BE dhe dialogu me Serbinë, Abazi: As Serbia e as Rama nuk mund ta mbajnë peng rajonin me platforma të kota

Politika

BE dhe dialogu me Serbinë, Abazi: As Serbia e as Rama nuk mund ta mbajnë peng rajonin me platforma të kota

Nga: G.B Më: 19 prill 2022 Në ora: 13:49
Haki Abazi

Presidentja Vjosa Osmani ka kritikuar Bashkimin Evropian lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Të hënën ajo ka thënë se Brukseli duhet të respektojë parimin e barazisë së palëve.

Sipas Osmanit, BE ende nuk ka folur me gjuhë të qartë ndaj Serbisë, për mos zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, e të cilat Kosova i ka respektuar.

Lidhur me rolin e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, për gazetën “Bota sot” ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi, njëherësh kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

Ai vlerëson se raporti në mes të BE-së dhe Rusisë e Serbisë është në një tjetër dimension që nga lufta në Ukrainë.

“Pas luftës në Ukrainë, dialogu dhe i gjithë raporti mes BE-së dhe Rusisë e Serbisë është në një dimension krejt tjetër. Asnjë arsye tani nuk ekziston që BE të mos jetë e prerë me Serbinë sa i përket marrëdhënieve në rajon me shtetet fqinje”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, i vetmi mekanizëm për në BE është procesi i Berlinit, ku Kosova është e barabartë.

“Kancelari gjerman ishte i prerë që procesi i Berlinit është i vetmi mekanizëm drejt BE-së dhe aty Kosova është e barabartë mes gjashtë shtetesh”, thekson deputeti.

Ai ka shtuar se Serbia e as Edi Rama nuk mund ta mbajnë peng rajonin me platforma si Ballkani i Hapur apo dialogu shterpë nga Serbia për të fituar kohë.

“As Serbia por as kryeministri Rama nuk munden më të krijojnë e mbajnë peng rajonin për shkak të platformave të kota siç është Ballkani i Hapur apo Dialogu shterpë ku Serbia e ka përdorur për të blerë kohë dhe për të rritur kinse influencën e vet në stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Kjo e tëra tani shihet dhe kuptohet ndryshe edhe ne Bruksel, Berlin dhe Washington DC”, ka deklaruar Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat