Serbët e sulmuan me mbi 30 bomba, por nuk iku nga veriu - Deklaratat e fuqishme të Adem Mripës: Serbi pranoi para amerikanëve se deshi të më vrasë!

Politika

Serbët e sulmuan me mbi 30 bomba, por nuk iku nga veriu - Deklaratat e fuqishme të Adem Mripës: Serbi pranoi para amerikanëve se deshi të më vrasë!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 25 prill 2022 Në ora: 12:24
Adem Mripa

Profesori Adem Mripa, i cili mbërë ndërroi jetë, shquhet për heroizimin e tij në pjesën veriore të Kosovës.

Mripa i cili jetoi deri në frymën e fundit në shtpëinë e tij në lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës, ishte rrëfyer ekskluzivisht disa herë për gazetën “Bota sot”.

Këto rrëfime të Mripës, sot në shenjë përkujtimi për të, po ua sjellim disa deklarata të fuqishme dhënë kohëve të fundit.

Ai kishte rrëfyer gjithçka për jetën e tij dhe vështirësitë se si prej pasluftës i kishte përjetuar në shtëpinë e tij.

Mripa i ka shpëtuar disa herë atentateve së bashku me familjen e tij.

Profesori rrëfente se vitet e pasluftës kanë qenë më zi se lufta, pasi 24 orë nuk kishin fjetur.

“U bën 20 vjet pas çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës nga serbët, dhe tash në veri situata është paksa e ndryshuar për të mirë por, ende situata është e tensionuar dhe ekziston rreziku që në çdo moment të eskaloj, e kjo varet nga dirigjimet që bëhen prej Beogradit dhe në çdo moment kur këta kanë nevojë për eskalimin e situatës dhe provokimet ajo ndodh dhe më së shumti që pëson është popullata shqiptare në veri”, deklaronte Mripa rrëfimin e tij.

“Shqiptarët tash pak ma të lirë shëtisin dhe lëvizin në pjesën veriore, por do ta përdori atë termin “edhe ne jemi Kosovë”, se për ne shumë pak është bë, për popullsinë shqiptare në veri. Paralufte ishin mbi 20 mijë shqiptarë në këtu, kurse tash mbi 2 mijë shqiptarë janë, por interesimi dhe kujdesi për shqiptarët në këtë pjesë është shumë i vogël. Unë kam shpresë në Qeverinë e ardhshme tash që vjen që do të tregoj pak më shumë interesim për popullatën shqiptare në mënyra të ndryshme”, ka thënë Mripa.

Profesori deklaronte se ndaj shqiptarëve nuk është tregu ndonjë interesim në punësim ose ndonjë stimulim që mos ta lëshojnë veriun, derisa serbët gëzojnë beneficione të ndryshme.

“Serbët bëjnë edhe kolonizimin e pjesës veriore. Ata kanë mjete materiale me të cilat blejnë pasurinë e shqiptarëve dhe kolonizojnë me serbë të viseve të ndryshme të ish-Jugosllavisë. Pastaj serbëve ju ndihmojnë përveç Serbisë, edhe Republika serbska dhe Rusia. Shpeshherë për festa të ndryshme, për ndonjë gëzim apo diçka ata dërgojnë dhurata i ndihmojnë fëmijët me fletore dhe libra, me material ushqyes. Pastaj serbët në këtë pjesë kanë edhe stimulim për natalitet. Për fëmijën e parë, të dytë dhe fëmijën e tretë ata marrin rreth 3 mijë euro. Dikush për ta kujdeset, kurse për ne shumë pak. Republika serbska ndërton shtëpia këtu për “vëllezërit serb”, Rusia u dërgon paketa me ushqime të ndryshme, ndoshta edhe mjete materiale, por po flas atë çka kom pa. Serbia vazhdimisht shpërndan ndihma të ndryshme, e kishte me qenë mirë që edhe Qeveria shqiptare të interesohet më shumë për fëmijët tanë, për popullsinë shqiptare e sidomos për rinin, pra me pas ndonjë privilegj në punësim, se kjo popullsi, prej luftës e këndej ka pasur vështirësi”.

Sipas profesorit, familjeve shqiptare disa herë u janë hedhur bombat në shtëpitë e tyre, ka të vrarë dhe kurrë askush nuk është përgjigj, asnjë serb.

“Kanë maltretuar popullsinë shqiptare ku kanë pasur qëllim pastrimin etnik dhe kufirin ta sjellin te Ibri, por fal shqiptarëve në veri, sidomos rinin e lagjes së Boshnjakëve që kanë qenë shumë të vendosur mos ta lëshojnë veriun. Duhet të iu falënderohem edhe një pjesë të UÇK-së të cilët kanë ndihmua që të mbrohemi nga kriminelët serbë. Janë datat e posaçme kur me 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000 dhe në vazhdimësi kanë vrarë e masakruar popullatën shqiptare por ata që kanë qenë të vendosur nuk i kanë leshu edhe pasi u kanë djegur shtëpia dhe i kanë rrahur, por kemi qenë të vendosur shqiptarët dhe e kemi ruajtur identitetin shqiptar në veri”, tregonte profesori.

Ai thoshte se Serbia bën kolonizimin e pjesës veriore qysh prej luftës e deri më sot.

“Menjëherë paslufte Serbia ka bë pastrimin etnik me dhunë, ku ka rrahur dhe vra shqiptarë. Pastaj, Serbia investon miliona për të ble banesat e shqiptarëve. Ato i kanë ble me çmime jashtëzakonisht lirë. Një banesë u shit me çmim prej 10 mijë eurove. Shqiptarët vetëm ta shpëtojnë kokën dhe çka të munden me marrë, në një mënyrë i kanë falë banesat dhe serbët kanë popullëzua këtu. Serbia stimulon serbët që të vendosen në veri. Një serb që vjen nga Serbia edhe pse kurrë më parë nuk ka jetuar në Kosovë, ai ka stimulim prej 300 eurove në muaj dhe Serbia ua blenë banesat e shqiptarëve dhe atyre ua dhuron. Serbia ndërton pallate e shtëpia për ata që duan të jetojnë në veri, pra që vijnë nga Serbia edhe pse nuk ka jetuar asnjëherë këtu. Pra edhe Republika serbska dhe Rusia u ndihmojnë këtyre fatkeqësisht për ne shqiptarët ndihmat nuk dimë se si duken ato”, theksonte ai.

Mripa pati treguar se kush prej politikanëve shqiptarë i kishte vizituar.

“Unë dua ta ceku se prej strukturave politike qeveritare i vetmi kryeministër që na ka vizitua është Agim Çeku, dhe i vetmi ndër kryetarët e rrallë që na ka vizitua ka qenë Faruk Spahiu, i cili ishte i interesuar vazhdimisht për gjendjen në verdhe ka vizitua dhe inkurajuar shqiptarët që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Qeveritarët tjerë jo që nuk na kanë vizitua, por vetëm në momente kur iu kanë dashur e kanë përmendur veriun. Unë kam shpresë tash e tutje që Qeveria ka me tregu më shumë interesim në punësim apo në ndonjë mënyrë tjetër. Kishte me qenë mirë atë që e bën Serbia të bëjë edhe Kosova, pra me i stimulua dhe me pas një lehtësim për shqiptarët e veriut”.

Sipas Mripës, numri i serbëve në veri është shumë më i madh sesa i para luftës, dhe ata çdo ditë po rriten duke u kolonizuar.

“Ata nuk kanë presion nga shqiptarët dhe po qëndrojnë dhe popullzohen në këto vise. Qeveria serbe i blenë pasuritë shqiptare vetëm e vetëm që të sjellë ndonjë familje serbe prej viseve të Serbisë edhe pse më parë kurrë nuk ka jetuar në Kosovë. Ata kanë fonde të posaçme për këto raste”.

“Unë kam amanetin prej prindërve që mos ta lëshoj veriun. Prindërit e mi kanë vuajtur dhe mbaj mend si fëmijë, kur UDB-a janë mundu me i largua nga shtëpia, gjyshi im ishte hoxhë, dhe janë mundu me detyrua me lëshua Kosovën e me ik në Turqi, mirëpo ishin të vendosur mos me lëshua, dhe amanet na kanë lanë mos me lëshua, dhe e kam pas më lehtë të qëndroj këtu dhe falënderoj anëtarët e familjes time të cilët kanë qëndruar. Përndryshe, në shtëpinë time janë hedhur mbi 30 bomba, koktej molotovi për me më frikësua dhe janë munduar disa herë me më vra, por isha i vendosur dhe jam këtu derisa të kam shëndet dhe jetë”, deklaronte profesori.

Ai nuk kishte pranuar ta braktiste shtëpinë asnjëherë as gjatë luftës, dhe për këtë e falënderon shoqen dhe gjithë familjen, pasi nuk e kanë lënë vetëm për asnjë moment.

“Ne jemi afër urës së Ibrit këtu, dhe e shikonim duke u djegur qyteti në anën tjetër, qytetarët e kalonin Ibrin dhe ikshin pasi i tërë qyteti ishte në flakë. Së pari u djeg pjesa jugore e Mitrovicës, ky qytetarët e asaj pjese ikshin për veri, dhe unë duke i parë se çka po ndodh dola afër urës dhe i mora 43 shqiptarë për të banuar në shtëpinë time”, deklaronte Mripa.

Por, rrjedha e luftës nuk ka përfunduar ende. Rreth 20 metra larg shtëpisë së tij është një ndërtesë, ku edhe sot veprojnë kriminelët serb nga e kanë bërë shpërnguljen e shqiptarëve nga pjesa veriore.

“Ai grup më erdhi në shtëpi dhe më tha keni shumë mysafirë. Unë i thashë se janë të afërmit e mi. Ai kriminel, për detyrë e kishte me përcjellë situatën se çka po ndodh dhe me i raportuar policisë serbe. Pas një ore më erdhi policia serbe duke trokitur me të madhe në shtëpinë time. Kur e hapa derën më thanë kënd e ki në shtëpi, e menjëherë thanë se le të dalin të gjithë përjashta. Kur dolën të gjithë jashtë, kriminelët filluan të shajnë me çka kemi, duke më kërcënuar që t’ju tregoj se kush janë këta me emër e mbiemër”, rrëfente Mripa.

Sipas tij, menjëherë pas luftës ka filluar me i ndihmuar popullatës shqiptare në veri duke organizuar mbrojtjen e veriut me ndihmën e UÇK-së.

“Rrahman Rama, Naim Miftari, Hasan Preteni dhe Sabri Haziri janë personat që vazhdimisht janë përkujdesur dhe interesua për shqiptarët në veri dhe na kanë përkrahë moralisht dhe në mënyrë materiale që të qëndrojmë në këto vise. Pa ndihmën e tyre do e kishim shumë vështirë të qëndrojmë këtu. Unë kam pas një grup të ri që kemi patrullua në veri, dhe nja 15 vjet nuk e di se çka është gjumi. 15 vjet është dashur me bë ndërrimin me orar me shokë dhe kur kam shkua me pushu 2-3 orë me kanë ndërruar shokët në pikat e ruajtjes të atyre pjesëve ku kanë qenë shqiptarët, dhe nuk jam pishman dhe mburrem që edhe sot ka shqiptarë dhe kjo pjesë është tokë Kosovë dhe e shqiptarëve”, deklaronte Mripa.

Ndër tjera, Mripa tergonte se për 15 vite nuk e dinte se çfarë është gjumi rehat, duke jetuar nën sulme bombash, dhjetëra herë i sulmuar që ta braktis shtëpinë.

“Unë qe 15 vite nuk di se çka është gjumi, më shumë e dua një natë të tërën me fjet i qetë se ku me ditë çka me pas. Unë kurrë nuk jam larguar nga shtëpia ime, as unë e as familja, sepse ata nuk largoheshin pa mua”, tregonte Mripa.

“Në një mënyrë kemi qenë në luftë edhe pse në shtëpitë tona ishim. Asnjë moment, asnjë minutë nuk ishim të sigurt që jemi të qetë dhe në çdo moment kemi prit çka po ndodhë. Janë vra disa djem të ri në mbrojtje të veriut, serbët ishin të stimuluar dhe i kanë armatos grupet serbe, MUP-i serb ka manipuluar lirisht me këto vise dhe në mënyrë legale serbët kanë shpërnda armë në popullsinë serbe që me pas një siguri apo një mbrojtje. Ne vetëm kemi besuar në Zot dhe vetëbesimit tonë, karakterit që duhet të qëndrojmë dhe mos ta lëshojmë këtë pjesë të Kosovës, se ne e dimë historikisht se trojet shqiptarë vazhdimisht janë tkurrë. Unë gjatë jetës kam punuar si profesor dhe kam pas pak autoritet në mesin e popullsisë këtu dhe kam shpjeguar se duhet të qëndrojmë dhe të mbrojmë atdheun, dhe kam treguar nga historia vuajtjet e shqiptarëve, si dhe vet kam dhënë shembull se duhet të qëndrojmë këtu edhe pse rreth 30 herë më kanë hedhur bomba”, pohonte profesori.

Mripa kujtonte edhe një rast kur një serb ka pranuar se ka dashur ta vriste.

“Amerikanët bashkë me televizionin e Nju Jorkut, e sollën një serb i cili e pranoi se kishte pas për detyrë me më vra, disa herë ishte munduar të më vriste dhe në pyetjen e amerikanëve kur e pyeten se pse nuk e ke vra, tha ‘se këta Zoti po e ruan’, ajo fjalë po më ushqen dhe po them se vetëm një Zot më ka ruajtur, se kurrë nuk e kam kursyer kohën dhe në mes të natës kam dalë kudo që ka qenë nevoja, kushdo që më ka ftuar kur kanë shkuar grupet serbe me bë pastrimin etnik me disa djem të rinj kemi shkuar dhe i kemi larguar serbët apo grupet ekstreme serbe që kanë bë pastrimin etnik. Po them se 15 vjet nuk di çka është gjumi dhe tash pak filloi me ndryshua situata, pak më qetë është kemi një liri pak më të madhe të lëvizjes edhe pse na mungojnë shumë gjëra”, potenconte Mripa.

Profesori tutje kishte deklaruar se, KFOR-i ka ndihmuar shqiptarët në veri, kurse UNMIK-u jo.

“Nuk lavdërohem për punën e UNMIK-ut në veri, pasi në një aspekt ka qenë proserb dhe haptas ka ndihmuar serbët. Në kohën e vonë, tash kur serbët u rebeluan dhe filluan me kërkua një lloj kufizimi mes veriut dhe jugut qëllimin e kanë pas që menjëherë në ballë të urës kryesore me ngrit një kryq me të cilin do të dëshmonin se në veri do të jetonin vetëm ‘kryqalitë’, por falë ndërkombëtarëve dhe KFOR-it nuk është lejuar të ndodh kjo, pasi në veri nuk jetojnë vetëm serbët por ka shqiptarë, boshnjak dhe goran e nacionalitete të ndryshme”.

“Lutja ime te shqiptarët është që të ndihmojnë popullatën e varfër dhe të stimulojnë me ndonjë punësim ose në festat kombëtare së paku një dhuratë të vogël për fëmijë, derisa serbëve iu shpërndajnë dhurata, fatkeqësisht për ne si duket Qeveritë tona nuk kanë fonde për ndonjë dhuratë modeste, që në një mënyrë morale me stimulua shqiptarët të qëndrojnë këtu”, kishte deklaruar Adem Mripa disa herë për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat