“Përgjigjen ta japë Albin Kurti”/ Bytyçi jep detajet: A janë këto arsyet pse kryeministri nuk u prit në Shtëpinë e Bardhë?

Politika

“Përgjigjen ta japë Albin Kurti”/ Bytyçi jep detajet: A janë këto arsyet pse kryeministri nuk u prit në Shtëpinë e Bardhë?

Nga: P.R Më: 24 maj 2022 Në ora: 21:17
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës në SHBA

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për më shumë së dy javë.

Gjatë qëndrimit në SHBA, edhe pse vizitoi institucione të shumta e takoi personalitete të ndryshme, Kurti nuk arriti që ta vizitojë Shtëpinë e Bardhë, për çka u kritikua nga ish kryeministrit, Avdullah Hoti.

“Shëtitje në shumë adresa, përpos në adresën që për botën demokratike, dhe për shqiptarët në veçanti, është adresa e të gjitha adresave: Shtëpia e Bardhë. Parimisht, vizita në Shtëpinë e Bardhë mundëson qasje të suksesshme në të gjitha adresat e tjera, e jo e kundërta”, shkroi ish kryeministri, tash deputet i LDK-së, Avdullah Hoti.

Kritika për Kurtin ka pas edhe nga partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

E për vizitën e Kurtit në SHBA, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi,

Image
Enver Bytyçi

“Kryeministri Kurti qëndroi më shumë se dy javë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një vizitë kaq e gjatë nuk ka ndodhur me paraardhësit e tij. Shumë nga analistët dhe opinionistët, si dhe politikanët opozitarë në Kosovë e kanë konsideruar këtë vizitë të dështuar. Sipas tyre shkaku ishte fakti që kryeministri i vendit nuk takoi dikë me rëndësi të madhe në Shtëpinë e Bardhë. Unë nuk e di nëse vizita u zhvillua me iniciativën e Kurtit, apo pati ndonjë ftesë zyrtare. Por besoj se ai nuk e kishte një ftesë të tillë”, thotë Bytyçi, i cili tregon edhe arsyet pse vizita e Kurtit në SHBA nuk mund të quhet e dështuar.

“Nëse do kishte ftesë, natyrisht që do të pritej së paku nga shefi i diplomacisë amerikane. Prandaj dhe unë nuk e konsideroj si një vizitë të dështuar. Por njëkohësisht do të doja që kryeministri i Kosovës të pritej si shtetar në nivelet më të larta të shtetit amerikan. Kjo nuk mund të ndodhte në kushtet e një vizite gati private të tij”.

Më tej, Bytyçi thotë se në Shtëpinë e Bardhë ka një lloj hezitimi, për çka Kurti është informuar edhe nga Gabriel Escobar.

“Megjithatë çdokush ka të drejtë të shtrojë dy dilema: Së pari, pse nuk i është bërë një ftesë zyrtare kryeministrit të vendit? Pse ai nuk u prit edhe në kushtet e vizitës joformale nga ndonjë personalitet i lartë amerikan, Presidenti, zv. Presidentja ose Sekretari i Shtetit? Përgjigjen mund ta japë Albin Kurti. Por në perceptimin tim ka një lloj hezitimi në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit. Pritja që ia bëri Gabriel Escobar dhe biseda me të ndoshta e ka sqaruar këtë moment. Por duke mos dashur të spekuloj, besoj se gjithçka ka të bëjë me raportet e Kurtit me Evropën dhe ndërkohë edhe me raportet e SHBA-ve po me Evropën. E kam thënë edhe herë të tjera: Nëse shqiptarët në Ballkan e hoqën qafe pas rënies së komunizmit dilemën me Perëndimin apo me Lindjen, tani do të përballen me dilemën Evropë-SHBA. Nëse do të ketë probleme dhe konflikte midis Evropës dhe SHBA-ve, atëherë ato do të reflektohen në qëndrimin ndaj Kosovës”, deklaron Bytyçi.

Sipas tij, Albin Kurti ka dëshmuar një afërsi të dukshme me vendet e Bashkimit Evropian.

“A ka bërë gabim? Nuk mund të them se është gabim të mbështetesh te politikat evropiane. Sepse ne jemi në Evropë dhe duam të integrohemi në këtë kontinent. A është e mundshme që të ruash një ekuilibër marrëdhëniesh me të dy aktorët? Eshtë e vështirë, por nuk është e pamundur. Besoj se në SHBA ka politikanë, të cilët nuk i shohin me sy të mirë lidhjet e zotit Kurti me evropianët, sidomos me gjermanët”, nënvizon Bytyçi, sipas të cilit, Kurti po shihet edhe si ‘pengesë’ në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Por ka edhe një arsye tjetër: Kurti po shihet si “pengesë” për dialogun me Serbinë. Së paku amerikanët po e thonë vazhdimisht. I kërkojnë që të pranojë Asociacionin me Serbinë dhe ekstraterritorialitetin e Kishës Serbe në Kosovë, sidomos të Manastirit të Deçanit. Shkurt po i kërkojnë të lëshojë sovranitet në dobi të Serbisë. Kjo do të thotë se ka kaluar tashmë koha, kur amerikanët mbështesin pa kushte të drejtën e shqiptarëve. Kjo do të thotë se duhet të bëhemi më të kujdesshëm dhe të kemi kontakte të vazhdueshme me SHBA-të, të punojmë ngushtë me ta, të kërkojmë ndihmën dhe mbështetjen e tyre për të drejtën, t’i bindim në parimet e së drejtës e kështu me radhë. Nuk do të thotë që të bëjmë heroin”.

“Çështja e dytë lidhet me pyetjen tjetër: Pse u desh që kryeministri i Kosovës të qëndrojë 17-18 ditë në SHBA! Në këtë pikë nuk shoh ndonjë gjë të keqe. Përkundrazi, të gjithë e dinë se Albin Kurti nuk shkoi në SHBA për ëikend. Ai është punëtor dhe me siguri ka punuar për të forcuar disa lidhje që çojnë në konsolidimin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-të. Kjo është gjë e mirë dhe madje e mirëpritur”, shpjegon Bytyçi.

Bytyçi shprehet se Kurti e Osmani duhet ta zgjedhin çdo herë SHBA-në, pavarsisht zgjidhjeve tjera që mund të vijnë në të ardhmen.

“Megjithatë kryeministri, presidentja dhe të tjerë liderë në Kosovës do të duhet që në zgjedhjen midis SHBA-ve dhe mbrojtjes së shtetësisë e të territorit të Kosovës, të zgjedhin këtë të dytën. Nëse ata e mbrojnë sovranitetin dhe integritetin do ta tërheqin në mbështetje të tyre Uashingtonin. Nëse thyhen, atëherë nuk do të dëmtojnë vetëm Kosovën, por edhe marrëdhëniet e saj me SHBA-të. Sepse nëse bëhen lëshime në sovranitet shtetëror dhe integritet territorial në favor të Serbisë, atëherë do të ketë shumë shqiptarë, të cilët do të fajësojnë edhe SHBA-të. Kjo gjë nuk i vlen as Kosovës, as SHBA-ve”.

“Nëse Kurti dhe të tjerët rezistojnë në këto dy çështje, atëherë në plan afatgjatë ruhen edhe marrëdhëniet e konsoliduara me SHBA-të. Në fund të fundit ka një zgjidhje të fundit: T’u thuhet amerikanëve se çfarë ata duan në Kosovë dhe për ata të premtohet edhe cenimi i sovranitetit shtetëror. Por për Amerikën e jo në favor të Serbisë! Sa kohë SHBA-të e kërkojnë këtë në favor të Serbisë, kjo nuk mund të pranohet!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat