“Nuk dëshiron konflikt me Vuçiqin”, Edi Rama zgjedh heshtjen për sulmet në veri të Kosovës

Politika

“Nuk dëshiron konflikt me Vuçiqin”, Edi Rama zgjedh heshtjen për sulmet në veri të Kosovës

Nga: P.R Më: 20 prill 2022 Në ora: 21:00
Edi Rama

Policia e Republikës së Kosovës është përballur me sulme të njëpasnjëshme gjatë javës së kaluar në veri të Kosovës. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sfeçla, për këto sulme përgjegjëse e bëri Serbinë.

“Gjuajtjet [me armë zjarri] kanë ndodhur diku rreth 200 deri në 300 metra distancë nga patrulla e [policisë]. Unë mendoj se qëllimi i Serbisë në këtë moment nuk është ta sulmojë, por ta destabilizojë Kosovën”, ka thënë Sveçla më 15 prill, duke e bërë Serbinë përgjegjëse të drejtpërdrejtë për sulmet

Por pavarësisht se këto sulme kanë rritur edhe tensionet në veri të Kosovës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk e ka parë të arsyeshme që të dënojë këto.

Rama, i cili reagon pothuajse për çdo veprim të Serbisë, ka zgjedhur heshtjen përballë sulmeve ndaj policisë së Kosovës, të cilat dyshohet se kanë ardhur nga Serbia.

E sipas publicistit nga Shqipëria, Rexhep Shahu, Edi Rama nuk dëshiron ta prish miqësinë me Aleksandër Vuçiqin dhe të hyjë në konflikt me të.

Image
Rexhep Shahu

“Nuk e dimë çfarë ka në thellësi, por ajo që duket në sipërfaqe është konstatim i thjeshtë, Edi Rama nuk e ka ndarë mendjen të hyjë në konflikt me fjalë e deklarata me Vuçiqin e me Serbinë për punët e hallet e Kosovës. Që nga koha kur tha në Beograd atë që Beogradi e dinte me mirë se ai se Kosova është shtet i pavarur, ai nuk ka bërë asnjëherë ndonjë deklaratë, nuk ka nxjerrë ndonjë fjalë që të mos i pëlqejë Beogradit zyrtar, që të mos i pëlqejë Vuçiqit”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Ai thotë se Rama në vend të kritikojë veprimet e Serbisë, ai ka letra ‘dashurie’ për Serbinë.

“Po ka fjalë e deklarata dashurie për Beogradin, për personalitete serbe, artistë apo sportistë miq të antishqiptarëve të deklaruar, ka letra dashurie si ajo dërguar sportistit serb që kishte bërë karrierë në Itali dhe që ishte mik i Arkanit”, thekson Shahu,

Sipas tij, Edi Rama ka dështuar që ta fus nën kontroll Kosovën, synim ky i kryeministrit të Shqipërisë.

“Ndërsa Kosovën nuk mundi ta fusë nën sqetull z. Rama, nuk mundi ta ketë bahçe të veten, nuk mundi t’i ketë nën këmbë udhëheqësit e Kosovës, herë herë i lëvdon e herë herë i shan e quan gomarë, pra me Kosovën sillet keq si djali i mbrapshtë i shtëpisë që kërkon të jetë në qendër të vëmendjes domosdo. Por fatkeqësisht Kosova është planet tjetër për Edi Ramen dhe nuk ka kohë Kosova as vëmendje për Edi Ramen”, përfundon për “Bota sot”, analisti dhe publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat