Federalizmi i Serbisë? / Cila është zgjidhja më e mirë për shqiptarët

Politika

Federalizmi i Serbisë? / Cila është zgjidhja më e mirë për shqiptarët

Arife Morina Nga Arife Morina Më 17 prill 2022 Në ora: 21:18
Foto ilustrim

Shqiptarët në Serbi vazhdojnë ende të jenë të shtypur nga pushteti serb, i cili ia mohon shumë të drejta esenciale, dhe po i mban të izoluar në varfëri, me qëllim të zbrazjes së asaj pjese.

Ndonëse jetojmë në një botë demokratike, ku liria dhe barazia janë të drejta themelore të njeriut, qeveria e Vuçiqit vazhdon t’ia mohoj pakicave që jetojnë në shtetin e tij.

Së fundi, eksperti austriak, Gunther Fehlinger po e afrmon idenë për federalizmin e Serbisë, njësoj siç është Austria.

Ku kësisoj, shqiptarët e rajonit të Pqinjit me qendër Vrajën, do të kishin të drejta si shqiptarët në Maqedoni apo pakicat në Austri.

Unë i bëj thirrje Serbisë që ta transformojë Serbinë në një shtet federal evropian të ngjashëm si Austria në rajone reale të fuqishme me asamble rajonale dhe guvernatorë. Prandaj shkova në Preshevë. Ne kemi Tirolin dhe Steiermarkun si rajone të fuqishme, njëlloj si Salzburgu dhe po ashtu Serbia duhet të ketë rajone të forta si Sanxhaku, Vovjodina dhe Pçinja. Federalizmi i Austrisë dhe të drejtat e pakicave austriake janë model shumë i mirë për Serbinë evropiane. Kjo është arsyeja pse qindra mijëra serbë jetojnë në Austri dhe janë të suksesshëm në Austri. Vetëm kur shqiptarët, boshnjakët dhe të gjitha pakicat në Serbi të kenë të njëjtat të drejta si minoritetet në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Austri, Serbia do të jetë gati për në BE”, deklaroi Fehlinger.

Mustafi: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë deklaruar në mënyrë plebishitare për autonomi territorial-politike me të drejt bashkimi me Kosovën

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi në prononcimin e tij për “Bota sot” komentoi propozimin e ekspertit austriak për federalizmin e Serbisë.

Image
Ragmi Mustafi

Sipas tij, shqiptarët e Luginës shpeshherë po keqkuptohen, pasi synimi i vetëm i tyre është bashkimi me Kosovën.

“Shpeshherë ndodh që shqiptarët e Luginës së Preshevës të keqkuptohen dhe keqinterpretohen në artikulimin e aspiratave politike.

Që në krye të herës Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë deklaruar në mënyrë plebishitare për autonomi territoriale-politike me të drejtë bashkimi me Kosovën. Realizimi është pjesë e proceseve të ndryshme brenda kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare e sigurisht nuk është për shkak të mungesës së vullnetit e angazhimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Mustafi potencoi se centralizimi institucional në Beograd, ka përjashtuar mundësin e trajtimit të barabartë të minoriteteve.

Në Serbi centralizimi i sistemit shtetëror e institucional (drejtësisë, shëndetësisë, arsimit etj.) ka shkaktuar deintegrimin, përjashtimin e mundësisë së demokratizimit e trajtimit të barabartë të minoriteteve si dhe akomodimin brenda një kuadri që siguron realizimin e potencialit njerëzor duke ruajtur veçantitë e gjithsecilit”, vlerësoi kryetari i KKSH-së në Serbi.

Në vazhdim, ai përmendi disa fakte lidhur me dallimet ndërmjet Sanxhakut dhe Pqinjes, ku njëra ka karakter historiko tradicional, tjetra është ndarje administrative e Rankoviqit.

Edhe pse konsideroj jo vetëm të rëndësishëm decentralizimin në Serbi, por esencial në adoptimin e parimeve dhe vlerave evropiane. Megjithatë, është e papranueshme që rrethet siç është ai Jabllanica apo Pqinja të ngritën në një status juridik tjetër sepse ndarja e tyre është bërë në mënyrë që shumica i është mbivendosur pakicës. Pra, nuk është i njëjtë Sanxhaku dhe Pqinja, përderisa e para ka karakterin historiko tradicional të komunitetit boshnjak, kjo e dyta është ndarje administrative e Rankoviqit, që i janë mbivendos shqiptarëve”, shpjegoi Mustafi.

Ndër të tjera, ai thotë se ideja për federalizimin e Serbisë është e shkëlqyeshme, kjo pasi iu mundëson më shumë barazi dhe drejtësi shqiptarëve të Kosovës Lindore.

Po, federalizmi është ide e shkëlqyer që mundëson avancimin për më shumë demokraci, më shumë liri, më shumë drejtësi e më shumë barazi edhe për komunitetin shqiptar në kuadër të konceptit politik e gjeografik të Luginës së Preshevës që përfshihet komuna e Preshevës, Bujanoci dhe Medvegjës”, përfundoi Ragmi Mustafi për “Bota sot”.

Kelmendi: Organizimi i Serbisë në federatë është i drejtë

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi e përkrahi propozimin e ekspertit austriak.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” thotë se organizimi i shtetit serb në federatë është i drejtë dhe i qëlluar.

Raportet e popujve që jetojnë në Serbi janë krejtësisht ndryshe me gjendjen në Maqedoninë e Veriut, në Austri etj.

Natyrisht se propozimi i z. Günter Feglinger, mbi organizimin e Serbisë në Federatë është i drejtë dhe i qëlluar”, deklaroi profesori.

Sipas Kelmendit, ky organizim do të krijonte barazi shoqërore, kombëtare dhe sociale. Kjo pasi, shteti i Vuçiqit përbëhet nga tri krahina që nuk kanë lidhje mes vete dhe nuk mund të bëhen një republikë.

Serbia përbëhet prej tri krahinave gjeografike që nuk kanë lidhje të qëndrueshme në mes veti për t'u organizuar vetëm një Republike. Propozimi për tri republika, të Sanxhakut, të Pqinje (Serbia qendrore e Republikës) dhe të Vojvodinës, është një organizim që i zgjidh fërkimet e brendshme dhe krijon barazi shoqërore, kombëtare dhe sociale”, vlerësoi ai.

Në fund, profesori thotë se nëse Kosova nuk mund të bashkohet me Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, atëherë duhet të vendoset reciprociteti.

Ku, duhet kërkuar status për shqiptarët e Kosovës lindor si të serbëve në Kosovë.

Në këtë kuadër, çështja shqiptare e Kosovës lindore të pushtuar nga Serbia dhe, ajo e serbëve në Kosovë, shkojnë së bashku, nëse nuk bashkohet ky territor me Kosovën, këtu vjen në pyetje reciprociteti.

Shqiptarët në Kosovën lindore kërkohet të kenë të njëjtin status si serbët në Kosovë.

Historikisht i ka takuar ky territor Kosovës, kjo është zgjidhja më e mirë dhe shumë e drejtë. Nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat