Nga kush u vra Ali Uka dhe si u zhduk Sadri Ramqaj në banesën njëjtë në Tiranë? Raporti i NATO-s e hidhte fajin tek Hashim Thaçi!

Politika

Nga kush u vra Ali Uka dhe si u zhduk Sadri Ramqaj në banesën njëjtë në Tiranë? Raporti i NATO-s e hidhte fajin tek Hashim Thaçi!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 18 prill 2022 Në ora: 20:11
Foto ilustrim: Xhavit Haliti, Ali Uka dhe Hashim Thaçi

Ishte mëngjesi i hershëm i vitit 1997, kur në banesën e tij është gjetur i masakruar zëdhënësi i parë i UÇK-së, Ali Uka.

Ish gazetari shqiptar që kishte raportuar për zhvillimet në Kosovë, ishte identifikuar si zëdhënës i UÇK-së.

Uka në banesën e tij ishte i gjetur i vrarë, i masakruar dhe fytyra e tij ishte shqyer me kaçavidë dhe me fundin e një shishe të thyer.

Për një kohë, Ali Uka, në shkrimet e tij ishte bërë kritik i Xhavit Halitit, ndërkohë që ishte cimer me Hashim Thaçin dhe Bashkim Thaçin, aso kohe një nga drejtuesit e UÇK-së.

Ata ndanin dhomën së bashku në Tiranë.

Për vrasjen e Ukës, disa dokumente sekrete të NATO-s, ishin botuar në gazetën britanike “The Guardian” që hedhin dyshime se gazetari Uka ishte vrarë për shkak të mosmarrëveshjeve me Xhavit Halitin.

Mirëpo, sipas këtyre dokumenteve hetimet drejtonin fajin kah Hashim Thaçi, i cili ishte arrestuar për t’u liruar më vonë me ndërhyrjen e Xhavit Halitit dhe Shërbimit Sekret të Shqipërisë.

Për vrasjen e kolegut të tij, në tetorin e vitit 2019 në Shqipëri kishte folur Hashim Thaçi.

“Është enigmatike vrasja e Aliut, sepse qëndroi deri në orët e vona me këshilltarë të Berishës dhe në mëngjes u gjet i vdekur nga një i afërm i tij, që u akuzua në Tiranë, por me urdhër të Berishës u lirua shumë shpejt nga burgu, drejt Zvicrës dhe sot e kësaj dite nuk është dënuar”, kishte thënë Hashim Thaçi.

“E njihte edhe personalisht Remzi Hoxhën dhe kishte tentuar të hulumtonte për të publikuar një histori në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e tij”, rrëfen ai.

“Ali Uka në atë kohë përgatiste temën e diplomës, në fund të korrikut 1997, dhe më ka rrëfyer drejtpërdrejt se ai mendonte të përgatiste dhe botonte në ‘Gazetën Shqiptare’, ku punonte një fejton për vrasjen e Remzi Hoxhës, për komunikimet që kishte me Azem Hajdarin”, kishte thënë Hashim Thaçi në vitin 2019.

Më vonë, në nëntorin e vitit 2020 edhe ish-Kryeministri dhe Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha ishte deklaruar përsëri për vrasjen e Ali Ukës.

Ai ndër tjera kishte thënë se, Hashim Thaçi ishte thirrur në Gjykatë për vrasjen e Ali Ukës.

“Kurrë në jetën time nuk e kam akuzuar Hashim Thaçin për Ali Ukën. Kam pat dijeni që Hashim Thaçi është thirrur në gjykatë, por nuk jam në dijeni që e ka vrarë Hashim Thaçi, nuk kam thënë dhe nuk them”, ka thënë ai.

Në lidhje me këtë vrasje, dhe dokumentet e NATO-s ishte deklaruar edhe Xhavit Haliti.

Ai kishte dhënë një version tjetër, i cili nuk përputhet me dokumentet e NATO-s të botuara në gazetat e njohura ndërkombëtare.

Haliti, e ka fajësuar djalin e axhës së Ukës, Selman Ukën për vrasje.

Ai kishte thënë se Selmani, ishte gjykuar, por nuk ishte dënuar për shkak se ishte dërguar në psikiatri në Shqipëri dhe më vonë kishte ikur nga burgu pas trazirave të marsit.

“Hashimin e kanë arrestu një ditë ma vonë sepse u zanë me armë. Bashkim Thaçi, kushëriri i Hashimit ka banu me Ali Ukën. Hashimi s’ka qenë aty. Kështu është e vërteta”, kishte thënë Haliti në një debat televiziv në Kosovë.

Por, ishte Ibrahim Kelmendi që e kishte fajësuar direkt Hashim Thaçin për vrasjen e Ali Ukës.

Kelmendi, një nga themeluesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës, pjesë e të cilës ishin Haliti e Thaçi, kishte shkruar për vrasjen e Ukës në rrjetin social Facebook.

“Në mars të vitit 1998, krejt rastësisht kam njohur Babain e Ali Ukës, i cili ishte vendosur për të fjet te ‘hoteli’ i Tafilit në Tiranë, banesa të improvizuara si dhoma hoteli, që flinim ne që nuk kishim të holla për hotele. Meqë ai aty po mbante plis të bardh, e pyeta kush ishte e nga ishte. Më tregoi, duke rrëfyer edhe arsyen se kishte ardhur aty për të marrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor për vrasje të djali të tij. Nga kureshtja e pata shoqëruar në atë shqyrtim gjyqësor”, kishte shkruar Kelmendi.

Ai kishte treguar se për shkak të skandalizimit nga ai pseudogjykim, kishte shkruar një shkrim të gjatë në gazetën “Zëri i Kosovës”.

“I kam harruar ato, meqë gjërat që i publikoj, nuk i mbaj më në kujtesë. Por, bindja ime, atëherë e sot, është se Ali Uka është vra për shkak që u bë i njohur si ‘zëdhënës i UÇK-së’. Ashtu e prezantonte shtypi senzacionalist në Tiranë. Dhe, qysh atëherë kam dyshuar se afirmimi i Aliut duhet ta ketë penguar Hashimin dhe Xhavitin. Atëherë thuhej se Aliu e Hashimi ishin shokë. Megjithatë, tashmë kisha mendimin se Hashimi vret edhe shokët, nëse e pengojnë në rrugëtimin e tij… Uroj të rishqyrtohet vrasja e Ali Ukës, meqë qysh atëherë kisha dilema, të cilat i kam shfaq”, kishte shkruar Kelmendi.

Gazeta “Bota sot”, ka një javë që ka drejtuar pyetje te Presidenca e Kosovës, Qeveria, Kuvendi dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Në Presidencë kemi pyetur se pse nuk po dekorohet Ali Uka dhe a pritet të ndodhë në ditët e ardhshme, mirëpo nuk kanë kthyer përgjigje.

Njëjtë nuk kanë kthyer përgjigje as nga Qeveria e Kosovës, edhe pse kemi kontaktuar me zëdhënësin Përparim Kryeziun dhe i kemi dërguar pyetje me shkrim.

Pyetjeve të gazetës “Bota sot”, as pas një jave nuk iu kanë përgjigjur Kuvendi dhe Asociacioni i Kosovës, nga zyrat e të cilave kemi kërkuar përgjigje se pse nuk diskutohet fati i Ali Ukës apo pse nuk përkujtohet.

Edhe analistë të shumtë dhe politikanë kanë hezituar të flasin për gazetarin e vrarë, Ali Ukën.

“Ali Uka i jepte zë e jehonë UÇK-së”

Image
Analisti politik, që gjatë luftës ishte gazetar dhe raportoi për luftën në Kosovë, Rexhep Shahu

Lidhur me këtë, analisti politik, që gjatë luftës ishte gazetar dhe raportoi për luftën në Kosovë, Rexhep Shahu, thotë se ata që nuk e kujtojnë Ali Ukën nuk kanë interes prej tij.

“Nuk kujtohet Ali Uka i vdekur, i vrarë sepse të gjallët lavdërojnë të gjallët se kanë interes prej tyre dhe nuk ka kush interes prej të vdekurit. Për Ali Uken është folë në fushata, por nuk është institucionalizuar mirënjohja e nderimi ndaj tij, nuk i bie kollaj kujt ndërmend për të”, thotë Shahu për gazetën “Bota sot”.

Shahu thotë se Uka i jepte zë dhe jehonë UÇK-së.

“Unë nuk e kam njohur Ali Uken, por kam dëgjuar e lexuar për të. Ai i ishte përkushtuar Kosovës dhe jehonës së UÇK-së, nuk kanë bërë vezë me dy të kuqe edhe shumë të tjerë që e kanë lanë dhe e lënë në harresë Ali Ukën që i jepte zë e jehonë UÇK-së”, shton ai.

Ai shton se Uka i jepte zë UÇK-së kur të tjerët refuzonin dhe iknin me vrap prej saj.

“Moskujtimi e mos nderimi i Ali Ukës nga shoqatat e individët që merren me këtë gjë që e kanë detyrë mirënjohjen e artikulimin e saj, ndodh se nuk kanë ndonjë leverdi prej Ali Ukës, nuk shohin hair e interes prej tij. Por Ali Uka i jepte zë UÇK-së kur të tjerët e refuzonin dhe iknin me vrap prej saj. Ali Uka nuk është gjallë me folë për vetën, por edhe kur ishte gjallë nuk fliste për vetën, por foli për UÇK-në e këta që janë gjallë kujtojnë ndoshta se e kanë patur tellall Ali Ukën. Duhet me pasë nder që të nderosh të tjerët”, thotë Rexhep Shahu.

Miftari: Në banesën e njëjtë, me akterë të njëjtë, u zhduk edhe Sadri Ramqaj

Image
Ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Për Ali Ukën ka folur edhe ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Ai thotë se Ali Uka përveç që ishte gazetar ishte edhe zëdhënësi i parë i UÇK-së.

“Ali Uka dihet se është vrarë në Tiranë, në banesën e Hashim Thaçit, Bashkim Thaçit, Adem Grabovcit... dhe për atë rast është arrestuar Hashim Thaçi, por ishte liruar me ndihmën e lidhjeve politike dhe lidhjeve që kishte me Shërbimin Sekret Shqiptar”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Ai tregon se Uka ishte kritik i Xhavit Halitit dhe se ishte cimer me Hashim e Bashkim Thaçin.

Miftari e përmend edhe raportin e NATO-s, që e akuzonte Thaçin për vrasjen e Ukës.

“Në raportet e NATO-s, ish-presidenti Hashim Thaçi, cilësohet si vrasësi i mundshëm, pasi ishte personi i fundit që ishte parë në banesën e tyre para se të vritej Uka. Interesant është fakti se përveç Ali Ukës, që sot po mundohet shumëkush të harrojnë e të mos e përmendin kurrë, ka ekzistuar metoda e njëjtë për të zhdukur në mënyrë të njëjtë vrasjen e Sadri Ramqajt. Pra, në banesën e Hashim Thaçit e Adem Grabovcit, bashkëpunëtori i Ahmet Krasniqit, ish-eprori ushtarak Sadri Ramqaj, të cilin pos që e zhdukën, ia vodhën edhe 280 mijë marka që ishin mbledhur në Zvicër për të blerë armatim për luftë në rrethinën e Istogut’, thotë Miftari.

Miftari pohon se, sot nuk ka shumë mundësi për dënime, por moralisht e kemi detyrë që mos me i lanë kurrë rahat vrasësit e tyre.

“Pra, akterët e njëjtë, në banesën e njëjtë në qytetin e Tiranës, Sadri Ramqajt ia zhdukën kufomën dhe ia morën paratë. Pra, njerëzit që sot janë multimilionerë e politikanë me ‘peshë’. Sot nuk ka shumë mundësi t’i dënosh, por së paku e kemi moralisht detyrë që mos me i lanë kurrë rahat vrasësit, të cilët me qenë sot Kosova shtet ishte dashur me u marr me këtë punë Prokuroria e Shtetit Shqiptar dhe e Kosovës, por, jo prokurorët që janë të tipit të Adem Grabovcit me shokë. E njëjtë është edhe Prokuroria Shqiptare, e cila është lodër e Edi Ramës”, përfundon Naim Miftari.

Sido që të jetë, rasti i vrasjes së Ali Ukës kurrë nuk u rihap.

Gjurmët e vrasjes së tij nuk i ndoqën as gazetarët e Shqipërisë të dekoruar nga Hashim Thaçi.

Pos dyshimeve që shtypi ndërkombëtar dhe shërbimet sekrete të NATO-s që hedhin akuza mbi Thaçin për vrasjen e Ali Ukës, nuk kemi ndonjë informacion zyrtar nga Prokuroria shqiptare.

Bashkëpartiakët e tij kanë sulmuar, fyer e linçuar dhjetëra herë gazetarët kritikë në Kosovë.

Madje në Kosovë, kemi edhe gazetarë të vrarë, vrasje këto që nuk u zbuluan asnjëherë.

Më së keqi prej të gjitha mediave në Kosovë, e ka pësuar gazeta kombëtare “Bota sot”, medium ky që njihet për sakrificën e madhe në luftën kundër krimit të organizuar, vrasjeve e korrupsionit që ndodhën që nga koha e luftës e deri më sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat