“Lojë e pistë”/ Kuadro brenda LDK-së po i “rivrasin” familjarët e atyre që mbijetuan Golgotën SHIK-ase

Politika

“Lojë e pistë”/ Kuadro brenda LDK-së po i “rivrasin” familjarët e atyre që mbijetuan Golgotën SHIK-ase

Nga: M.L. Më: 27 prill 2022 Në ora: 15:52
Disa nga të vrarët për motive politike dhe ish ministri, Skender Hyseni-Fotoilustrim

Në një bisedë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, publicisti dhe veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Idriz Zeqiraj, ka komentuar “rehabilitimin” që disa eksponentë të LDK-së po përpiqen t`ua bëjnë të akuzuarave të cilët ndodhën në paraburgim në institucionin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Njëri nga deputetët që kishte votuar pro-themelimit të Gjykatës Speciale, duket se është penduar për këtë veprim. Bëhet fjalë për ish Ministrin e Punëve të Jashtme Skender Hyseni, i cili ka thënë se po ta dinte që Gjykata Speciale do të rrëshqiste deri këtu, nuk do ta votonte për 1 mijë vjet.

Zeqiraj: Futja e LDK-së në “lojën e pistë” befasuese

Image
Publicisti Idriz Zeqiraj

Publicisti Idriz Zeqiraj ka thënë për gazetën “Bota sot” se vrasjet e kundërshtarëve politik, të filluara gjatë luftës, vazhduan edhe pas çlirimit të Kosovës, duke vënë në shënjestër edhe dëshmitarët e mundshëm.

Ai thotë se ajo që befason është futja në këtë "lojë" të pistë, të LDK-së, më saktë, të disa kuadrove, kryesisht, pjesë e klanit rrënues të partisë së Presidentit Rugova.

Tashmë, po vërtetohet kallzimi i kuadrit të PDK-së, Xhavit Haliti, se brenda strukturave vendimmarrëse, të të gjitha partive, përfshi edhe LDK-në, kanë penetruar njerëzit e SHIK-ut. Kjo u dëshmua qartë me zgjedhjen e banditeske të Hashimit president, por, edhe me koalicionet, hiç parimore, me PDK-në, përkundër mosaprovimit të elektoratit, anëtarësisë, Këshillit të Përgjithshëm dhe të vet Kryesisë të LDK-së, përjashto rrethin vicioz, klanin Mustafa”, ka thënë ai.

Zeqiraj ka rikujtuar se si për 6 muaj radhazi, ishte bllokuar krijimi i qeverisë së parë të pasluftës, ngaqë Dr. Rugova nuk e pranonte Hashimin kryeministër.

“Siç thoshte ai, se "nuk duhet lejuar të ngritet në pozitë Hashimi, sepse është i dëmshëm për Kosovën".

Por, klanorët e LDK-së, "harruan" porosinë domëthënëse dhe e bënë krimin e radhës, pas nënshkrimit të Asociacionit dhe të Demarkacionit. Dhe, rezultoi e saktë profecia e Presidentit Rugova. Rrjedhojat e nënshkrimeve të djeshme të Hashimit, po i vuan sot Kosova”, është shprehur ai.
Sipas analistit Zeqirajt, tendenca për "rehabilitimin" e Hashim Thaçit, nuk është e re.

“Shenjat e para të kësaj tendence, janë vënë re, qysh me arrestimin e ish-pushtetarëve të plotëfuqishëm të Kosovës, Hashimit me shokë. I pari nga LDK-ja, ishte ish-kryeministri Isa Mustafa, i cili deklaroi publikisht se "duhet t`i mbrojmë njerëzit tanë", edhe pse ai ishte në dijeni se të arrestuarit akuzoheshin, për krime lufte dhe të pasluftës, vrasjen e kundërshtarëve politikë, kryesisht, kuadro dhe veprimtarë të LDK-së dhe ushtarakët profesionistë, luftëtarë të suksesshëm të FARK-ut të Ibrahim Rugovës”, ka theksuar ai.

Sipas Zeqirajt, në linjën "rehabilituese", të grupit të izoluar në burgun e Scheveningen-it, ishte dakordsia e LDK-së, për financimin e mbrojtjes së tyre dhe për vizitat e familjeve të tyre.

“Por, në vend që të kufizohet një avokat, për një të akuzuar, rezulton të jenë edhe pesë avoketër, për një person të akuzuar! Si duket faktet për krime, janë aq të bollshme, sa që disa avoketër, pa shpresë në suksesin e mbrojtjes të klientit, kanë dhënë dorëheqje, për ta ruajtur reputacionn e tyre. Por, janë zëvendësuar me të tjerë, gjithsesi të zëshëm dhe të kushtueshëm, për buxhetin e varfër të Kosovës.

Gjyqi i Salih Mustafës (Cali), dëshmoi për degradimin e disa kuadrove të LDK-së, dëshmitarë, në mbrojtje të Calit, të cilët treguan zell të papërmbajtshëm, në mbrojtjen e krimit dhe të kriminelëve, "pa çarë kokën", se po i rivrisnin viktimat e SHIK-ut, alias, të Ndërmarrjes të Përbashkët Kriminale, (NPK), duke lënduar rëndë familjet tyre, miq e dashamirë si dhe duke fyer, skajshëm, anëtarësinë e LDK-së”, ka thënë ai.

Zeqiraj: Borovci i quajti dëshmitarë të manipuluar familjarët e viktimave të vrasjeve politike

Ai ka folur edhe për deklaratat e kryetarit të Degës së tretë të LDK-së, Hazir Borovci i cili ka kërkuar që nga Gjykata të mos ndikohet nga “dëshmitarët e manipuluar”.

Sipas Zeqirajt, me këtë deklaratë, sa të poshtër, edhe aq kriminale, Borovci ka aluduar në familjarët e viktimave të vrasjeve politike të pasluftës.

“Hazir Borovci, mjerisht, ende kryetar i Degës së 3-të të LDK-së, në Prishtinë, betohej në "pafajësinë" e Sali Mustafa dhe i bënte thirrje trupit gjykues: "Kërkoj nga Gjykata të mos ndikohet nga dëshmitarët e manipuluar dhe garantoj se shoku, miku im, Sali Mustafa, është i pafajshëm"! Me këtë deklaratë, sa të poshtër, edhe aq kriminale, duke aluduar tek familjarët e viktimave dhe të atyre që mbijetuan Golgotën SHIK-ase, i rivriste viktimat dhe fyente e lëndonte, provokueshëm, familjarët dhe të mbijetuarit, nga burgjet ahure të "komandantëve"!”, ka potencuar Zeqiraj.

Zeqiraj: Nuredin Ibishi implikon subjektin e tij në një grup me të akuzuarit

Po ashtu, sipas Zeqirajt, edhe ish-deputeti Nuredin Ibishi, nuk është hera e parë, që bënë argatin e PAN-it kriminal.

“Ai ka është krah atyre, të cilët mohojnë ekzistencën e FARK-ut të Ibrahim Rugovës. Ndërkohë që janë FARK-istët, ushtarakët profesionistë që hodhën bazat e themelimit të UÇK-së, më 28 Nëntor 1990. Dhe, me Betejën e Loxhës, betejat tjera, në fshtrat e Kosovës, duke kulmuar me Luftën e lavdishme të Kosharës, legjitimuan Luftën Çlirimtare të Kosovës. Luftëtar i shquar i FARK-ut, përkrah Kolonel Tahir Zemaj, ishte edhe oficeri i karrierës, Ismet Ibishi, vëllai i Nuredinit. Dhe, megjithatë, konformizmi me "komandantët" e PAN-it, ia kanë errësuar logjikën Nuredin Ibishit dhe, qëllimshëm e turpshëm, mohon faktorin ushtarak të FARK-ut. Ndërkohë që me betejat e suksesshme të tij, mburrën PAN-istët e LPK-së, por, duke i përvetësuar ato, pasi u mungojnë betejat e tyre”, ka theksuar ai.
 

Sipas Zeqirajt, eksperti i Sigurisë, Nuredin Ibishi, si pjesë e LDK-së, implikon subjektin e tij, duke përgjithësuar dhe bërë njësh me grupin e akuzuar, për krime të luftës dhe të pasluftës, në dëshminë e tij, në mbrojtje të Sali Mustafës.

"Ne pjesëtarët e UÇK-së, prej rolit të viktimës, po kthehemi sikurse agresorë". Përpjekja e Nuredinit, me shokë, për ta mbrojtur krimin dhe kriminelët, është e dështuar. "Hapëm një varr, në kërkim të një të arrestuari në burgun e Zllashit, ku ishte komandant Sali Mustafa, (Cali), por gjetëm dy kufoma, njëra mbi tjetrën", - rrëfeu në gjyqin e Hagës një dëshmitar i mbrojtur.

Dëshmitarët mborjtës, rrenacakë dhe të padinjitetshëm, me një "barrë mustaqe", i demanton, bindshëm, Cezary Michalczuk, nga Zyra e prokurorit të Specializuar, Jack Smith, deklaron:

“Asnjë prej provave të mbrojtjes nuk i hedh poshtë akuzat, alibia nuk i hedh poshtë ato. Mbrojtja pretendon se krimet thjeshtë nuk kanë ndodhur fare, asnjëherë. Pretendojnë se nuk ka pasur as marrje në pyetje, rrahje, keqtrajtim apo abuzim. Sipas tyre asnjëra prej këtyre krimeve nuk kanë ndodhur. Provat do të dëshmojnë se këto krime kanë ndodhur dhe që Mustafa është përgjegjës për to. Të gjitha viktimat ishin shqiptarë të Kosovës. Askush nga burrat e ndaluar nuk përbënte kërcënim ushtarak për UÇK-në. Ata po përpiqeshin të siguronin jetesën, duke bërë tregti nëpër tregje lokale. “Faji” i tyre ishte se i përkisnin një partie të caktuar politike – LDK-së”!”, shton Zeqiraj.

“Edhe "zogjtë e malit e dinë", se LDK-ja ka qenë bisht e patericë e PDK-së”

Zeqiraj me këtë rast ka përmendur edhe ish ministrin Skender Hyseni, deklarata e të cilit siç thekson ai nuk e ka befasuar askënd.

“SHIK-asi i hershëm, Skënder Hyseni, ish ministër i LDK-së, nuk ka befasur askënd, me mbrojtjen fanatike të krimeve dhe të kriminelëve. Deklarata e marrëzishme e provokative e tij, shprehë hipokrizi dhe mungesë të theksuar të sinqeritetit: "Po të dija se do të rrëshqiste, në diçka çfarë ka rrëshqitur, nuk do ta votoja për 1 mijë vjetë". Edhe "zogjtë e malit e dinë", se LDK-ja ka qenë bisht e patericë e PDK-së, përkatësisht, PAN-it. Pavarësisht, në pozitë apo opozitë, mujëshori Hashim Thaçi, i ka zgjedhë disa nga ministrat e LDK-së. Njëri nga këta është edhe Skënder Hyseni. Prandaj, pavarësisht bindjes së tij, ai kurrë nuk do të guxonte ta kundërshtonte votimin, sepse Hashimi e kishte bërë ministër”, ka thënë ai.

Manipulim dhe dezinformim

Sipas Zeqirajt, është manipulim ka për qëllim dezinformimin, deklarata e i ish-ministrit të LDK-së, Skënder Hyseni, se, kinse, Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, është krijuar vetëm për të hetuar Rezolutën-akuzë, të Dick Martit, për heqjen dhe trafikimin e organeve, nga individë të UÇK-së, me emër Hashim Thaçin, në cilësinë fiktive të Drejtorit Politik të UÇK-së!

Gjykata Speciale është krijuar për hetimin e krimeve të luftës dhe të pasluftës, në Kosovë dhe Shqipëri, nga disa komandantë dhe bandat e tyre.

SHIK-asi i shantazhuar, Skënder Hyseni, është urdhëruar nga shefat e tij, për një deklaratë të ndyrë, shumë provokative, jo vetëm për familjet e viktimave, të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, por edhe për elektoratin e LDK-së dhe shqiptarët atdhetarë, madje, të kudondodhur. I pacipshmi Skënder Hyseni, edhe pse i vetëdijshëm se "vrasjet politike nuk i kanë bërë jashtëtokësorët", - siç ka thënë presidenti Sejdiu, ai, pa e vrarë fare ndërgjegjja, për vrasjen e qindra veprimtarëve dhe të ushtarakëve të LDK-së, rreshtohet kundër drejtësisë, në mbrojtjen e hapur të kriminelëve dhe të bandave të tyre vrastare", ka theksuar ai.

Sipas publicistit, janë disa kuadro të lartë të LDK-së, të cilët duke qenë të “shantazhuar nga Hashimi dhe SHIK-u i tij, me nënshkrimet e tyre, kanë konsumuar elementin e tradhtisë kombëtare”.

“Edhe nënshkrimi i Demarkacionit, është një krim i kësaj përmase. Megjithatë, Skënder Hyseni asnjëherë nuk ka kërkuar falje. Përkundrazi, me reagimet e tij destruktive, gjithnjë në shërbim të PAN-it, vazhdon të provokojë, të gjithë ata kuadro dhe anëtarë të LDK-së, të cilët kontribuan në pensionimit të klanorit karrierist, me shokët e tij, të cilët, duke qenë në vartësi të PAN-it, e përbaltën LDK-në, deri në dhjesje...”, ka përfunduar Zeqiraj.


 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat