Kurti kërkon anëtarësimin në BE, ekonomisti austriak i tregon se kur mund të anëtarësohet Kosova

Politika

Kurti kërkon anëtarësimin në BE, ekonomisti austriak i tregon se kur mund të anëtarësohet Kosova

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 16 prill 2022 Në ora: 12:48
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kanë filluar përgatitjet për aplikim në organizata ndërkombëtare, sivjet do të aplikojmë për anëtarësim në BE.

Sa qëndron kjo që Kosova të mund të anëtarësohet në BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare?

Lidhur me këtë ҫështje, ‘Bota sot’ ka pyetur ekonomistin dhe njohësin e ҫështjeve politike nga Austria, Gunther Fehlinger.

Gunther Fehlinger: Kosova të aplikoj sa më shpejtë, shkak lufta në Ukrainë

Image
Gunther Fehlinger

Ai thotë se, për shkak të situatës në Ukrainë, është më mirë të bëhet më herët aplikimi, ndërsa vitin 2029 e sheh si të mundshëm për anëtarësim në BE.

“Është më mirë të bëhet më shpejtë për shkak të luftës në Ukrainë. Mendoj se viti 2029 është i mundshëm për anëtarësimin e Kosovës në BE”, thotë austriaku Gunther Fehlinger.

Lidhur me këtë deklarim të kryeministrit Kurtit, gazeta ka kontaktuar edhe deputetë nga pozita, mirëpo të njëjtit nuk e kanë komentuar këtë ҫështje.

Musliu-Shoshi: Kosova është portretizuar si vend i krimit dhe korrupsionit nga vetë institucionet e saj

Image
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi

 

Ndërkaq, deputetja e opozitës, Ariana Musliu Shoshi nga PDK-ja, duke folur për qeverisjen aktuale thotë se nëse ka një sukses të kësaj qeverie që secili nga ne do t’i gëzohej, është suksesi në politikën e jashtme. Fatkeqësisht në qeverisjen Kurti 2, si shtet kemi përjetuar degradim e zhgënjim.

“Duhet të kuptojmë që Kosova është një shtet shumë i vogël në hartën e politikës botërore, pa fuqi politike, ekonomike dhe ushtarake dhe çelësi i vetëm i suksesit është bashkëpunimi dhe koordinimi me partnerët tanë strategjik në veçanti SHBA-të dhe shtetet tjera të Kuintit”, vlerëson ajo.

Deputetja e PDK-së thotë më tutje se, përfaqësuesit kushtetues të politikës së jashtme, Presidentja, Kryeministri dhe ministrja e Punëve të Jashtme fillojnë mandatin e tyre duke e kritikuar qeverisjen e mëparshme, edhe në paraqitje në forume ndërkombëtare.

“Por e vërteta për progresin e shtetndërtimit të Kosovës është pasqyruar në fjalën e përfaqësuesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkëlqesisë së tij ambasadorit Jeff Hovenir, i cili thoshte: “në këto 13 vjet Kosova ka arritur diçka të jashtëzakonshme: një demokraci të aftë dhe të suksesshme me një ekonomi që mbështet mirëqenien për të gjithë kosovarët.” Po në këto 13 vjet shtet përfaqësuesit tanë kanë shkëmbyer vizita me personalitetet më të larta botërore, kemi arritur të anëtarësohemi në disa organizata ndërkombëtare e të kemi 117 njohje nga shtetet më të fuqishme botërore, të thellojmë besimin me aleatët tanë, e të krijojmë aleanca të reja. Ku jemi sot? Përfaqësuesit tanë nuk kanë arritur as për së largmi ta takojnë mikun tonë të madh, Presidentin e SHBA-ve, Joe Biden”, thotë ajo.

Anëtarja e Komisionit për punë të jashtme, u tregua shumë kritike ndaj kësaj qeverisje e sidomos politikës së jashtme, duke e quajtur atë me korrespodencë.

“Nuk kanë arritur të kenë asnjë njohje, asnjë kërkesë për anëtarësim, asnjë koordinim me anë të të cilit Kosova do të përparonte në subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Pra, kemi një qeveri që në përfaqësimin e saj nuk pasqyron, as parime, as prioritete e as iniciativa. Shkurt, kemi politikë të jashtme me korrespodencë”, thekson deputetja Musliu-Shoshi.

Gjatë qeverisjes njëvjeçare ku janë shënuar disa operacione të mëdha hetimit kundër krimit të organizuar, është rritur ekonomia, është krijuar fond për mbrojtje, dhe veç tjerash ka pasur një përfaqësim dinjitoz në institucione dhe shtete të shumta ku është përfaqësuar Kosova nga Presidentja Osmani, Kryeministri Kurti dhe nga ministrja e Jashtme Donika Gërvalla.

Për në muajin maj është paralajmëruar udhëtimi për vizitë zyrtare i Presidentes dhe Kryeministrit për në SHBA.

Njeriu që ajo beson se e përparoi Kosovën, Hashim Thaçi e dëmtoi imazhin e Kosovës, duke dhënë dorëheqje vetëm pak minuta para arrestimit të tij nga gjykata speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat