Tmerr! Dy detyrat për diplomatët shqiptarë nga Edi Rama, dhe lidhja me Aleksandër Vuçiqin

Politika

Tmerr! Dy detyrat për diplomatët shqiptarë nga Edi Rama, dhe lidhja me Aleksandër Vuçiqin

Nga: P.R Më: 12 maj 2022 Në ora: 21:26
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq

Gjatë ditës së sotme, Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar kërkesën e deputetit Tritan Shehu për të votuar rezolutën që dënon gjenocidin serb në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës. Kjo ndodhi pasi Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama votoi kundër.

E vetëm pak ditë më parë, Edi Rama i ka bërë thirrje Kosovës që t’i harroj krimet që Serbia i ka bërë gjatë luftës. Sipas Ramës, duhet të harrohen rrëmujat e së shkuarës.

“Fqinjët nuk i zgjedh. Gjyshja ime më tha ‘komshiu i lumtur ,shtëpi e lumtur’. E kundërta është thjesht një makth. Ne jemi këtu për të qëndruar. Serbia nuk do të shkojë kurrkund, ashtu si dhe kroatët, malazezët. Të gjithë ne do të jemi këtu. Na duhet ta zgjidhim dhe të rritemi dhe të harrojmë të gjithë rrëmujën që kemi krijuar për njëri-tjetrin. Të mos harrojmë sa shumë kanë përfituar të tjerët në kurrizin tonë, mbi shpatullat tona, për shkak të telasheve që kemi hapur vetë. Sa e madhe është humbja për të investuar në urrejtje. Rruga është ende e gjatë për ne. Por sot jemi një vend më i mirë, krahasuar me ku ishim”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

E ndaj thirrjeve të Ramës ka reaguar profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Edi Rama është në miqësi mjalti me Beogradin e posaçërisht me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Është në ekstazën e këtyre marrëdhënieve. Prej kohësh ai nxjerr shkulma e shkumë nga goja kundër atyre shqiptarëve që kërkojnë drejtësi për krimet serbe në Kosovë. Dhe kur themi për krimet serbe duhet theksuar se ndryshe nga luftërat e tjera në ish-Jugosllavi, masakrat dhe gjenocidi serb në Kosovë ka ndodhur me angazhimin e drejtpërdrejtë të shtetit, të presidentit Milosheviç, të qeverisë, të partive politike serbe, të kishës dhe akademisë së Serbisë e madje të një pjese shumë të madhe të opinionit publik në këtë vend”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, Edi Rama në vazhdimësi është në mbrojtje të Serbisë.

“Edhe në Bosnjë-Hercegovinë e në Kroaci Serbia ishte involvuar drejtpërdrejt në konfliktet dhe gjenocidin e atjeshëm. Por falë indiferencës së ndërkombëtarëve Beogradi nuk u dënua për gjenocid sidomos në Bosnjë. U konsiderua ky gjenocid si pasojë e asaj që e quajtën „Luftë civile“! Prandaj Millosheviçi po gjykohej në Hagë për krime kundër njerëzimit në Kosovë dhe jo në rajone të tjera të ish-Jugosllavisë. Por atë e mbytën serbët, sepse po të dënohej ai, atëherë legjitimohej gjenocid shtetëror serb në Kosovë. Edi Rama nuk dëshiron të dëgjojë nga ky vesh. Ai ka tashmë vetëm një sy, një vesh dhe një gjuhë të drunjtë në mbrojtje të Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq”, shprehet Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Më tej, Bytyçi thotë se Edi Rama po hesht përballë kërcënimeve të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Kryeministri Rama është gati të dënojë çdo shqiptar, pse ai i bën akuza presidentit të Serbisë, por kurrë jo mikun e tij Vuçiq, edhe kur ky kërcënon çdo ditë Kosovën me ndërhyrje ushtarake, ose me intervenime e provokime të tjera. Edhe kur Vuçiq urdhëron hedhjen e bombave dhe të shtëna kundër policisë së Kosovës, edhe kur ai dërgon ushtrinë e ngre avionët në demonstrim kundër Kosovës, edhe pse Serbia ka ngritur 28 qendra të reparteve ushtarake në kufi me Kosovën, Edi Rama nuk flet, nuk reagon. Madje i duket se jemi ne shqiptarët që po e provokojmë mikun e tij, Aleksandër Vuçiq”.

Sipas profesor Bytyçit, deklarata e Ramës për harrimin e “rrëmujës” e të shkuarës, është një tmerr i vërtetë.

“Prandaj dhe flet për compromise dhe për harresën e asaj që ai e quan “rrëmuja të së shkuarës”! Shiko: Luftës, masakrave, gjenocidin e përkufizon si “rrëmujë”! Çfarë palaçoje! Çfarë ciniku që përbuz gjakun e dhjetëra mijë shqiptarëve dhe dramën e 20 mijë femrave shqiptare të përdhunuara! Çfarë egërsie anti-shqiptare, me të cilën I kërkohet Kosovës të harrohet gjithçka ka ndodhur para 23 vitesh! Tmerr! Dhe këtë e bën kryeministri i Shqipërisë!”, thekson Bytyçi.

Ai thotë se Edi Rama ka lëshuar ambasadorët dhe diplomatët shqiptarë kudo nëpër botë me dy detyra.

“Hiqet se e do shumë paqen! Se e bën këtë thirrje në emër të së ardhmes! Po pse atëherë nuk bën paqe me opozitën shqiptare? Pse nuk bën paqe me Albin Kurtin dhe shumicën e politikës së Kosovës? Pse injoron dhe denigron këdo nga shqiptarët që i kundërvihet në politikat e tij anti-kombëtare? Një njeri paqësor, siç na hiqet Edi Rama, duhet të ishte i tillë në radhë të parë me bashkëkombësit e tij. Por jo! Ai ka lëshuar ambasadorët dhe diplomatët shqiptarë kudo nëpër botë me dy detyra: Të denigrojnë opozitën shqiptare dhe kundërshtarët politikë të tij në Shqipëri. Dhe të promovojnë miqësinë dhe dashurinë e tij me Serbinë!”, shprehet Bytyçi, sipas të cilit, nëse do të angazhohej Edi Rama për njohjet e Kosovës, atëherë kjo e fundit sot do të ishte anëtare e OKB-së.

“Sikur kryeministri shqiptar të kishte harxhuar për njohjet e Kosovës, sa ka harxhuar për ç’njohjet e saj, ose sa ka harxhuar për të shpallur non-grata kundërshtarët e tij politikë, Kosova do të ishte sot anëtare e OKB-së! Të gjitha këto ia kemi toleruar ne. Ia ka toleruar opozita shqiptare në Shqipëri. Kanë bërë indiferentin qeveritë e Kosovës në emër të vëllazërisë! Kanë hesht disa medie dhe shumica dërmuese e kanë mbështetur. Tani nuk duhet të na vijë çudi që ai luftën, masakrat e gjenocidin serb e quan një lloj “tollovie” që duhet harruar!”.

Bytyçi i bën thirrje opozitës shqiptare që të iniciojë rezolutë në parlament, me të cilën do të dënohet gjenocidi serb në Kosovë.

“Unë jam i bindur se opozita në Shqipëri, sapo institucionalizohet, do të iniciojë një rezolutë në parlament, me të cilën do të dënohet gjenocidi serb në Kosovë. Po ashtu gjenocidi rus në Ukrainë. Kjo lëvizje e opozitës në kristalizim e sipër në Shqipëri do ta vendosë Ramën në pozita të vështira, pavarësisht faktit se ai as skuqet e as nuk zverdhet!”, thekson Bytyçi.

“Por nuk duhet të qëndrojnë indiferent as institucionet e tjera në Shqipëri, institucioni I presidentit të Republikës. Veçmas duhet të reagojnë fort institucionet e Kosovës dhe ta dënojnë qëndrimin anti-shqiptar dhe padrejtësinë e kryeministrit të Shqipërisë në raport me viktimat serbe në Kosovë!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat