"Plumbat që po vijnë nga kodrinat nuk po hetohen”/ Lufta brutale dhe shkatërruese e Rusisë po inkurajon Serbinë

Politika

"Plumbat që po vijnë nga kodrinat nuk po hetohen”/ Lufta brutale dhe shkatërruese e Rusisë po inkurajon Serbinë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 16 maj 2022 Në ora: 19:29
Foto ilustrim

Derisa lufta në Ukrainë po vazhdon ende, edhe Serbia vazhdimisht po kërcënon dhe po vazhdon mbështetjen për luftën e Rusisë.

Liderët serbë vazhdimisht kërcënojnë Kosovën, madje kohët e fundit pati edhe sulme ndaj Policisë së Kosovës, në veri të vendit.

Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla madje ka alarmuar për luftë, që mund ta përfshijë Ballkanin. Ajo në një intervistë për mediat ndërkombëtare, paralajmëron se Iufta në Ukrainë mund të depërtojë në Ballkan.

“Shtete si Izraeli mund të ndihmojnë në stabilizimin e rajonit. Ne jemi të shqetësuar se Ballkani mund të jetë pika e ardhshme e nxehtë. Që nga fillimi, Kosova ka treguar solidaritet dhe admirim për Iuftën e guximshme të ukrainasve për të mbrojtur vendin e tyre”, ka thënë Gërvalla.

“Ne nuk kemi iluzione për atë që Putini dëshiron të arrijë në Ukrainë. Ju mund të shihni disa ngjashmëri midis mënyrës se si Rusia po vepron në Ukrainë dhe si po vepron Serbia në rajonin tonë”, tha ajo.

Gërvalla, mes tjerash, vlerëson se kufijtë dhe problemet etnike janë mesazhi i kësaj lufte, teksa flet për ndryshimet e kufijve në Ballkan.

“Kjo luftë ka dhënë mesazhin se “kufijtë dhe problemet etnike”, janë sërish në agjendë, tha ajo. “Në Ballkan të flasësh për kufij dhe ndryshim kufijsh ka qenë gjithmonë çështje lufte. Serbia ka lidhje të ngushta, duke përfshirë ato ushtarake, me Rusinë”, ka thënë ajo.

Zeqiraj: Serbia sulmon dhe mohon që sulmet vijnë nga territori i saj

Image
Njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj

Lidhur më këtë ҫështje, për ‘Bota sot’ ka folur publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj. Ai duke komentuar situatën në Ukrainë thotë se sulm i paprovokuar, po konsiderohet pushtimi i një pjese të Ukrainës nga Rusia mujëshore. Banditizmi rus, po shoqërohet me një cinizëm të poshtër. "E çliruam këtë apo atë qytet të Ukrainës", - tallën barbarët rusë.

“Ministrja e Jashtme, Donikë Gërvalla, ka një shqetësim të ligjshëm, kur alarmon se Serbia mund ta provokojë Kosovën ushtarakisht, për ta bërë -fait a copli-, fakt të kryer, ndarjen e Veriut të Mitrovicës. Provokimet, në vijimësi, në veçanti, gjuajtja e përsëritur me armë, kundër Policisë të Kosovës, është paparaprijëse, në kushte normale të paqes. Serbia e mohon që këto sulme vijnë nga territori i saj. Madje, Serbia zyrtare, veç demantimit, verbalisht, edhe i ka dënuar këto akte të rënda”, vlerëson Zeqiraj.

Ai thotë tutje se, kjo nuk është e mjaftueshme. Duke qenë akte dhune, të përsëritura, Serbia, në koordinim me Policinë e Kosovës, mund ta lokalizonte krimin, madje, t`i zbulonte dhe arrestonte kriminelët, kushdo qofshin ata.

“Por, ajo nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim, për ta bindur Kosovën dhe opinionin serb, për çka po ndodhë në zonën kufitare, Kosovë-Serbi. Kosova është në hall të madh, me provokimet e tej dy dekadave, që i bëhen nga pala serbe. Me disa vendime absurde të ndërkombëtarëve, asaj nuk i lejohet vënia e forcave ushtarake në kufi. Edhe armatosjen e rëndë e ka të kufizuar. Prandaj, për mbrojtjen e territorit të vet, është e hendikepuar, në raport me Serbinë. SHBA dhe shtetet e Quintit, verbalisht, garantojnë sigurinë e Kosovës, me praninë e KFOR-it dhe të NATO-s në Kosovë. Por, shembulli i hidhur dhe skajmërisht tragjik i Bosnjës, ku masakrat makabre ndodhën, pikërisht, në sy të forcave ushtarake ndërkombëtare, përkatësisht, holandeze, të cilat nuk zbrazën asnjë plumb! Megjithatë, ata e përsërisin sloganin: "Kosova është e garantuar"! Por, edhe pse makinat, me policë brenda, goditen nga plumbat, që vijnë nga kodrinat malore, KFOR-i ende nuk ka reaguar me forcën e armëve”, thekson ai.

Publicisti Zeqiraj thotë se sulmi "blic", sidomos për pushtimin e veriut të Mitrovicës, gjithnjë mbetet një rrezik real, bazuar në interesat që ka Rusia, për ta shtrirë konfliktin përtej Ukrainës.

“Megjithatë, Serbia e ka provuar forcën e NATO-s dhe nuk besoj ta kenë harruar, kaq shpejt, politikanët dhe populli i çoroditur serb. Por, e keqja e madhe është se Serbia nuk po arrin të lirohet nga tutela e vrazhdët ruse dhe ndjesia sllavo-ortodokse e tyre”, thekson ai.

Edhe Inteligjenca amerikane nuk e përjashton mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit edhe jashtë Ukrainës, nënvizon Zeqiraj.

“Si mundësi e parë, janë lakuar emrat e disa shteteve në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, dhe Bosnjën si dhe Moldavinë. Pas tyre janë pikëtuar edhe disa shtete nordike, të cilat, ende nuk janë pjesë e NATO-s, si dhe ish-aleatët e Rusisë, për rreth saj. Nëse ndodhë më e keqja, sulmohet Kosova nga Serbia, e armatosur nga Rusia e Kina, Kosova edhe mund të ndihmohet me armatim nga disa shtete të Evropës dhe Amerika. Por, kurrë siç ndihmohet Ukraina sot, sepse interesat ndryshojnë. Rusia pa Ukrainën nuk është superfuqi, kurse me pushtimin, bashkimin me Ukrainën, Rusia bëhet superfuqi. Dhe, kjo do të ishte fatkeqësi, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën dhe botën. Megjithatë, pas ndihmës me disa miliarda euro, dhënë Ukrainës, ka zëra, si Ministrja e Jashtme gjermane, zyrtarë të lartë amerikanë, se "nuk mund të rrezikojmë standardin e jetës të qytetarëve të tanë, për ta ndihmuar Ukrainën", vlerëson ai.

Sipas Zeqirajt, historikisht, është dëshmuar se Rusia sllaviste e ka në gen sadizmin, barbarinë, krimin, qoftë edhe për vet popullin rus. Lenini ishte një fashist teorik, i cili projektonte imponimin e bashkimit të popujve tjerë, jo rus, me shtetin e sovjetëve, për ta realizuar sovjetizmin, komunizmin, në shkallë botërore! Stalini ishte një fashist praktik, faktik, i dhunshëm e kriminel, që persekutoi, internoi, përndoqi, burgosi miliona njerëz, banorë sovjetikë, në mes tyre, të paktën, 20 milionë i ekzekutoi, ngeshëm e kriminalisht!

“Lufta brutale dhe shkatërruese e Rusisë kundër Ukrainës dhe kërcënimi ndaj shteteve tjera, përfshirë edhe Kosovën, që po kërkojnë çadrën mbrojtëse të SHBA-së dhe Evropës, pra, të bëhen pjesë e NATO-s. Evropa, në ballë të saj Gjermania, tashmë, po i sheh dhe pranon fajet e bëra, në raport me marrëdhëniet me Rusinë. Përkundër paralajmërimit të Amerikës, se po gabojnë rëndë, në veçanti, në lidhjet vartësore ekonomike me Rusinë, veç tjerash, me kontratat importuese miliardshe të gazit dhe të naftës ruse. Thënë troç, mbizotëruan interesat meskine, të disa shteteve të fuqishme të Evropës, pa vizionin për të ardhmen dhe dëmtuan vetën, Evropën dhe po rrezikojnë edhe botën! Edhe në çështjen e mbrojtjes, Evropa ishte e përgjumur! Disa shtete kishin përqafuar ideologjinë e mykur dhe shkurtpamëse të gjeneralit frëng, De Gol, që, "Franca nuk ka nevojë për ombrellën amerikane", gjë që rezultoi, tërësisht, e gabuar. Sepse, pa SHBA të fuqishme, nuk ka as Evropë të lirë e demokratike. Rusia është rrezik real, jo vetëm për Evropën, por, edhe për botën. Këtë e dëshmoi edhe kërcënimi bërthamor i liderit monstrum rus – Putin”, përfundon Zeqiraj për ‘Bota sot’.

Mulliqi: Fillimi i një lufte të re në Kosovë, do të ishte fatale për Serbinë dhe Rusinë

Image
Analisti politik, Skënder Mulliqi

Ndërkaq, analisti politik, Skender Mulliqi thotë se, Rusia është ajo që e ka humbur luftën në Afganistan, dhe do ta humb edhe luftën pushtuese me Ukrainën. Agresorët mund të shkaktojnë dëme dhe viktima të mëdha, por në fund e humbin luftën. Se nuk gjunjëzohet një popull, i cili kërkon lirinë dhe pavarësinë e vet, e kanë treguar tashmë shumë luftëra që kanë ndodhur në botë.

“Lufta e cila po zhvillohet në Ukrainë megjithatë ka specifikat e veta, se po ndodhë në qendër të Evropës. Putin po bëhet i rrezikshëm për paqen botërore, se nuk është duke e pranuar faktin se nuk ka mundësi ta fitojë luftën me Ukrainën 43 milionëshe. Edhe kur ka filluar agresioni ushtarak rus në Ukrainë shumë ekspertë ushtarak dhe burrështetas kanë ndarë mendimin se diktatori Vladimir Putin, do të tentonte ta zhvendos luftën edhe në Ballkanin Perëndimor, duke u bazuar në aleatin saj natyror, Serbinë hegjemoniste, të cilës në vitin 1999 NATO-ja e bombardo për shkak të gjenocidit në Kosovë. Unë e justifikojë mendimin dhe dronë e zonjës Gërvalla se Serbia mund të fillojë ndonjë aventurë të re ushtarake në Kosovë, sepse qe shumë kohë është duke u armatosur nga Rusia dhe Kina, me armë të sofistikuara, por mendoj se fillimi i një lufte të re në Kosovë, do të ishte fatale për Serbinë dhe Rusinë”, vlerëson Mulliqi.

Ai thotë po ashtu se, Kosova është vend neuraligjik dhe është vend strategjik për Amerikën dhe Evropën, dhe ҫdo tentim që Serbia e bënë për luftë të re pushtuese në këtë pjesë të botës, do të ishte fillimi i një lufte botërore me pasoja fatale për dy këta agresorë, që vështirë do të ndodhnin.

“Rusia është duke e kërcënuar Finlandën, e cila si duket do të bëhet shpejt pjesë e NATO-s dhe paralelisht me këtë po na kërcënon edhe Vuҫiqi, ku Kosova edhe zyrtarisht ka aplikuar për tu bërë pjesë e Këshillit të Evropës. Kjo flet se bëhet më shumë fjalë për kërcënime frikësimi të Kosovës, që ajo të ndalet në rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Është krijuar Fondi për Luftë, dhe në këtë drejtim duhet të kemi një përshpejtim, që edhe Kosova të armatoset. Se asnjë shtet nuk mund të ekzistojë pa një armatë të fortë për ta ruajtur të ardhmen. Dihet se në vendin tonë janë trupat ushtarake të KFOR-it. Nëse dikush ka dyshime se KFOR-i dhe përgjithësisht NATO, do të janë indiferente ndaj provokimeve më luftë të Rusisë dhe të Serbisë, në Kosovë dhe në rajon do të gabohen. Ballkani është vija e kuqe ku Amerika dhe Evropa nuk do të lëshojnë pe”, thotë ai.

Megjithatë, Mulliqi thotë se masat preventive gjithmonë duhet të ekzistojnë, se nuk është as logjike të jetë ndryshe. Rusia është duke e përdorur dhe është duke bërë thirrje që të mos harrohet se gjoja Kosova është rast precedent, si justifikim të agresionit të saj ushtarak mbi Ukrainën.

“Nga kjo rrethanë politike duhet shikuar edhe kërcënimet e fundit për luftë nga kreu i Kremlinit. Mos të harrojmë kur jemi këtu se sanksionet e forta ekonomike në njërën anë dhe furnizimi me armatim që po i bëhet Ukrainës, janë duke dhënë efektin e duhur që Moskën po e nervozojnë dhe po e dërgojnë drejt kapitullimit ushtarak”, thekson Mulliqi për ‘Bota sot’.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat