Ndikimi rus në Ballkan / Ja si po “blihen” politikanët shqiptarë nga Rusia

Politika

Ndikimi rus në Ballkan / Ja si po “blihen” politikanët shqiptarë nga Rusia

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 23 prill 2022 Në ora: 09:00
Martin Henze

Ndikimi i Rusisë po vazhdon të rritet në Ballkan. Shkaktar për këtë mund të jetë politika, po ashtu edhe ana ekonomike.

Alarmim për ndikimin rus ka bërë edhe eksperti gjerman Martin Henze.

Ai ka thënë se në Serbi dhe Shqipëri po bëhen pastrime parash.

"Ukraina, presidenti meksikan Obrador deklaroi se pushtimi rus i Ukrainës nuk pranohet. Meksika mbështet kombin ukrainas. Në Serbi, Shqipëri ka asete ruse, po bëhet pastrim parash. Miqtë e Putinit, autokratët Rama, Veliaj, Vuçiqi nuk bëjnë asgjë", ka shkruar Henze në Twitter.

Me deklaratën e Henzes pajtohen edhe ekspertët shqiptarë. Sipas tyre, ndikimi rus ka për qëllim largimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Ballkani.

Në ndërkohë, pas Henzes doli raporti i Freedom House, i cili e bëri të qartë, se edhe në Kosovë, për disa vite qeveritë, ruse, kineze, turke kanë ndikuar në vendimmarrje.

Ndërsa, për në Shqipëri, vetë raporti i SHISH-it për Kuvendin e ka bërë të qartë se aktiviteti i shërbimeve armiqësore është bërë kancerogjen për institucionet dhe shoqërinë, dhe për mediat në veçanti.

Sa i përket ndikimit në media, Raporti i Freedom House, thekson se ai është me ndikim të fuqishëm, nga vende si Serbia, Rusia, Kina, Greqia, Irani, Italia, Bullgaria të cilat madje edhe paguajnë media, televizione, gazetar etj.

Qarri: Në Këtë mënyrë janë blerë politikanët nga Rusia

Analisti politik, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se shqiptarët janë aleatë dhe partnerë strategjik të Amerikës, për mbajtjen sa më larg të Rusisë nga Ballkani Perëndimor.

Image
Gani Qarri

Në fakt duke qenë se shqiptarët, qysh nga çlirimi i Kosovës nga SHBA-ja dhe NATO-ja janë partner strategjik të SHBA-ve, pa ndihmën dhe mbështetjen permanente të të cilave do të ishte e pamundur të arrihej pavarësia dhe shtet-ndërtimi i Republikës së Kosovës, ata si popull janë dhe mbeten edhe aleati më besnik dhe partneri strategjik i Amerikës, për mbajtjen sa më larg të Rusisë nga Ballkani Perëndimor. Kështu që, me gjithë mundësit e tyre të kufizuara, për shkak të mos kompaktësisë kombëtare dhe ndarjes në disa shtete, shqiptarët në njëfarë mënyre, janë garantues të interesave të SHBA-ve në këtë rajon”, thotë ai.

Po ashtu, ai ka zbuluar se në çfarë mënyre janë blerë disa politikan nga Rusia.

“E në anën tjetër, përmes konsorciumeve të mëdha energjetike si “Gaspromi”, Rusia ka arritur ti blejë jo vetëm disa politikan, por mendohet se financon edhe parti të të tëra politike, të cilat mund të kenë marrë përsipër, të punojnë, nën tepih, për realizimin e interesave të Rusisë në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.

Këtë e vërteton edhe fakti se, duke dhënë shuma të mëdha parash, Rusia arriti ta realizonte edhe ndërtimin e gazsjellësve rus përmes vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e veriut, emër me të cilin njihet aktualisht”, shpjegon ai.

Në frontin e “zjarrit” ndërmjet Rusisë e Perëndimit

Më tej, ai ka përmendur edhe problemin kryesor në politiken shqiptare.

"Prandaj, siç shprehej dikur edhe vet ish nën-presidenti dhe presidenti aktual i SHBA-ve, Joe Biden, Ballkani ka kohë që është kthyer në frontin e “zjarrit” ndërmjet Rusisë e Perëndimit” dhe problemi kryesor sot në politiken shqiptare, fatkeqësisht janë asetet ruse, ku bëhen edhe spastrime parash me kompanitë e Vladimir Putinit".

Po ashtu, Qarri e ka komentuar edhe deklaratën e ekspertit gjerman Martin Henze.

“Për aq më tepër edhe ekspertit gjerman Martin Henze, deklaron hapur se jo vetëm në Serbi, siç dihet tanimë publikisht nga të gjithë, por ai thotë se edhe në Shqipëri ka asete ruse, ku bëhet pastrim parash, e megjithatë miqtë e Putinit, autokratët Rama, Veliaj, Vuçiqi etj., nuk bëjnë asgjë, kundër këtij fenomeni të hidhur.

Madje sipas citatit të tij të plotë në Tviter, përderisa presidenti meksikan Obrador deklaroi se pushtimi rus i Ukrainës nuk pranohet dhe Meksika mbështet kombin ukrainas, në Serbi dhe Shqipëri jo vetëm që heshtet, por ka edhe asete ruse, ku bëhet edhe pastrim parash", thotë Qarri.

Më tej, ai shton se nëpërmjet Hungarisë, Serbisë e Shqipërisë, Rusia ka arritur me sukses që në Ballkan ta fus konfliktin politik dhe ekonomik.

“E gjithë kjo, vërteton, se përveç agresionit në Ukrainë, Rusia nëpërmjet vendeve si Hungaria, Serbia, por edhe Shqipëria ka arritur me sukses që në Ballkan ta fus konfliktin politik dhe ekonomik duke ngritur një Qendër spiunazhi në Nish të Serbisë dhe realizuar tubacionin e gazsjellësit rus, përveç tjerash edhe në Maqedoninë e Veriut”, vlerëson ai.

Gjithashtu, ai tregon se pse është pro rus projekti i ashtuquajtur “Ballkani i hapur”.

“Në vazhdën e mbajtjes gjallë të këtij konflikti dhe konfrontimit me BE-në dhe SHBA-të, duke derdhur shuma të mëdha parash tek politikanët e shitur që nga Gruevski e deri te Aleksandër Vuçiqi dhe vet Edvin Kristaq Rama, u ideua edhe projekti serbo-rus i të ashtuquajturit “Ballkan i hapur”, thotë ai.

Në fund, Qarri përmend se çfarë po mundohet të bëjë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Projekti të cilin ani pse Gjermania e hodhi serish me vendosmëri poshtë, megjithëse tanimë ide e vdekur, Edvin Kristaq Rama, po mundohet që në emër të “zgjerimit” të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë dhe Rusinë, me “Ballkanin e hapur" ta kamuflojë dhe vazhdojë sa më gjatë pastrimin e parave të pista të konsorciumeve ruse në Shqipëri, ku ai sigurisht, duhet të ketë pjesën më të madhe të përfitimit, nga të gjithë politikanët pro-rus në vend”, deklaron Qarri për “Bota sot”.

Ky është synimi i ndikimit rus

Në anën tjetër, analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, tregon se kush qëndron pas ndikimit rus në Ballkan.

Image
Faton Mehmeti

“Pas aseteve ruse qëndron Sorosi, ndikimi i të cilit është i madh në Ballkan. Tashmë dihet se Rama dhe Vuçiqi janë miqtë të ngushtë të Sorosit, të cilët hartuan planin për ndarjen e Kosovës dhe të cilët ndikuan që Berisha të shpallet “non grata””, thotë ai për “Bota sot”.

Më tej, ai shpjegon se çfarë synimi dhe çfarë po tentohet të bëhet nga ndikimi rus.

“Ndikimi rus është i madh dhe synimi i tyre është shpëlarja e parave, involvimi i tyre tek ata njerëz që i përdorin ato për të ardhur në pushtet e pastaj ia kthejnë favorin Rusisë dhe Serbisë me lejimin e shtrirjes së ndikimit të ekonomisë ruse për të tentuar dobësimin amerikan në Ballkan. Kushdo që përdor para ruse është armik i kombit shqiptar, dhe të tillët janë të rrezikshëm”, deklaron ai për “Bota sot” .

Në fund, ai e quajti "Ballkanin e hapur” projekt ruso-serb, i cili ka në qendër shtrirjen e ndikimit rus në Ballkan dhe zhvendosjen e interesave amerikane nga këtu.

“Të kujtojmë se “Ballkani i hapur” është projekt ruso-serb, për të cilin kemi shkruar dhe folur shumëherë, ai projekt në qendër të saj ka shtrirjen e ndikimit rus në Ballkan dhe zhvendosjen e asaj amerikane si dhe forcimin e Serbisë mbi interesat e shqiptarëve. Kështu që, vlerësimi i z.Henze qëndron, rreziku është prezent, shqiptarët është turp të rreshtohen në anën e Rusisë dhe Serbisë, është tradhti kombëtare”, deklaron Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat