“LDK nuk ka pasur në radhët e saj ‘komunistë specialë’ të UDB-së”/ Zogaj: Pasojat e dorës së fshehtë të Bardhyl Mahmutit po i vuan sot Kosova

Politika

“LDK nuk ka pasur në radhët e saj ‘komunistë specialë’ të UDB-së”/ Zogaj: Pasojat e dorës së fshehtë të Bardhyl Mahmutit po i vuan sot Kosova

Nga: M.L. Më: 23 maj 2022 Në ora: 08:19
Bardhyl Mahmuti

Një deklaratë e ish-përfaqësuesit politik të UÇK-së, Bardhyl Mahmuti lidhur me krijimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka nxitur një debat të ashpër në opinion. 

Mahmuti ka deklaruar se LDK u formua nga strukturat e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. 

Gjatë një interviste televizive, Mahmuti ka deklaruar se LDK, është një transformim i strukturave të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë në një forcë politike të caktuar. 

Image
Skender Zogaj

“Strukturat e Lidhjes socialiste të popullit punonjës kanë qenë në çdo fshat në çdo bashkësi lokale, në çdo lagje dhe me automatizëm dorëzohen librezat e tyre partiake dhe kaluan në LDK”, ka thënë mes tjerash theksoi ai.  

E këtë deklaratë për gazetën “Bota sot” e ka komentuar Skender Zogaj, një nga anëtarët e hershëm të LDK-së dhe njeri i afërt me presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova.   

Zogaj: Deklarata e Bardhyl Mahmutit, tipike agjenturore sllavokomuniste 

Kështu Zogaj ka thënë se pasojat e okupatorit serb janë të mëdha dhe afatgjata, sepse, njerëzit e ligë, argatët, spiuj dhe përçarës, vazhdojnë t'i shërbejnë dhe shkaktojnë plagë kombit tonë. 

Këtë sipas tij e tregon edhe deklarata përbuzëse e Bardhyl Mahmutit.  

“Siç po vërtetohet, pasojat e okupatorit serb janë të mëdha dhe afatgjata, sepse, njerëzit e ligë, argatët, spiuj dhe përçarës, vazhdojnë t'i shërbejnë dhe shkaktojnë plagë kombit tonë. Kjo kategori e njerëzve nuk është kriju rastësisht dhe as brenda një nate, por janë rezultat  i seleksionimit të njerëzve me paradispozita ligësie, që  kanë qenë më lehtë të thyeshme dhe lakmitarë për para e pushtet! Të këtillët që u kanë shërbyer pushtuesve në të gjitha kohët, ia kanë fut thikën në shpinë popullit të vet! Figurë e këtillë po tregohet edhe Bardhyl Mahmuti i cili si një kërmill është shfaqur gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, e po e vazhdon jargosjen ndotëse edhe tash kundër vlerave më të kristalta historike të popullit të Kosovës dhe lirisë e pavarësisë së saj!  

Dëshmi është deklarata përbuzëse e Bardhyl Mahmutit, tipike agjenturore sllavokomuniste, që LDK-n e shpjegon të krijuar nga LKJ!”, ka thënë ai.  

Sipas publicistit Zogaj, deklarata e Mahmutit është shpifje tipike e UDB-s, e cila me kësi lloj propagande gënjeshtare e ka shtypur dhe është përpjekur ta mohojë dhe asgjësojë popullin  shqiptar!  

“Ky lloj misioni i z. Mahmuti, është për keqardhje sepse u hedh hije të keqe  edhe mediave që këtij personi ia mundësojnë të bëje ndotje propagandistike. Por, meqë kjo po ndodh, atëherë, themi se, duhet të mos heshtim por të angazhohemi për ta zbardhur të vërtetën e krijimit të LDK”, ka deklaruar ai. 

Më tej, Zogaj ka treguar historinë e themelimit të LDK-së, duke thënë se intelektualët më eminentë shqiptarë i hodhën librezat e kuqe dhe e rrënuan mortajën komuniste, të parët në gjithë kampin komumist! 

LDK -ja i tuboi të gjithë idealistët e lirisë, por jo maskarenjtë e maskave 

“Bardhylit i themi:  

Po është e vërtetë që, në vitin 1990 në LDK kanë aderuar shumica absolute e intelektualëve shqiptarë të kohës, që ishin anëtarë të LKJ-s, por që e braktisën atë dhe ia hapën shtegun lëvizjes demokratike kombëtare shqiptare dhe që iu rrekën veprimtarisë çlirimtarë të Kosovës. Po, ishin intelektualët më eminentë shqiptarë që i hodhën librezat e kuqe dhe e rrënuan mortajën komuniste të parët në gjithë kampin komumist! Ishin intelektualët komunistë shqiptarë, bijtë më të mirë të Nënës Kosovë që i thanë ish-jugosllavisë "ndal" dhe që parët e Ballkanit që krijuan LDK, e cila e para doli në skenë dhe shqip që e shfaqi rrezen e parë të demokracisë dhe pluralizmit ballkanik. Po LDK-ja ishte sofra e të gjithë atyre që e kishin në zemër lirinë, refuzimin e hegjemonisë serbe dhe të diktaturës komuniste”, ka treguar ai. 

Publicisti ka thënë se LDK -ja i tuboi të gjithë idealistët e lirisë, por jo maskarenjtë e maskave “me sy mace e vesh gomari!”. 

“Po, LDK-ja ka bërë përpjekje i ka grumbullu njerëzit e saj, por që maksimalisht është përpjekur të qëndrojë sa më larg UDB-ashëve dhe spiujve të shumtë, si disa që i përkasin rrethit të ngushtë të z. Mahmuti i cili e di që kanë qenë argatë të vendosur nëpër institucionet e Kosovës dhe që i kanë spiunuar shokët e tyre, kuadrot më të devotshme shqiptare nëpër institucionet më të rëndësishme, siç ishte, fjala vjen, NGBG "Rilindja"!”, ka nënvizuar ai. 

“Dora e fshehtë” dhe pasojat e saj 

Zogaj ka shtuar se  z. Mahmuti e di saktë se në këtë tempull drite atdhetarie, me porosi ishin instaluar lakej, që mund të mos kenë qenë formalasht anëtarë të LKJ, por kanë qenë argatët e saj praktikë, sepse, prej tyre janë ruajtur me shumë kujdes edhe komunistët më të besuar e me poste partiake!  

“Sigurisht që po, sepse, jo pak komunistë e kanë pësuar dhe janë dergjur kazamateve ndërkohë që spiujtë janë transferuar nga një vend në tjetrin, duke i përtëri detyrat e besimit dhe përfitimet! Po, z. Bardhyl e di këtë por, për ta kamufluar të vërtetën, e kërkon fajin të LDK-ja e cila i ka përfshi të gjithë komunistët shqiptar, por jo "komunistët special" të UDB-s, të cilëve ua ka prish rehatinë dhe sefallëkun, prandaj këta dhe pasardhësit e tyre, kurrë nuk mund t'ia falin fajin LDK-së”. Ndër të pakënaqurit siç po e vërteton është Bardhyli që pas depërtimit të porositur në kreun e LPK-së, e kanë kriminalizu këtë organizatë politike duke ia tjetërsu idealet atdhetare  dhe duke i kriminalizuar disa nga djemë e saj, më shpifje e shantazhime deri në krime!”, është shprehur ai.  

Analisti Zogaj ka thënë se pasojat e dorës së fshehtë të Bardhyl Mahmutit po i vuan Kosova, liria dhe pavarësia e saj e cunguar edhe 22 vjet pas luftës. 

“Nga kjo ka përfituar z. Mahmuti si shefit diplomatik i UÇK-s që e ka kryer me sukses përfitimesh personale, mirëpo, pasojat e dorës së tij të fshehtë tash po i vuan Kosova, liria dhe pavarësia e saj e cunguar edhe 22 vjet pas luftës, po e vuajnë gjithashtu edhe disa nga bashkëpunëtorët e tij, ata që i kanë besuar Bardhyl Mahmutit, nga të cilët disa nga figurat më eminente të atdhetarisë janë vra, ndërsa të tjerë po ndiqen si të dyshuar për krime, ndërsa z. Bardhyl Mahmuti shet kopalla me qëllim që të prodhojë mjegull”, ka përfunduar Zogaj. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat