pa fund. Ndaj edhe qeveria duhet të nxitë investimet e huaja. Duhet të shohë se çfarë mund e duhet ofruar për këto investime, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit. Reformat dhe investimet e ngrenë nivelin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Nuk janë ndihmat me 100 apo 200 euro ato që zgjidhin problemet e qytetarëve”, përfundon profesori Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Shahu: AAK-ja është opozitë andaj bën kritika

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve aktuale dhe politike, Rexhep Shahu, duke folur për këtë temë, thotë se AAK-ja është opozitë dhe bën kritika, derisa shton se është për lëvdatë çdo cent që ndahet për të gjithë qytetarët.

Image
Rexhep Shahu

“AAK-ja opozitë do të bëjë, kritika do të bëjë, edhe ajo që ishte e bardhë për të në pozitë, është e zezë në opozitë. Nëse AAK-ja si opozitë do e kundërshtonte ndryshe që 100 euro barabar për këdo është e padrejtë sepse nuk janë të barabartë njerëzit sot si në komunizëm. Kështu do të pranohej kundërshtimi se nuk mund të jetë i barabartë një pensionist pa asnjë të ardhur tjetër ose një student ose një i papunë nuk mund të jetë i barabartë me një të punësuar. Por, në demokraci opozita ka luksin e qortimit dhe kritikave. Çdo cent që shteti ua jep qytetarëve është për lëvdate nëse ua jep të gjithëve”, ka deklaruar Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat