Prapaskena/ “Sulmet në veri të Kosovës të organizuara nga Vuçiq”/ Ja paralajmërimi që i dërgoi Albin Kurtit

Politika

Prapaskena/ “Sulmet në veri të Kosovës të organizuara nga Vuçiq”/ Ja paralajmërimi që i dërgoi Albin Kurtit

Nga: P.R Më: 19 prill 2022 Në ora: 18:25
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar. Shkas për këtë u bënë edhe sulmet e vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës, të cilat, Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla i ka quajtur akte terroriste.

“Sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, e cila ka qenë duke shkuar për të marrë ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Sveçla më 15 prill, ditën kur është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë, duke shtuar se grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në veri të Kosovës.

E një sulm tjetër ndodhi përsëri të nesërmen, pra më 16 prill, ku Policia e Kosovës u sulmua me mjete shpërthyese, duke çuar në pesë numrin e sulmeve të raportuara në katër ditët e fundit në veri të Kosovës, pranë pikëkalimeve kufitare midis Kosovës dhe Serbisë.

E sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, veriu i Kosovës vazhdon të jetë një rajon me probleme.

“Serbia pretendon se ky rajon është pjesë e saj dhe duhet t’u mbetet asaj. Kosova që kur e ka shpallur pavarësinë ka sanksionuar në kushtetutë se territori i saj, përfshirë Mitrovicën e Veriut, janë të shenjta, të pandashëm dhe të patjetërsuar. Ndaj dhe prej 14 vitesh Mitrovica është nën terrorin e provokimeve të Beogradit. Kjo po ndodh edhe në ditët e sotme. Për të qenë të vërtetë, pati një periudhë kur u ndaluan provokimet. Ishin vitet 2018-2020, kur Rama, Thaçi dhe Vuçiq u morën vesh për ndarjen e Kosovës. Në këtë kohë Serbia nuk kishte asnjë interes të provokonte situatën. Përkundrazi ne kemi parë spektakle „patriotike“ te ish- presidentit Thaçi, me shëtitje në Liqenin e Ujmanit apo me arrestime, madje edhe të Gjuriqit!”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, të gjitha këto spektakle kishin miratimin e Aleksandër Vuçiqit.

“Presidenti i Serbisë i merrte vendimet për to pasi bisedonte e konsultohej me Edi Ramën dhe Baton Haxhiun”, shprehet Bytyçi.

Ai thotë se sulmet e fundit ndaj Policisë së Kosovës vijnë drejtpërdrejtë nga Beogradi.

“Ditët e fundit pati sulme me armë dhe granata kundër policisë së Kosovës. Këto sulme vijnë nga territori i Serbisë, ose së paku të inskenuara dhe dirigjuara nga ana e lidershipit serb në Beograd. Asgjë nuk ndodh në Veriun e Mitrovicës, nëse nuk do të sponsorizonte në këto akte qeveria e Serbisë. Asnjë qytetar i Kosovës i etnisë serbe nuk ka shans të ndjehet i pasigurt me familjen e tij në këtë territor, nëse nuk do ta diktonte situatën e terrorit politika dhe administrate e Serbisë”, thekson profesor Bytyçi, duke shtuar se sulmet janë të organizuara nga Aleksandër Vuçiq.

“Sulmet kanë qenë dhe janë të organizuara nga presidenti Vuçiq dhe qeveria e Serbisë, nga strukturat e ushtrisë, policisë dhe forcave të sigurisë së Serbisë. Në këtë kohë Aleksandër Vuçiq po bën gjithçka ka në dorë që të provokojë jo vetëm veriun e Kosovës, por edhe Perëndimin. Shihni çfarë ndodh! Para dy ditësh ai përhapi lajmin se na qenka kërcënuar me jetë dhe se nuk do ta zinte mbrëmja! Ishte një lajm krejt i rremë. Ata që eliminojnë politikanët nuk lajmërojnë. Thjesht e kryejnë veprimin terroristi të tyre. Xhinxhiq nuk u paralajmërua nga vrasësit terroristë, edhe pse agjencitë e informacionit paralajmëruan atentatin”, deklaron Bytyçi.

“Para katër ditësh Aleksandër Vuçiq i paralajmëroi sulmet me granata kundër policisë së Kosovës kur tha se Kurti nuk guxon të hyjë në veri. Çfarë është kjo garë se kush do ta sundojë territorin e Mitrovicës së Veriut? Çfarë do të thotë me këtë presidenti i Serbisë? Pse ai ka grumbulluar 42 reparte e qendra ushtarake në kufi me Kosovën? Të gjitha këto dëshmojnë se pas ngjarjeve të 17 e 18 marsit 2004 ishin të gabuara vendimet që u morën për të heq pengesën e Rezolutës 1244 që ushtria serbe të afrohej më shumë se 20 km nga kufiri me Kosovën. Por serbët e morën këtë favor me intrigat e Beogradit, Moskës e Parisit. Ky i fundit është përgjegjësi kryesor i situatës së sotme në veri të Kosovës!”, shton profesor, doktor Enver Bytyçi.

Më tej, Bytyçi tregon synimet e Vuçiqit, që sipas tij dëshiron t’i arrijë me sulmet e inskenuara në veri të Kosovës.

“Këto sulme kanë lidhje me shumë aspekte politike e gjeopolitike. Së pari presidenti i Serbisë dëshiron që t’i bëjë presion Perëndimit, duke i dhënë mesazhin se “nëse nuk më pranoni kështu si jam, mund ta destabilizoj rajonin“! Kjo do të thotë se presioni i Beogradit është që Vuçiq të ruajë lidhjet, aleancën dhe bashkëpunimin e Serbisë me Rusinë edhe në kushtet e agresionit të Moskës kundër Ukrainës. Presidenti serb nuk dëshiron të sanksionojë Kremlinin. Ai ka folur në telefon menjëherë pas rizgjedhjes me presidentin rus, Vladimir Putin dhe para dy ditësh bisedoi gjatë me ambasadorin rus në Beograd. Vuçiq është i vetmi udhëheqës evropian që nuk pranon të ndëshkojë e dënojë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës”.

Ai thotë se ideja e ndarjes së Kosovës vazhdon të implementohet nga ana e Beogradit.

“Së dyti, Vuçiq po përpiqet të bëjë presion për ndarjen e Kosovës. Pra, ai po e përdor dhunën me qëllim që të krijojë perceptimin në Evropë se “Nuk ka zgjidhje tjetër veç ndarjes”! Ideja e ndarjes së Kosovës vazhdon të implementohet nga ana e Beogradit. Edi Rama duhet të prononcohet për këtë dhe të shpallë qëndrimin e tij, nëse vijon akoma ta mbështesë këtë ide ose jo”, nënvizon Bytyçi.

“Së treti, në Bruksel po trajtohen edhe disa tema teknike si çështja e targave. Ka ardhur afati i përcaktuar dhe Beogradi ka frike se do të detyrohet të pranojë targat e Kosovës. Pikërisht për këtë arsye Beogradi reagon me provokime të dhunshme në veri, për të krijuar përshtypjen se në këtë rajon serbët rajonalë po rezistojnë kundër shtetësisë së Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat