“Po bien këmbanat – Qeveria duhet të alarmohet dhe mobilizohet”/ Vjen paralajmërimi për Qeverinë Kurti, ja kujt duhet t’i shpallë luftë serioze!

Politika

“Po bien këmbanat – Qeveria duhet të alarmohet dhe mobilizohet”/ Vjen paralajmërimi për Qeverinë Kurti, ja kujt duhet t’i shpallë luftë serioze!

Nga: N.SH Më: 17 maj 2022 Në ora: 17:43
Kryeministri Albin Kurti

Në Kosovë, përveç krimit e korrupsionit në nivelin e lartë, po ndodhin edhe fenomene të tjera, si trafikim i drogës, përdorimi i tyre nga të rinjtë sidomos në shkolla e vende publike, kontrabanda në veri, trafikimi me njerëz, mallra e shumë dukuri të tjera negative për venidn.

E kjo dukuri është shetësuese për ekspertin e sigurisë, Hajrullah Tërnavën, i cili shton se, dukuri të këtyre krimeve po ndodhin edhe në bashkëpunim me krimin e organizuar në Shqipëri.

Tërnava shprehet se, një shqetësim i tillë është përmendur edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Sipas tij, nga Shqipëria, po ndodh trafiku i drogës edhe në Kosovë.

Ai shton se, po zgjerohet rrezja e krimeve përtej kufijve, kështu duke u frocuar lidhjet me grupe kriminale të cilat po ndikojnë në të gjitha nivelet e pushtetit.

Ai shprehet se nga këto pastaj po rrjedhin të gjitha të këqijat, si kontrabanda, trafikimi me njerëz dhe mallrash, pastrimi i parasë deri në  nivel të institucionalizimit të saj, sidomos në fushën e biznesit të pistë te lidhur me krimo politikën.

Image
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

“Raporti i DASH-it për vitin e kaluar e konsideron Shqipërinë si një vend burimi të kanabisit dhe bazë lokale për trafikantët ndërkombëtarë të drogave, ku qeveria shqiptare de fakto ja ka dorëzuar sovranitetin dhe kontrollin në territor bandave të krimit të organizuar, që për fat të keq pasi përdoren në zgjedhje për të grumbulluar vota duke kërcënuar, intimituar dhe blerë vota për rilindjen ata shpërblehen edhe me emërime në postet kyçe qeveritare, me kontrollin e emërimeve në administrate dhe ju ofrohet paprekshmëri në aktivitetin e tyre kriminal”, thotë Tërnava për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, edhe pse në raport konstatohen disa masa veprimi simbolik gjatë vitit të kaluar kundër bandave të krimit të organizuar, raporti i DASH-it me  incizimin e gjendjes dhe evidentimin e fakteve konfirmon shqetësimin për bashkëpunimin e qeverisë me grupet kriminale.

“Shqipëria është një vend burim i kanabisit dhe një bazë lokale për grupet e krimit të organizuar që lëvizin drogat e paligjshme nga vendet e origjinës në tregjet evropiane. Për fat të keq për Shqipërinë ky është vlerësimi në Raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit mbi Strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe këmbehet me heroinë dhe kokainë, të cilat kontrabandohen nëpër Evropë nga trafikantët kombëtarë shqiptarë, të cilët luajnë një rol të madh në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe rrjetet e krimit të organizuar”, shprehet Tërnava.

Sipas tij, Shqipëria konsiderohet si një element kyç i rrugës ballkanike të trafikut të drogës në Evropën Perëndimore dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

“Grupet shqiptare të krimit të organizuar janë të pranishme në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe në të gjithë Evropën, si dhe në Amerikën e Jugut, duke përfshirë Ekuadorin, Kolumbinë dhe Perunë. Grupet shqiptare vlerësohet të kenë shtrirë praninë e tyre në të gjitha hallkat e trafikut që nga blerja, transporti, shpërndarja deri te zinxhiri i shitjeve kudo nëpër botë. Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se “sundimi relativisht i dobët i ligjit, korrupsioni dhe niveli i lartë i papunësisë janë nxitësit kryesorë” të fenomenit të drogës në Shqipëri”, thekson tutje ai.

Tërnava pohon se, krimi i dhunshëm në Shqipëri është shpesh i lidhur me krimin e organizuar dhe, gjyqtarë, prokurorë, policë dhe gazetarë kanë qenë subjekt i kërcënimeve.

“Tani shtrohet pyetja serioze se çfarë duhet të bëjë Qeveria e Kosovës, institucionet e sundimit të ligjit, që të shkëputin trashëgimin kriminale që e kanë gjetur pas ardhjes në pushtet, atë trashëgimi të lidhjes dhe ndikimit të krimit të Organizuar nga baza e tij lokale në Shqipëri, me degët e shtrira në Kosovë, në politikë dhe në biznes, pasi që lirisht mundë të thuhet se gjendja në Kosovë nuk ka dalluar shumë nga ajo në Shqipëri, sepse njësoj si atje edhe këtu, në mandate te kaluar praktikisht qeveritë e deritashme e kishin kopjuar modelin e qeverisjes në Shqipëri dhe sovranitetin dhe kontrollin në territor dhe në institucione, në biznes, e kanë ushtruar grupet mafioze të lidhura me politikën, që përfaqësonin asgjë më shumë se nëntokën e krimit të organizuar”, pohon ai.

Sipas tij, aktiviteti kriminal i këtyre degëve të mafias shqiptare në Kosovë shkon më tej duke pastruar edhe paratë e pista me përmasa alarmante.

“Kjo po ndodh sidomos në fushën e ndërtimit, duke investuar miliona e miliarda në mega komplekse kolektive banesore, pasi që Kosova e ndikuar dhe infektuar për gati dy dekada nga lidhjet me krimin e organizuar në Shqipëri ka qenë hapësirë e pambrojtur ndaj Pastrimit të Parave për shkak të korrupsionit, pranisë së rrjeteve të krimit të organizuar dhe boshllëqeve në legjislacion dhe mbikëqyrje efikase të rrjedhës dhe qarkullimit të parasë. Ndonëse akoma nuk është publikuar një raport analitik i kësaj natyre për gjendjen në Kosovë, kambanat e forta të alarmit dhe reagimeve të përvitshme të DASH për këtë lloj të krimit në rajon, në Shqipëri dhe Kosovë, do të duhej alarmuar dhe mobilizuar Qeverinë e Kosovës, për t’i shpallë luftë serioze krimit të organizuar dhe korrupsionit”, vlerëson Tërnava.

Eksperti i sigurisë pohon se, kjo Qeveri Kurti ka ardhur në pushtet me flamur të ngritur lartë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit që të ju shpallë luftë frontale grupeve të tilla mafioze që gjenezën dhe modelin e kanë nga Shqipëria.

“Kjo gjenezë është nga shkolla mafioze krimit të organizuar të Edi Ramës, është për të ardhur keq, që edhe pse vitet kalojnë vlerësimi i DASH-it sa i përket Shqipërisë si vend prodhues dhe Kosovës për vend tranzit i lëndëve narkotike, mbetet i njëjti, dy vendet më të korruptuar në Evropë. Nëse nuk ndërmarrin luftime në vepër të këtyre llojeve të krimit sikur që po ceken edhe në Raportin e DASH-it, atëherë shtetet tona do të mbesin gjithnjë të njollosura dhe pa perspektivë për të lëvizur drejtë BE-së, prandaj duhet të veprohet pamëshirshëm në luftimin e krimeve në përgjithësi dhe t’i tregohet botës se edhe në me vepra pozitive i takojmë botës demokratike dhe e kemi vendin në BE”, përfundon Hajrullah Tërnava.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat