Gjeneral Qehaja: Pse KFOR-i nuk pati informacione për sulmet në veri? Rusët në aksion - ja çka po synohet

Politika

Gjeneral Qehaja: Pse KFOR-i nuk pati informacione për sulmet në veri? Rusët në aksion - ja çka po synohet

Nga: A.ZH Më: 15 prill 2022 Në ora: 22:12
Gjenerali Ramadan Qehaja

Njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, gjeneral Ramadan Qehaja, ka thënë se Kosova nuk ka arritur t’i eliminojë strukturat paralele në veri të Kosovës, përkundër tentativave. Duke komentuar për sulmet e dy-tri ditëve të fundit ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës, në veri të vendit, Qehaja ka thënë se nuk e di se sa hapa kanë ndërmarr institucionet e Kosovës për t’iu kundërvënë sulmeve të tilla.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, gjeneral Qehaja ka theksuar se në veri të Kosovës veprojnë ushtarakë serbë, të kamufluar si civilë.

“Unë nuk kam informacione të sakta dhe të sigurta lidhur me këtë, por në bazë të disa shkrimeve dhe të bisedave me disa njerëz, po shoh që vërtetë është kanë ndodhur sulme. Këto sulme, kanë ndodhur këto dy-tri ditët e fundit, në mënyrë të pandërprerë. Por, nëse kemi ndërmarr hapa të duhur për t’iu kundërvënë kësaj situate, unë nuk e di, sepse nuk jam në ngjarje. Por, si njohës i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, me një bagazh mjaft të madh në këtë drejtim, do të thosha diçka që është momenti ta them troç: që atje, përkundër tentativës që ne si shtet t’i eliminojmë strukturat paralele, nuk kemi arritur ta bëjmë këtë dhe unë jam i prirë të mendoj se në atë pjesë të territorit tonë, ekzistojnë ushtarakë të kamufluar në brendi të territorit tonë, ata janë civilë, kryejnë gjoja se detyra të tjera, por në fakt ata janë njerëz që janë ushtarakë profesionistë”, ka deklaruar eksperti i çështjeve të sigurisë.

Image
Pamje nga sulmi ndaj policëve të Kosovës

Pos, ushtarakëve të kamufluar, sipas Qehajës në veri të Kosovës vepron edhe Shërbimi sekret serb.

“Aty (veri) vepron edhe Shërbimi sekret serb, BIA, njerëz të cilët në vazhdimësi punojnë atje dhe e dinë çdo detaj çka ne duam të bëjmë dhe kanë informacione të sakta për veprimet apo mosveprimet tona në përgjithësi”, ka theksuar më tej ushtaraku.

Ai përmend edhe rusët, në bazën informative në Nish, qëllimi i të cilëve, sipas Qehajës është destabilizimi i Ballkanit, në veçanti Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës. Sipas tij, ata tani janë në aksion, bashkë me strukturat paralele.

“Unë, kujtoj poashtu që në kohët e fundit, është bërë një ashtu të shprehem, një veprim me disa rusë, të cilët janë siç e dini edhe ju në një bazë informative në Nish, dhe ata me të madhe janë duke punuar në destabilizimin e rajonit dhe Ballkanit Perëndimor, në veçanti ndaj Kosovës, ndaj Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës. Do të thotë, këta njerëz janë tash në aksion, në bashkëveprim me këto struktura paralele, të cilat ekzistojnë atje”, ka thënë Ramadan Qehaja për “Bota sot”.

Eksperti i sigurisë ka thënë se në veri të Kosovës po lulëzojnë edhe lëmi tjera, por askush nuk po merret me këtë temë.

Image
Pamje nga sulmi ndaj policëve të Kosovës

“Janë edhe struktura tjera paralele atje, për të cilat unë nuk dua të flas, sepse janë lëmi tjera, për shembull ndërtimtaria serbe po lulëzon atje dhe askush nuk po ndërmerr asnjë masë, që kjo të mos ndodhë, po e jap vetëm si shembull këtë”, është shprehur ai.

Ai propozon që institucionet e Kosovës të verifikojnë çdo person që bart uniformën e Policisë së Kosovës në këtë pjesë të vendit. Qehaja vlerëson se kjo pjesë po kontrollohet shumë pak.

“Sa kemi arritur ne që të bëjmë identifikimin e njerëzve, policëve në atë pjesë të territorit tonë se kush janë ata dhe sa janë në gjendje t’i kryejnë detyrat, nuk është keq që ne ta shqyrtojmë çdo person që është në uniformë të Policisë atje, qoftë në kufi, apo qoftë në brendi të pjesës veriore të Kosovës. Nuk kemi arritur që të bëjmë një kontroll më të theksuar të asaj pjese dhe unë mendoj se shumë pak po kontrollohet ajo pjesë. Duhet të bëhet një studim i posaçëm lidhur me këtë”, ka thënë më tej Ramadan Qehaja për gazetën.

Image
Pamje nga sulmi ndaj policëve të Kosovës

Teksa ka zbuluar informacionin se KFOR-i një herë në muaj takohet me krerë të ushtrisë serbe për analiza të situatës së sigurisë, Qehaja pyet se si KFOR-i nuk pati informacione për sulmet e fundit që u bënë ndaj policëve të Kosovës. Ai vlerëson se janë edhe nën përgjegjësinë e KFOR-it sulmet e  ditëve të fundit në veri të Kosovës.

“Shtrohet pyetja për mua, posaçërisht, se çka bën KFOR-i atje, apo njësitet e NATO-s, ne kemi diku 3500-4000 njerëz që qëndrojnë këtu në Kosovë. Sipas informatave që unë i kam dhe janë të sakta, një herë në muaj e nganjëherë edhe më shpesh, bëhen takimet në mes të njësive apo udhëheqësisë së KFOR-it dhe krerëve të ushtrisë serbe, qoftë në territorin serb, qoftë që ata të vijnë këtu në KFOR dhe të bëjnë analiza aty për aty se çfarë është situata e sigurisë. Shtrohet pyetja se pse KFOR-i nuk ka informacione lidhur me këtë dhe çka KFOR-i ndërmerr që kjo situatë të mos ndodhë? Mirëpo, sikurse po e shihni edhe ju, kjo ndodhi! Kjo do të thotë që, unë po mendoj ashtu se është edhe përgjegjësia e tyre, jo vetëm e jona”, ka shtuar Ramadan Qehaja.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se tashmë është identifikuar se sulmi erdhi nga Serbia. “Burimet tona e kanë identifikuar sulmin e djeshëm si të ardhur nga Serbia”, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat