A duhet sharkuar ambasadorin Martin Berishaj?

Politika

A duhet sharkuar ambasadorin Martin Berishaj?

Nga: A.Z Më: 29 prill 2022 Në ora: 14:58
Martin Berishaj

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ambasadorit të Kosovës në Slloveni, Martin Berishaj, i cili dyshohet se është implikuar në një skandal të madh financiar bashkë me kryetarin e Partisë së Lirisë në Slloveni, Robert Golob.

Shkëmb Manaj në një konferencë për media tha se “LDK sot kërkon dorëheqjen e ambasadorit Berishaj, dhe ai duhet të përballet me institucionet e drejtësisë”, ka thënë Manaj.

“Ky skandal shpërfaq më së miri rolin e pushtetit me refuzimin e projektit amerikan të gazit. Përgjigjet do t’i marrim me hetimin parlamentar të cilin pushteti po mundohet ta ndalë. Për herë të parë në historinë parlamentare të Kosovës pushteti po mundohet të ndalë një nismë ligjore të opizitës. Ky është pushtet absolut, i cili deri sot nuk ndërmarri asnjë masë ndaj ambasadorit Berishaj. Deri sot nuk kemi fillim të hetimit nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pra nuk është marrë asnjë masë të paktën as ajo e pezullimit nga puna të ambasadorit deri në sqarimin e rrethanave. Nuk ka as dorëheqje morale sepse e ka mburojë pushtetin”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë, analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se pas këtij lajmi filluan edhe deklaratat e shumta, me ç’rast kërkuan edhe dorëheqjen e ambasadorit.

Por, sipas Mulliqit, Kurti dhe Osmani kanë qenë më të matur me këtë temë, pra duke e mbrojtur atë.

“Shumë bujë në media e në qarqet politike e diplomati, bëri plasimi i lajmit për skandalin financiar ku dyshohet se është përfshirë edhe ambasadori Martin Berishaj. Këtë e kishte bërë të ditur mediumi slloven Planet TV. Pas këtij lajmi pasuan deklarata të shumta që kërkonin dorëheqjen e ambasadorit, por edhe të atilla që e mbronin atë. Vetë ambasadori Martin Berishaj ka mohuar akuzat e mediumit slloven. Reagimet lidhur me këtë skandal ishin të shumta të bllokut opozitarë, të cilët po kërkojnë dorëheqjen e ambasadorit Berishaj. Në anën tjetër presidentja Osmani dhe kryemnistri Kurti kanë qenë më të matur lidhur me këtë temë, duke e mbrojtuar Berishajn. Sigurishtë se kjo “mbrojtje” ka arsye logjike, që lidhet me një afat kohor deri sa zbardhet në tërësi rasti”, tha Mulliqi.

Më tej potencoi se rasti duhet të zbardhet sa më shpejtë, sipas tij, kjo është bërë qëllimisht pikërishtë tani pak ditë para zgjedhjeve në Slloveni.

“Institucionet e Kosovës dhe ato të Sllovenisë duhet ‘ti koordinojnë punët, që rasti në fjalë sa më shpejtë të zbardhet. Ndoshta nuk është e tepërt për opinionin e gjerë publikë të themi, se mediat sllovene ishin ato të cilat edhe zbuluan mega skandalin finaciar, ku përfishihet edhe Robet Golob, kryetar i Partisë së Lirisë, aferë kjo ku dyshohet për shpërlarje parash. Unë mendoj se nuk duhet ngutur ta linqojmë politikisht dhe si diplomat të karrierës z. Berishaj, para se përfundimisht të bëhet e ditur se çka ishte në pyetje, dhe se sa është e vërtetë implikimi i tij. Nuk themë se nuk duhet besuar fare mediave sllovene që e plasuan lajmin, por gjyqin për askënd nuk e bëjnë mediat, kjo ju mbetet organeve përkatëse. Ky rast lë vend për të dyshuar se është bërë qëllimishtë tri ditë para zgjedhjeve në Slloveni”, shtoi ai.

Tutje tha se opozita po kërkon vetëm vrima të zeza, me qëllim që ta sulmojnë pushtetin, por nuk duhet në këtë formë ta bëjnë fushatën.

“Unë nuk dua të mbrojë Berishajn në asnjë mënyrë, por duhet të respektohen procedurat e vërtetësisë të lajmit, para se ai të largohet nga posti i ambasadorit, siç e kanë kërkuar këtë gjë LDK-ja. Opozita deri sa ishte në pushtet fare nuk ka qenë shumë e zëshme ndaj aferave korruptive, e shumë i kemi pasur. Nuk ekzitojë kurrë përgjegjësia politike, e thua se fjala dorëheqje nuk ka ekzistuar. Opozita po lë përshtypjen se ka mbetur duke kërkuar vetëm vrima të zeza, që ta sulmojn pushtetin. LDK dhe opozita duhet të sillen në mënyrë më parimore, e jo të bëhet kjo në formë të fushatës”, deklaroi Mulliqi.

Mulliqi tutje e potencoi një postim të Berishajt, dhe thekson se skandalet diplomatike të tilla nuk lejohen, por sipas tij, fjalën e fundit e kanë organet përkatëse.

“Asnjë skandal diplomatik nuk lejohet nëse vërtetohet si i tillë, dhe as i Berishajt se vihet në peshore edhe imazhi i Kosovës. Edhe një herë fjalën e fundit e kanë organet përkatëse dhe është shumë logjike që edhe të pritet vendnimi nga to”, tha Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat