Serbia dhe Rusia po tentojnë ta destabilizojnë Kosovën me sulme terroriste

Politika

Serbia dhe Rusia po tentojnë ta destabilizojnë Kosovën me sulme terroriste

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 15 prill 2022 Në ora: 19:45
Pamje nga vendi i ngjarjes ku u sulmua Policia

Nën orkestrimin e shërbimeve të sigurisë të shtetit fqinjë Serbisë gjatë ditës së sotme rreth orës 07:40 të mëngjesit janë sulmuar me armë zjarri për herë të dytë dhe granata dore policët e Kosovës, ndërsa ishin në lëvizje, në pjesën veriore, përcjell “Bota sot”.

Kjo ngjarje ka nxitur reagime të ashpra, nga institucionet e Kosovës dhe nga prania ndërkombëtare, si ambasada e SHBA-ve, Zyra e BE-së, KFOR-i, OSBE-ja etj.

Në takim me media ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, bën të ditur se policia e Kosovës u sulmuan nga serbët me granatë dore dhe Ak-47 me qëllim që t’ua pamundësojnë punën policisë në veri të vendit.

“Sot rreth orës 7 e 40 ka ndodhur një sulm ndaj policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë duke shkuar për realizuar ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe Ak-47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Sveçla për media.

Ndërsa drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se fal fleksibilitetit të policëve dhe automjeteve të blinduara s’ka pasur të lënduar.

Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, në tri ditët e fundit policia e Kosovës ka qenë e sulmuar katër here.

Reagimi i kryeministrit Kurti

Rreth mesditës kanë reguar presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, duke e cilësuar si përpjekje për destabilizim të Kosovës nga Serbia.

Presidentja e vendit e ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të këtij sulmi.

Kryeministrit Kurti është shprehur që kanë identifikuar burimet dhe e kanë identifikuar sulmin e djeshëm si të ardhur nga Serbia, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në tviter.

Po ashtu Kurti ka thënë se këto sulme janë kryer me breshëri plumbash dhe një granatë dore në drejtim të Policisë së Kosovës.

Bajqinovci: Sulmet e serbëve në veri të Kosovës, janë sulme terroriste

Image
Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci

Në lidhje me këtë temë “Bota sot”, ka kontaktuar me deputetin nga radhët e VV, Mefail Bajqinovci, i cili sulmin e serbëve e ka quajtur sulm terrorist.

Sipas tij institucionet e sigurisë do ta kenë vëmendjen edhe më të shtuar në pjesën veriore pasi Vuçiqi dhe pjesa që ka ndikim nga Rusia po tentojnë ta destabilizojnë vendin tonë.

“Ky është sulm terrorist sepse vendosja e atyre iriqëve në asfalt për të dëmtuar automjetet, hedhja e granatës në drejtim të automjetit dhe gjuajtja me kallashanikov në institucionet e sigurisë nuk ka tjetër emër përveç sulm terrorist. Prandaj, unë mendoj që institucionet e sigurisë do ta kenë vëmendjen edhe më të shtuar në pjesën veriore pasi që strukturat paralele, pra të Vuçiqit dhe pjesa që ka ndikim, pra e Rusisë po tenton me çdo kusht ta destabilizoj vendin tonë duke bërë destabilizim përmes aksioneve, duke i goditur institucionet e sigurisë e në këtë rast policinë e Kosovës”, u shpreh deputeti.

Bajqinovci më tej thotë se Serbia dhe Rusia po tentojnë ta destabilizojnë Kosovën nëpërmjet shërbimeve të tyre, mirëpo qeveria e vendit është duke e monitoruar situatën dhe nuk do të lejojë që të del situata nga kontrolli.

“Policia jonë afër tri ditë rresht është duke u përballur me sulme të njëpasnjëshme nga këta ekstremistë dhe terroristë, të cilët e kanë goditur Policinë e Kosovës deri me kallashnikov dhe me granata të dorës. Serbia dhe Rusia po tentojnë të destabilizojnë Kosovën përmes shërbimeve të tyre, por nuk do të arrijnë dhe besoj që Qeveria e Kosovës tash i ka marrë të gjitha masat dhe nuk do i lë asgjë rastit dhe institucionet me siguri janë duke e monitoruar situatën se çka është duke ndodhur në veri dhe ka edhe forca edhe kapacitete policia e Kosovës që ta kapërcej këtë situatë, e cila është e krijuar ditëve të fundit”, u shpreh Bajqinovci për “Bota sot”.

Shala: Institucionet e vendit të kërkojnë ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare për ta mbrojtur vendin

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në lidhje me këtë temë u shpreh se veprimi i këtij grupi në veri të vendit është tregues që në atë pjesë të vendit ka hapësirë të involvohen grupet e interesit nga bota e krimit.

“Veprimi i këtij grupi është tregues që veriu i vendit është një oazë ku ka hapësirë të involvohen grupet e interesit nga bota e krimit, por edhe shteti e që në rastin konkret shihet që ky veprim është i motivuar dhe përkrahur nga Beogradi zyrtar”, thotë ai.

Institucionet e vendit duhet që sa më parë të ndërmarrin veprime konkrete edhe me bashkësinë ndërkombëtare për të ofruar siguri për qytetarët, shton tutje eksperti.

“Renditja e sulmeve të njëpasnjëshme po tregon që siguria në atë pjesë është fragjile dhe institucionet e vendit duhet që sa më parë të ndërmarrin veprime konkrete edhe me bashkësinë ndërkombëtarë për të ofruar siguri për qytetarët, por edhe të merren veprimet për të garantuar mbarëvajtjen e punëve të institucioneve”, thotë Shala.

Ndër të tjera ai nënvizon që këto sulme po tregojnë që mund të veprojnë edhe personat që kanë të kaluar ushtarake apo të sigurisë.

“Në sulmet janë përdorur mjetet luftarake dhe kjo po tregon që aty mund të veprojnë edhe personat që kanë të kaluar ushtarake apo të sigurisë”, foli Shala për “Bota sot”.

Kelmendi: Serbia po përgatitet për agresion ndaj Kosovës

Image
Profesori Muhamet Kelmendi

Ndërsa profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që kjo situatë e krijuar në veri të Kosovës vjen si pasojë e aksioneve nga policia e Kosovës dhe ata që kanë vepruar janë çetnikët serb.

“Është e kapshme se në Kosovë po krijohet një gjendje e luftës dhe që krijon situatë për konfrontim ushtarak me Serbinë. Aksionet në Kosovë nuk kanë mundësi që të kryhen nga ndokush tjetër, përveç nga çetnikët serb dhe shteti serb. Pra, forcat më të interesuara për këtë janë forcat çetnike serbe, të udhëhequra nga Beogradi. Tamam si në Ukrainën Lindore që vepruan rusët me separatistët rus, mendohet të veprohet nga Serbia në Kosovën veriore dhe nëpër komunat tjera serbe e më gjerë”, theksoi profesori.

Nga ana tjetër ai shton se Serbia po mendon se është koha e përshtatshme për të vepruar ushtarakisht.

“Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë aktet e para kriminale dhe terroriste që kanë për qëllim krijimin e gjendjes së rëndë dhe të hapjes së rrugës për agresionin serb. Serbia po mendon se është koha e përshtatshme për të vepruar ushtarakisht. Forcat kriminale serbe në veri dhe nëpër komunat serbe janë organizuar dhe armatosur. Priten aksione edhe më të rënda. Natyrisht se Policia e Kosovës, KFOR-i dhe FSK-ja kërkohet të veprojnë dhe të shtrijnë prezencën e tyre kudo në Kosovë”, potencoi ai.

Profesori apelon organet e rendit të marrin masa në mënyrë që të ndalohet agresioni nga serbët.

“Nuk duhet lejuar aksione kriminale. Nuk kërkohet hamendje. Organet duhet të veprojnë kundër kujtdo që rrezikon rendin dhe qetësinë në Republikë. Pra, rreziku është nga Serbia dhe kriminelët çetnikë serb në Kosovë. Këtej priten aksione terroriste, deri edhe agresion ushtarak serb në Kosovë. Këtë duhet të di Kosova dhe të përgatitemi për gjendje lufte”, foli Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat