“Serbia tallej me ish-pushtetarët”/ Si u rrezikua sovraniteti i Kosovës nga marrëveshjet e dëmshme në Bruksel!?

Politika

“Serbia tallej me ish-pushtetarët”/ Si u rrezikua sovraniteti i Kosovës nga marrëveshjet e dëmshme në Bruksel!?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 prill 2022 Në ora: 15:30
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq, foto ilustrim nga "Bota sot"

Bisedimet Kosovë-Serbi vazhdojnë të jenë një nga çështjet më të rëndësishme, nga të cilat varen edhe marrëdhëniet e mëtejshme Kosovë-Serbi, dhe jo vetëm.

Në vazhdimësi, Prishtinës iu është kërkuar të bëjë kompromise me Beogradin, e që qeveritë e mëparshme nuk kanë hezituar në këtë aspekt.

Shumë marrëveshje janë nënshkruar, edhe pse janë cilësuar si shumë të dëmshme për vendin tonë.

Këtë praktikë të ish-pushtetarëve nuk po e zbaton edhe qeveria aktuale në krye me Albin Kurtin. Kryeministri ynë ka refuzuar të zhvillojë negociata në të cilat Kosova nuk trajtohet si viktimë dhe jo agresor.

E për përfitimet e marrëveshjeve të Brukselit ka folur Ivica Daçiq.

Disa ditë më parë, Daçiq befasoi me deklaratat e tij, ku potencoi se po të mos kishin qenë bisedimet në Bruksel, shumë procese do të ishin kryer në favor të Kosovës, dhe se integrimi i saj në organizata ndërkombëtare do të mund të kishte përfunduar.

"Po të mos kishim marrëveshjet e Brukselit, me siguri Kosova moti do e kishte rrumbullaksuar shtetin e saj dhe do ishte shtet i njohur ndërkombëtarisht..." .

Pra, ai e bën të qartë se pala e Kosovës, më saktë zyrtarët që udhëhoqën bisedimet i bën lëshime dhe kompromise Serbisë.

"Ne ia dolëm mban në këtë. Që nga kolapsi i plotë i politikës së mëparshme të Kosovës, kur Serbia nuk pyeti për asgjë dhe Kosova merrte një njohje ndërkombëtare në ditë, ne e kemi bërë një çështje të hapur që nuk mund të zgjidhet pa Serbinë", ka thënë Daçiq.

Voca: Qeveritë e kaluara duke u futur në bisedime për disa tema në mënyrë indirekte apo direkte preknin sovranitetin e Kosovës, lëkundnin pozitën e Kosovës

E lidhur me këtë, njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se qeveritë e kaluara në bisedimet me Serbinë kanë përfshirë tema të cilat kanë lëkundur sovranitetin dhe pozitën e Kosovës në perspektivën ndërkombëtare.

Image
Mirsad Voca

"Roli i qeverive të kaluara ishte jo i favorshëm në konsolidimin e shtetit të Kosovës në marrëdhëniet ndërshtetërore rajonale dhe globale.

Qeveritë e kaluara duke u futur në bisedime që preknin tema qoftë në mënyrë indirekte apo direkte sovranitetin e Kosovës, lëkundi përforcimin e pozitës së Kosovës në perspektivën e prurjes së njohjeve dhe integrimeve në organizata ndërkombëtare (shih dështimin e integrimit në UNESCO dhe Këshill të Evropës)”, deklaroi ai.

Sipas Vocës, vendimet për njohje apo anëtarësim në organizata të Kosovës, vareshin nga rezultatet e dialogut, prandaj edhe shteti serb e shfrytëzoi këtë gjë dhe i futi në kurth qeveritë e kaluara.

“Shtete të ndryshme preferonin për të pritur rezultate nga ai dialog për të marrë vendime qoftë për njohje apo integrim në ato organizata. Madje edhe shtete anëtare që kishin njohur Kosovën abstenuan në votimin e tyre lidhur me anëtarësimin e Kosovës.

Shteti serb arriti të shfrytëzonte mirë këtë momentum ambivalent, dhe futi në grackë qeveritë e kaluara, të cilat u detyruan madje të bëjnë kompromise shtesë duke vënë në pikëpyetje afirmimin e shtetit të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare”, theksoi njohësi i integrimeve evropiane.

Në vazhdim, Voca vlerësoi se procesi i negociatave emashtroi politikën e Kosovës të asaj kohe, e cila ishte e shantazhueshme, u fut në trajektoren e njohur serbe.

“Serbia pasi dështoi në GjND, kaloi në planin B, i cili ishte që të krijoj ambivalenca politike përmes bisedimeve të ashtuquajtura teknike ku filluan të bëhen lëshime të panevojshme sikur që ishte çështja e asterix-it, në dukje jo aq i dëmshëm, por me prapavijë të qartë në aspektin politik.

Bisedimet tekniko-politike hapën tema të paqarta sepse ishin në kundërshtim me arritjet e Kosovës të cilat kulmuan edhe me vendimin e GjND-së. Pra, ky proces bisedimesh mashtroi prapë politikën e Kosovës të asaj kohe, e cila po ashtu e shantazhueshme, u fut në trajektoren e njohur serbe të krijimit të situatave ambivalente, ndërsa shtetëzimi i Kosovës ishte rikonfirmuar edhe nga GJND-ja”, nënvizoi ai.

Qeveria aktuale e Kosovës gjendet në një momentum të favorshëm gjeopolitik, i cili duhet shfrytëzuar me mençuri.

Ndërsa, sa i përket deklaratës së Daçiqit, ai tha se shumë procese do të kishin përfunduar me sukses, nëse politika e Kosovës dhe qeveritë e kaluar do të fokusoheshin më mirë.

“Krijimi i paqartësive i dha sukses Serbisë sepse u krijuan situata të reja ku kërkohej zgjidhje dhe kompromise tjera. Prandaj I. Daçiq deklaron se Serbia ka korrur suksese nga bisedimet e mëparshme. Shumë procese do kishin përfunduar duke mos rënë në grackë të agjendës së Serbisë dhe kjo natyrisht se do të mund të bëhej nëse politika kosovare do të fokusohej në më shumë qartësi, në një agjendë të pakompromis në çfarëdo bisedimesh tjera pas vendimit të GjND-së, dhe sidomos duke u fokusuar në agjendën e prioriteteve të saj, në atë të çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës, në më shumë drejtësi për viktimat e luftës, në dëmshpërblim, pra në adresimin e çështjeve të papërfunduara e deri në njohje të ndërsjellë, para çfarëdo bisedimesh tjera të cilat nuk janë në agjendë të Kosovës”, thotë Voca.

Të shfrytëzohet momentumi i favorshëm gjeopolitik i luftës në Ukrainë

Më tej, njohësi i integrimeve evropiane potencoi se qeveria aktuale nuk duhet të ndikohet nga deklaratat e Daçiqit dhe të fokusohet në mësimet nga gabimet e mëparshme dhe në prioritetet e tanishme.

“Deklaratat e I. Daçiqit apo ato serbe, nuk duhet assesi të ndikojnë në konsensusin e brendshëm politik të Kosovës. Qeveria aktuale nuk duhet fokusuar pareshtur në gabimet e qeverive të kaluara dhe këto tema t’ua lë më shumë hulumtueseve dhe analistëve. Qeveria aktuale duhet fokusuar vetëm në mësimet nga gabimet e mëparshme dhe në prioritetet e tanishme, duke krijuar edhe më shumë konsensus të brendshëm politik kurse opozita duhet të tregohet gjithnjë e më konstruktive në çështje politike me rëndësi kombëtare”, shpjegoi ai.

Në fund, Voca përmendi edhe ndikimin e luftës së Ukrainës, e që sipas tij tani Qeveria e tashme e Kosovës gjendet në një momentum më të favorshëm gjeopolitik, i cili duhet shfrytëzuar me mençuri.

“Pushtimi rus në Ukrainë ka bërë që tani Serbia të gjendet në një situatë pakrahasimisht të pafavorshme sesa në vitet e kaluara ku përkëdhelej fort nga BE-ja, sepse si gjithnjë e paqartë në rrugëtimin e saj në politikën ndërkombëtare.

Në koniunkturën aktuale politike, Qeveria e tashme e Kosovës gjendet në një momentum më të favorshëm gjeopolitik, i cili duhet shfrytëzuar me mençuri dhe përpikëri në afirmimin e Kosovës në agjendën ndërkombëtare. Prandaj, besoj se Qeveria e Kosovës duhet fokusuar ekskluzivisht në punën e saj të tashme dhe të ardhme, në mënyrë që të mos vazhdojmë pareshtur me gabime të qeverive por të numërojmë më shumë fitoret e tyre”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.

Serbia vetëm tallej me ish-udhëheqësit e shtetit tonë

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti në bashkëbisedim me “Bota sot” thotë se deklaratat e Daçiqit e konfirmuan se çfarë lloj politikanësh e përfaqësuan Kosovën në bisedime.

Image
Faton Mehmeti

Ai thotë se me ish-udhëheqësit e shtetit tonë, shteti serb vetëm tallej dhe i përdorte interesa të saj.

“Serbia është llastuar nga ish-pushtetarët e kaluar, të cilët lëshonin pe sa herë që u kërkohej, nuk e kishin interes shtetin, por pushtetin. Deklarata e Daçiqit konfirmon se me çfarë njerëz kishim të bënim, me të tillë Serbia tallej çdo ditë dhe i përdorte për interesat e saj”, deklaroi Mehmeti.

Sipas tij, qeveritë e kaluar nuk do duhej të lëshonin pe ndaj shtetit serb. Ai kërkon që qeveria Kurti ta ndryshojë qasjen ndaj Serbisë.

“Kosova s’ka pasur nevojë kurrë të lëshonte pe, as që bëhet fjalë se duhet të ndodhë prapë e njëjta gjë. Duhet që një herë e përgjithmonë të ndryshohet qasja ndaj Serbisë, Kosova të ketë dinjitet dhe integritet përballë Serbisë pasi është viktimë, jo agresor”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat