Opozita po e problematizon Trustin për qëllime të veta politike/ Profesori i ekonomisë tregon nëse duhet të tërhiqen apo jo

Politika

Opozita po e problematizon Trustin për qëllime të veta politike/ Profesori i ekonomisë tregon nëse duhet të tërhiqen apo jo

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 29 maj 2022 Në ora: 19:24
Foto ilustrim

Një ҫështje për të cilën nuk po bien dakord pozita dhe opozita, ka të bëjë me Trustin. Derisa opozita po këmbëngulë në tërheqjen e 30% të Trustit, pozita nuk po e pranon këtë kërkesë të saj.

Kjo ҫështje ka nxitur shumë debate ndërmjet dy palëve, madje ka ankesa edhe nga qytetarët që nuk po ju lejohet kjo tërheqje, të cilën e shohin si dalje nga kriza ekonomike.

Gazeta ka kontaktuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, mirëpo të njëjtin nuk kanë dashur ta komentojnë këtë ҫështje.

Po ashtu edhe deputetët e opozitës nuk kanë folur rreth kësaj teme.

Megjithatë, profesori universitar i ekonomisë, Musa Limani ka treguar se ҫfarë rreziqesh ka për Trustin, për investimet e reja dhe a duhet të tërhiqen 30%, më shumë apo më pak.

Limani: Qytetarët këto kursime të veta kanë të drejtë t’i shfrytëzojnë për të zbutur krizën ekonomike

Profesor Limani thotë se mjetet e Trustit janë individuale dhe qytetarët këto kursime të veta kanë të drejtë t’i shfrytëzojnë për të zbutur krizën ekonomike.

Image
Musa Limani

Mjetet e Trustit janë kursime individuale dhe ata kursimtarët kanë të drejtë ti shfrytëzojnë një pjesë të tyre, për të zbutë krizën ekonomike, përkatësisht gjendjen materiale të rëndë të tyre. Sa i përket sasisë, unë nuk deklarohem, nuk është e imja”, vlerëson ai.

Mirëpo sipas tij, në këtë rast menaxhimi i tyre paraqet problem në vete.

Menaxhimi i mjeteve të Trustit për mua, paraqet problem në vete. Nuk ka kurrfarë logjike që këto mjete të gjenden jashtë Kosovës. Këto mjete duhet të kthehen në tregun e kapitalit të Kosovës dhe nëpërmjet sistemit bankar të hyjnë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës”, vlerëson ai.

Po ashtu, profesor Limani ka një propozim lidhur me fondin e përbashkët pensional, ngjashëm sikurse në Slloveni e në shtete të tjera.

“Po ashtu, duke pasur parasysh se mjetet e këtij fondi, nuk e zgjidhin çështjen e pensioneve, duhet të kthehet forma e mëparshme, duke formuar fondin e përbashkët pensional, ku gjenerata mban gjeneratën, si e ka Sllovenia dhe vende të tjera”, thotë ai.

Mulliqi: Të mos bëhet Trusti temë e ditës, kur dihet se ai merret pas pensionimit

Lidhur më këtë ҫështje, sa i përket mosmarrëveshjes pozitë-opozitë, ka folur edhe njohësi i ҫështjeve politike, Skender Mulliqi.

Image
Skënder Mulliqi

Ai thotë se ka mendime pro e kontra shfrytëzimit të Trustit pensional, të 30 për qindëshit të tij, nga njerëzit e biznesit dhe qarqet e ndryshme politike.

Më duket se këmbëngulja e opozitës në këtë drejtim për shfrytëzim të Trustit më shumë po bëhet për qëllime të caktuara politike, thua se edhe ka filluar të bëhet një lloj fushate për poena politikë. Opozita duhet të ndihmojë proceset e gjithmbarshme zhvillimore ekonomike me konstruktivitetin e saj në Kuvend, e jo që Trusti të bëhet temë e ditës, kur dihet se ai merret pas pensionimit”, vlerëson ai.

Mulliqi thotë se tërheqja e këtyre mjeteve nënkupton rritje të pabarazisë në mes niveleve të të punësuarve, ҫka edhe po ngul këmbë pozita.

Ata që kanë paga minimale do të përfitojnë shumë pak. Prekja e kursimeve pensionale e cenon rrjetën mbrojtëse të domosdoshme, atëherë kur nuk mund të punohet më për shkak të ndonjë lëndimi, moshe, etj. Kjo masë mendoj unë do të përbënte precedent për ndërhyrjen e mundshme në fond të qeverisë. Nuk është mirë të luhet me ndjenjat e njerëzve në kohën e krizës së thelluar edhe nga pandemia globale”, thotë ai.

Sipas tij, ekzistojnë shumë forma të tjera për punësim, si dhe rritjes të pagës minimale që kjo gjendje të kalohet, pa e prekur Trustin shumë të nevojshëm për kohën pas pensionimit.

Po mirë. Po e zëmë që po ndahen 30 për qind të këtyre mjeteve për shfrytëzim. Shtrohet pyetja se sa do të ndihmojnë këto mjete në zbutjen e kostos së lartë të jetës? Shumë pak dhe për një kohë shumë të shkurtër. Sikur ka filluar tashmë garë elektorale nga opozita lidhur me temën e Trustit. Qeveria me lejimin e 30 përqindëshit e merr një barrë të rëndë mbi supe, se ajo i menaxhon financat publike. Praktikat për lejim të një pjese të Trustit nga qeveritë e kaluara nuk duhet të vazhdohen. Qeveria duhet të marrë masa të tjera për të ndihmuar popullatën. Një solucion i mirë mendoj se është që kjo të bëhet përmes BQK-së, dhe kjo t’ia ndajë bankave, duke ju mundësuar njerëzve kredi afatgjata me norma të ulëta të interesit”, thekson ai.

Sipas analistit, tema e Trustit nuk bën të kalojë në temë ekskluzive politike. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka dalur kundër tërheqjes së 30-përqindëshit nga Fondi Pensional i Kursimeve.

Sipas FMN-së, tërheqja e këtyre parave, zvogëlon pensionet e ardhshme. Nëse ndodhë që të votohet ndonjë projektligj për Trust në Kuvend, duhet të krijohen mekanizma të rimburësimit, përndryshe, kjo gjë që në shikim të parë duket e dobishme për qytetarët, për më vonë nuk do të ishte gjë e mirë. Trusti nuk është fond i kursimeve të qytetarëve, por është fond mirëbesimi. Megjithatë ka ndarje mendimesh nga ekspertët e ekonomisë lidhur më këtë ҫështje, ku disa mendojnë që të lejohet, kurse pjesa tjetër ndajnë mendimin kundër shfrytëzimit të Trustit para kohe”, vlerëson Skender Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat