Veprimtaria e fshehtë e BIA-s në Kosovë, kështu i sponsorizon Rusia grupet kriminale serbe

Politika

Veprimtaria e fshehtë e BIA-s në Kosovë, kështu i sponsorizon Rusia grupet kriminale serbe

Nga: A.M. Më: 17 prill 2022 Në ora: 18:04
Policia e Kosovës në veri

Sërish, ditëve të fundit, veriu i Kosovës ka qenë cak i sulmeve dhe provokimeve të bandave kriminale serbe.  

Kësaj radhe, cak i sulmeve ishin pjesëtarët e Policisë së Kosovës.  

Këto veprime të Serbisë nuk janë befasuese, pasi dihet se që pas përfundimit të luftës dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ajo nuk i ka ndalur provokimet e saj ndaj shtetit të Kosovës.  

Analisti politik, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot” tha se sulmet dhe provokimet e shtetit serb në veri të Kosovës, janë kthyer në përditshmëri.  

Sipas tij, Policia e Kosovës po vazhdon ta kryejë detyrën e saj me përkushtim dhe po arrin ta menaxhojë situatën.    

“Kjo që po ndodhë në veri të vendit, ku policia megjithëse po bënë përpjekje të vazhdueshme të kryej detyrat e saj, për ruajtjen dhe vendosjen rendit e të ligjit edhe në këtë pjesë të territorit të Republikës, nuk ka të bëjë vetëm me situatat para apo pas zgjedhore në Serbi, por tanimë është kthyer në rutinë të përvitshme dhe shndërruar në situatë të "zakonshme", pa fajin e policisë tonë, e cila e ka dëshmuar dhjetëra herë, se është plotësisht në gjendje ta menaxhojë situatën në mënyrë profesionale, ndaj faji është te paaftësia e politikës në vend”, deklaroi ai.  

Image
Analisti politik, Gani Qarri

Krahas kësaj, Qarri tha se pavarësisht se nxitëse të këtyre provokimeve janë Serbia dhe Rusia, për këto tensionime duhet kërkuar fajin te qeveritë që e udhëhoqën Kosovën në 20 vitet e fundit.  

Kjo, pasi që ato asnjëherë nuk u morën seriozisht me aktet rebele dhe terroriste të grupeve kriminale serbe.  

“Dhe pa u futur thellë në detajet e "historisë" se kush është nxitësi, sponsori a mbështetësi, është Rusia apo vet Serbia, ajo që u bënë thirrje këtyre grupeve kriminale që të paktën një deri në disa herë brenda viti, të rebelohen dhe tensionojnë gjendjen në veri, fajet duhet kërkuar pikërisht të qeveritë dhe udhëheqjet politike të Kosovës, të dy dekadave të fundit.   

Këtë e them për vet faktin se përkundër premtimeve pompoze të pas çdo rasti të rebelimit të grupeve kriminale serbe, se organet gjegjëse, do të merren seriozisht me aktet kriminale e terroriste kundër policisë dhe shtetit të Kosovës, asnjëherë deri më tani ,nuk ka ndodhur që të sillen para drejtësisë udhëheqësit e trazirave, barrikaduesit e njohur të rrugëve as prijësit dhe provokuesit publik të ngjarjeve ekscesive në veri, madje jo vetëm të arrestohen, por as të shoqërohen të paktën njëherë, qoftë edhe vetëm për prishjen e rendit dhe të qetësisë, të japin një deklaratë në polici”,  theksoi analisti.    

Veprimtaria e BIA-s serbe në veri, duhet t’i shqetësojë shqiptarët e Kosovës

Në vazhdim, ai përmendi edhe raportin e DASH lidhur me organizatat dhe individët kriminal që veprojnë në veri të Kosovës. 

Qarri beson se nuk është bërë mjaftueshëm për kapjen e kriminelëve që shkaktuan trazira në këtë pjesë të Kosovës.  

“Prandaj duke qenë se, edhe pas shpalljes nga Departamenti i Shtetit Amerikan (DASH), me emra e mbiemra, të individëve dhe grupeve kriminale që veprojnë lirshëm në veri të Kosovës, shteti tash e mbi dy dekada, përveç premtimeve, nuk ka ndërmarrë pothuajse asgjë për kapjen e krimineleve, dënimin e organizatorëve të trazirave dhe sanksionimin ligjor e penal të barrikaduesve publik të rrugëve, madje as të kriminelëve publik, që u zinin prita e kundërviheshin hapur forcave të rendit dhe sulmonin edhe me armë të gjata policinë e Kosovës duke plagosë me plumba disa prej tyre, gjatë kryerjes së detyrave rutinore, shteti nuk mund të ruhet as të mbahet, vetëm me deklarata dhe duke kërkuar të gjejë apo shpallë vetëm fajtorët e jashtëm, përderisa nuk ndërmerr asnjë hap konkret për kapjen dhe paaftësimin e kriminelëve dhe grupeve të rrezikshme ekstremiste, brenda vet territorit të Kosovës”, vlerësoi Qarri.  

Më tej, analisti tha se një nga gjërat që duhet t’i shqetësojë qytetarët e Kosovës, është fakti se BIA serbe edhe pas lufte, nuk e ka ndërprerë asnjëherë aktivitetin e saj në vendit tonë.  

“Kështu që, megjithëse, në gjendjen aktuale të zhvillimit të luftimeve okupuese të Rusisë në Ukrainë, është shumë e lehtë të spekulohet në të gjitha mënyrat se nxitëse e kriminelëve serb për aktet më të reja kriminale dhe sulmimin e forcave të Policisë së Kosovës, në veri, është Rusia apo Serbia, kjo gjë dihet që moti dhe është plotësisht e vërtetë, sepse ne vet jemi dëshmitar, që akte të tilla kanë ndodhur në vazhdimësi tash e sa kohë, të cilat po ashtu, edhe në të kaluarën ishin të nxitura e të sponsorizuara nga agjencitë e fshehta të Serbisë e të Rusisë.  

Por ajo që duhet t’i brengosë shumë qytetarët e Kosovës, është fakti se BIA, serbe edhe pas lufte, nuk e ka ndërprerë asnjëherë aktivitetin e saj kundër shtetësisë dhe tërësisë territoriale të vendit tonë, madje ajo vepron hapur, jo vetëm në veri, por në gjithë territorin e Kosovës dhe siç dihet tanimë publikisht, BIA-serbe ka bashkëpunëtor shqipfolës, në të gjitha partitë tona”, shpjegoi ai.      

Në fund, Qarri kërkoi urgjentisht nga institucionet e vendit që t’i eliminojnë kriminelët dhe grupet kriminale që veprojnë brenda territorit të Kosovës, dhe jo si në të kaluarën që i liroi të akuzuarit, siç është rasti i Milan Radojçiq.  

“Prandaj unë mbetem me bindjen, se shteti pikësëpari duhet ta pastrojë oborrin e vet, t’i eliminojë kriminelët individual dhe grupet ekstremiste, para se të përpiqet ti mbulojë paaftësitë për vënien e rendit e të ligjit dhe shtrirjen e shtetësisë në gjithë territorin e vet, me gjetjen e fajtorëve, mbështetësve dhe sponsorizuesve të afërt e të largët, jashtë kufijve të vendit, nga Serbia deri në Rusi, të cilët edhe në të ardhmen do të mbeten kundërshtar të shtetësisë dhe mbarëvajtjes së Republikës së Kosovës dhe jo ti lirojë vet nga aktakuza, siç ndodhi me Milan Radojçiqin i cili bashkë me kryekriminelin e veriut Zvonko Veselinoviqin, mund të jenë organizatorët dhe projektuesit edhe të sulmeve të fundit ndaj forcave të policisë së Kosovës, që tani kanë filluar edhe nga afërsia e territorit të Serbisë”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat