Grupet kriminale serbe janë alarmuar/ Vjen paralajmërimi pas sulmeve ndaj Policisë në veri – si të veprohet

Politika

Grupet kriminale serbe janë alarmuar/ Vjen paralajmërimi pas sulmeve ndaj Policisë në veri – si të veprohet

Armira Shaqiri  Nga Armira Shaqiri  Më 17 prill 2022 Në ora: 08:42
Të shtunën, Policia kufitare është sulmuar më këtë mjet piroteknikë

Policia e Kosovës ka njoftuar se më 16 prill kanë ndodhur dy shpërthime në Sharpej të Jarinjës, ku gjendet pikëkalimi kufitar midis Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale. 

Ky sulm vjen pas 4 sulmeve që kishin ndodhur për tre ditë me radhë, që nga 13 prilli, ku më i rëndi kishte ndodhur mëngjesit e 15 prillit, ku vetura e policisë ishte sulmuar me armë zjarri të tipit Ak-47, që fatmirësisht nuk ka pasur viktima apo të lënduar.

Krerët e Kosovës, kanë thënë se sulmi i tillë vije nga grupet kriminale serbe. 

Këto sulme ndaj Policisë, kanë nxitur reagime të ashpra, nga institucionet e Kosovës dhe nga ndërkombëtarët, si ambasada e SHBA-ve, Zyra e BE-së, KFOR-i, OSBE-ja, UNMIK-u etj. 

Sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, sulmet e fundit janë kryer nga grupe të caktuara “të mbështetura nga Serbia”. 

“Unë mendoj që qëllimi i Serbisë në këtë moment nuk është të sulmojë Kosovën, por ta destabilizojë Kosovën”, ka thënë ai.

Madje, ministri Sveçla edhe ka vizituar pikat kufitare ku u sulmuan Policia, duke thënë se “përkundër 5 sulmeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur ndaj zyrtarëve policor, puna e tyre po vazhdon me intensitet të njejtë e me vigjilencë të shtuar”. 

Kurse, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se këto veprime janë nga Serbia. 

“Këto veprime të shoqëruara me tentativa dezinformuese synojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë dhe politike në Kosovë”, ka deklaruar presidentja.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se “burimet tona e kanë identifikuar sulmin e djeshëm si të ardhur nga Serbia”. 

Por, derisa sulmet po vazhdojnë, si duhet të veprojë shteti i Kosovës?

Dugolli: Grupet kriminale janë alarmuar, Policia e Kosovës ua ka ngushtuar hapësirat e veprimit duke shtrirë kontrollin gjithandej

Image
Enver Dugolli

Lidhur me këtë, deputeti i VV-së dhe njëherësh anëtar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Enver Dugolli, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se Kosova po bën punën për zbulimin e kryesëve, dhe se grupet kriminale atje janë alarmuar sepse Policia u ka ngushtuar hapësirat e veprimit duke u pamundësuar kontrabanda dhe aktet tjera kriminale. 

“Policia po bën punën në zbulimin e akterëve të këtyre sulmeve kriminale e terroriste të cilat janë drejtuar kundër Policisë së Kosovës e cila po kryen detyrat e veta në zbatim të ligjit. Grupet e ndryshme kriminale të cilat kanë vepruar një kohë të gjatë në veri të Kosovës, tani janë alarmuar sepse Policia e Kosovës ua ka ngushtuar hapësirat e veprimit duke shtrirë kontrollin gjithandej. Janë mbyllur disa rrugë dytësore dhe po vëzhgohen me kujdes lëvizjet në atë pjesë, me çka është pamundësuar kontrabanda dhe aktet tjera kriminale”, ka thënë ai.  

Sipas tij, këto grupe po e shfrytëzojnë territorin e Serbisë për t'u organizuar dhe sulmuar policinë, por që Policia e Kosovës, me ngulm po zbaton ligjin në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të vendit. 

“Këto grupe kriminale po shfrytëzojnë territorin e Serbisë për t'u organizuar dhe sulmuar policinë e Kosovës me qëllimin që të vazhdojnë me aktivitetet e tyre kriminale, mirëpo institucionet ligj-zbatuese të Republikës së Kosovës janë të vendosura në punën e tyre dhe do të vazhdojnë edhe më me ngulm të zbatojnë ligjin në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit për të garantuar për gjithë qytetarët e vendit shtet ligjor të së drejtës. Edhe qytetarët e veriut të Kosovës, sikurse në të gjitha pjesët e vendit duhet të jetojnë të lirë dhe jo nën trysninë e asnjë grupi kriminal”, vlerëson deputeti Dugolli. 

Halimi: Institucionet e sigurisë të rrisin më tepër se kurrë vigjilencën

Kurse, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), ka thënë se mes deklaratave kishe edhe kontradita. 

Sipas tij, ajo pjesë është neglizhuar për dy dekada dhe nuk grupet kriminale dhe terroriste serbe kanë krijuar fole, për ta bërë madje edhe zonë të rrezikshme. 

Image
Armend Halimi

“Lidhur me sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, nga deklarimet zyrtare pati kontradita. Njëherë sulmi i tillë u cilësua si akt i grupeve të kontrabandës, cilësimi tjetër ishte si akt terrorist. E cilësimi i akteve të dhunës zakonisht është i mundur të bëhet vetëm kur zbulohen motivet, e motivet zbulohen kur identifikohen kryerësit. Andaj, edhe pse duke marrë parasysh se ajo zonë është neglizhuar për dy dekada, duke u dhënë mundësinë grupeve kriminale dhe terroriste serbe të krijojnë fole, për rrjedhojë të bëhet zonë e rrezikut, veprimtaria e grupeve kriminale të kontrabandës nuk duhet parë si çudi”, është shprehur ai.

Sipas Halimit, Serbia me qëllim të destabilizimit të Kosovës, mund të kryejë ndonjë sulm ndaj bashkëkombasëve të tyre, krejt këtë për t'ia veshur Kosovës, duke përmendur rastin Panda. 

“Mirëpo, prej kohësh kemi tërhequr vërejtjen se Serbia në pamundësi të një akti agresiv të hapur, tanimë do të sponzorizojë grupet terroriste serbe me qëllim të destabilizimit të vendit, me çka lë të mendohet, se pikërisht këto grupe do të kryejnë ndonjë sulm ndaj bashkëkombasëve të tyre, krejt kjo për t'ia veshur Kosovës. Për këtë nuk është se kemi informata, por mbështetemi tek metodat e tyre, sikurse të rastit Panda. Kështu që, institucionet tona të sigurisë duhet rritur më tepër se kurrë vigjilencën për atë pjesë!”, përfundoi Halimi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat