Tereni është i përshtatshëm, shans për diplomacinë e Kosovës!

Politika

Tereni është i përshtatshëm, shans për diplomacinë e Kosovës!

Nga: A.Z Më: 18 prill 2022 Në ora: 13:34
Foto ilustrim

Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret në mënyrë që qytetarët e saj të lëvizin të lirë në zonën Shengen, por që ende nuk ka arritur të realizohet, gjë e cila sipas kryetarit të Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, po cilësohet si padrejtësi.

Murati thotë se pas përmbushjes së kritereve çështja e mosrealizimit të vizave për Kosovën është më shumë produkt i luftës së brendshme të shteteve anëtare të BE-së.

Kosovës në këtë drejtim i bëhet tash e sa vite padrejtësi e madhe dhe padrejtësia është bërë prej kur i është vendosur ai kushti i demarkacionit me Malin e Zi. Përkundër plotësimit të atij kushti me shumë vështirësi siç e dimë të gjithë dhe me një acarim të jashtëzakonshëm të jetës politike në vend dhe ta them asaj institucionale, ne vazhdojmë të mos kemi viza”.

“Duhet ta kemi parasysh, kushtet janë plotësuar me kohë, lufta kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar është një synim i pandalshëm i njerëzimit, jo vetëm i joni, po edhe i shteteve më të zhvilluara.

Çështja e mosrealizimit të vizave për Kosovën është më shumë produkt i luftës së brendshme të shteteve”.

Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, deklaron se çdo qeveri duhet të angazhohet në këtë proces, por sipas tij, me kuadrin e tanishëm nuk do të ketë diçka pozitive.

Ai shtoi se si sukses për Qeverinë po dalin takimet dhe vendimet e Ministrisë, e që sipas Kelmendit, kështu nuk ecet në punë, sepse ai thekson se nuk ka aktivitete me asnjë shtet edhe pse terreni është i përshtatshëm.

Image
Muhamet Kelmendi

“Kryetari i LB-së, z Valon Murati, deklaroi: "Me Francën dhe Holandën kërkohet për liberalizimin e vizave një qasje e veçantë". Natyrisht se i takon Valonit të deklarohet se si e mendon atë. Nuk di se në çfarë qasjeje ka menduar! Punë duhet të bëhet me çdo qeveri, si në UE , ashtu edhe jashtë. I takon Qeverisë të angazhohet. Mirëpo, me kuadrin e tashëm në MPJ nuk priten pozitivitete në raport me shtetet dhe me organizmat ndërkombëtar. I tërë aktiviteti i MPJ është orientuar në largimin e njerëzve nga kjo Ministri dhe nga fusha diplomatike dhe në punësimin e të tjerëve. Për Qeverinë po dalin si sukses takimet, vendimet e qëndrimet e kësaj Ministrie. Deri sa është kështu, nuk ecet në punë. Nuk ka aktivitet as me Francën dhe as me Holandën, sikundër dhe me shtetet e organizmat tjerë. Tash po hyjmë në vitin e dytë të qeverisjes. Shpresohet se pas largimit dhe punësimit të bërë do të angazhohen në punë me shtete dhe me mekanizmat ndërkombëtar. Tereni është i përshtatshëm”, thotë Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat