Lufta Rusi-Ukrainë alarmoi Botën/ Eksperti i sigurisë ka një thirrje për diasporën shqiptare: Kontribuoni në Fondin e Sigurisë

Politika

Lufta Rusi-Ukrainë alarmoi Botën/ Eksperti i sigurisë ka një thirrje për diasporën shqiptare: Kontribuoni në Fondin e Sigurisë

Nga: N. Sh. Më: 23 maj 2022 Në ora: 15:57
FSK

Lufta në Ukrainë, ka alarmuar pothuajse të gjitha shtetet e Botës.

Kërcënim i sigurisë, kështu po vlerësohet nga ekspertët e sigurisë dhe liderët botëror, fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Tashmë u bëren muaj të tërë që Rusia ka futur forcat e veta në Ukrainë, aty ku po përballen me ushtrinë dhe popullin ukrainas, e që nga humbjet e mëdha të pësuara rusët po kryejnë edhe krime ndaj civilëve.

Pas fillimit të kësaj lufte pothuajse të gjitha shtetet e botës kanë filluar të armatosen dhe të ndajnë fonde të mëdha për ushtrinë e tyre.

E një fond për sigurinë e ka krijuar edhe Qeveria e Kosovës.

Fondi i Qeverisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ka qenë temë diskutimi në Kuvend javën e kaluar, ku kishte debate të ashpra.

Ende nuk dihet se sa para janë mbledhur në këtë fond, i cili ishte temë diskutimi dhe acarimi ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Mirëpo, ajo që është me rëndësi është që qytetarët e Kosovës kanë mundësi të kontribuojnë në fondin e krijuar nga Qeveria.

E një kërkesë të tillë po e bën edhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, i cili thotë se, duhet të bëhet çmos për ta ndihmuar këtë fond, ku fton edhe diasporën shqiptare që ta mbështesin këtë iniciativë të Qeverisë.

Image
Hajrullah Tërnava

“Diaspora shqiptare gjithnjë i kanë ndihmuar Fondet e ndryshme edhe në të kaluarën, por tani jemi në një kohë të palakmueshme, sepse ato Fondet e mëparshme që janë tubuar nga diaspora e që ishin Fondi 3% dhe Vendlindja Thërret, e që kishte dyshime të bazuara që janë keqpërdorur, edhe kanë kërkesave të shumta nga diaspora që të hulumtohen ato Fonde, nga ana e përfaqësuesve të shtetit për keqpërdorimet e tyre”, thotë Tërnava për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, deri tash asnjëherë, askush nuk është marrë me ato kërkesa të diasporës, duke shtuar se, edhe vetë përfaqësuesit e atyre Fondeve që kanë qenë njerëzit iniciator të krijimit të atyre Fondeve, që kërkonin që të hulumtohen keqpërdorimet e atyre Fondeve, janë të zhgënjyer sepse pas luftës askush nuk është marrë me ato hulumtime.

“Kjo është arsye pse tani ekzistojnë dyshime në këtë pikëpamje se a do të përgjigjet diaspora si në ato vite që i pati nda ato mjete shumë milionëshe, e që tani gjithësesi se po i nevojiten FSK-së për armatimin e saj. Ishte për habi tani porositësit e atyre keqpërdoruesve të atyre Fondeve që iu jepnin detyra opinionistëve në TV, që për hirë të kërkesave të dyshimeve të diasporës, ata t’i quanin “gërrnaqa” dhe i ofendonin edhe me të tjera fjalë fyese. Kjo është ajo e keqja e asaj që kur na vyen diaspora pa të cilën nuk bënë, ne e respektojmë, e nëse diaspora kërkon gjëra ligjore për ato Fonde, që të verifikohen dyshimet e keqpërdorimeve, ne tallemi me të”, thotë ai.

Sipas tij, tani diaspora po i përjeton dhimbshëm ato ofendime dhe zhvlerësime të skajshëm të kontributit që ka dhënë.

“Prandaj këto janë ato dilemat, që tani diaspora është mjaft e zhgënjyer për kontributet që i ka dhënë deri më tani e që në fund janë keqpërdorur, dhe dikush është pasuruar skajshëm me ato fonde. Kjo dihet ashiqare sepse ka fakte për këtë. Prandaj ekziston dyshimi se a do t’i përgjigjen ashtu si ishte dashur t’i përgjigjet diaspora kësaj iniciative tani, dhe situata në të cilën tani gjendemi, sepse edhe mbas kaç viteve të çlirimit po ndikon negativisht dështimi për më shumë se 20 vite i institucioneve të drejtësisë, në zbardhjen e aferës së plaçkitjes së fondeve të luftës, Fondit 3% dhe Vendlindja Thërret, për të kontribuar më me vullnet dhe entuziazëm e besim të plotë tash edhe në Fondin e sigurisë së Kosovës për ta fuqizuar dhe profesionalizuar, por edhe armatosur Forcën e Sigurisë së Kosovës”, thotë Tërnava.

Sipas tij, tash është një nevojë e domosdoshme e përshpejtimit në hapa konformë rrethanave të reja ndërkombëtare të sigurisë së krijuar me luftën në mes Rusisë e Ukrainës dhe rrezikun potencial të zgjerimit të mëtejshëm të saj, sidomos të nxitjes së ambicieve të Serbisë karshi Kosovës, për ta forcuar dhe zhvilluar forcën tonë të mbrojtjes dhe të sigurisë.

“Është e rrugës, e drejtë dhe e domosdoshme që më në fund edhe Qeveria Kurti ta aktualizon këtë çështje, duke i kërkuar prokurorisë për t’i hapur dosjet dhe për të vepruar, sepse dihet mirëfilli që ligjërisht asgjë me ato fonde nuk është sqaruar, asgjë nuk ka përfunduar, nuk ka llogaridhënie dhe askush nuk është nxjerrë para drejtësisë dhe ndëshkuar”, pohon ai.

Tërnava shton se, Qeveria e cila i ka marrë mbi 50% të votave, me bindje që t’i luftoj të gjitha ato të këqija kriminale që janë krye deri më tani, duhet të merret edhe me zbardhjen e fatit të Fondit 3% dhe Vendlindja Thërret.

“Sikur të fillonte hulumtimi serioz ligjor dhe kjo çështje të zbardhej, besoj se diaspora me përpikëri do i përgjigjet kësaj kërkese dhe Fondi për FSK-në do të ishte mjaft i pasur, sepse çdokush tani do të besonte në ligjshmëri të shtetit të Kosovës”, përfundon Hajrullah Tërnava.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat