Bytyçi tregon ku gabuan shqiptarët: Këto ishin mashtrimet e Aleksandër Vuçiqit – ja politikanët që po i qëndrojnë në krah

Politika

Bytyçi tregon ku gabuan shqiptarët: Këto ishin mashtrimet e Aleksandër Vuçiqit – ja politikanët që po i qëndrojnë në krah

Nga: P.R Më: 1 qershor 2022 Në ora: 21:38

Pavarësisht që në Ukrainë po vazhdon lufta dhe pothuajse e gjithë bota ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, kjo nuk e ka penguar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq që të arrij një marrëveshje me atë presidentin rus, Vladimir Putin.

Sipas asaj që tha Vuçiq, Serbia dhe Rusia ranë dakord për një marrëveshje tre vjeçare për gazin, në bazë të së cilës Serbia do të furnizohet me gazin rus.

E menjëherë’ pas kësaj marrëveshje, reagoi edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

“Putin e Vuçiq nuk kanë më nevojë të takohen pasi marrëveshjet tani i arrijnë nëpërmjet bisedave telefonike”, duke rikujtuar një deklaratë të presidentit Vuçiq në lidhje me Kosovën, pas takimit të tij me Putin në Soçi më 25 nëntor të vitit 2021.

E presidenca e Kosovës përmes shefit të stafit të Presidencës, Blerim Vela, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që mos ta tolerojë Serbinë.

“Serbia, një vend kandidat për në BE, në vend që të përafrohet me sanksionet e BE-së thellon bashkëpunimin me Rusinë. Deri kur BE-ja do ta tolerojë këtë?”, shkroi Vela në Tëitter.

Për marrëveshjen mes Vuçiqit dhe Putinit, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Profesor, doktor Enver Bytyçi

“Marrëveshja që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, arriti të dielën e shkuar në bisedë me presidentin rus, Vladimir Putin, për furnizimin me gaz të vendit të tij është një ngjarje anti-europiane dhe anti-amerikane. Dushan Janjiç e quante zotin Vuçiq peng të presidentit të Rusisë. Ndërsa Biserko shtron pyetjen se “Çfarë mori si premtim kreu i shtetit rus në këmbim të marrëveshjes për furnizimin me gaz të Serbisë”? Sikur dhe nga këto dy qëndrime të ekspertëve të Serbisë të gjykojmë, atëherë kuptojmë qartë se marrëdhënia ruso-serbe forcohet pas kësaj”, thotë profesor Bytyçi.

Sipas tij, është fakt se Serbia nuk del dot nga peng marrja e Rusisë.

“Evropianët janë ushqyer me iluzionin se “Serbia do të shkëputet nga ndikimi rus dhe do t’i bashkohet Bashkimit Evropian”! Madje Edi Rama i ka garantuar amerikanët se “Vuçiq do ta ankorojë Serbinë edhe në NATO”!”. Por e diela e kaluar na thotë se gjithçka ka qenë jo vetëm iluzion. Ka qenë edhe mashtrim! Vuçiq ka mashtruar Evropën dhe Amerikën dhe jo për herë të parë”, shprehet Bytyçi.

“Ai e mashtroi Brukselin kur nënshkroi gjithë ato marrëveshje parciale me Kosovën dhe nuk zbatoi asnjë prej tyre. E mashtroi zonjën Merkel kur i tha se strukturat paralele u tërhoqën nga veriu i Mitrovicës dhe vazhdon t’i ketë edhe sot aty. Mashtroi Perëndimin kur tentoi të ndaj Kosovën, duke u thënë se janë dakord politikanët dhe shqiptarët e Kosovës për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve. Mashtroi Donald Trump dhe SHBA-të, kur nënshkroi transferimin e ambasadës serbe nga Tel Avivi në Jerusalem! Janë qindra mashtrime deri më sot!”, deklaron më tej Bytyçi.

Ai thotë se mashtrimi më i madh ka ndodhur nga Vuçiq dhe Rama.

“Por mashtrimi më i madh lidhet me faktin se Vuçiq dhe Rama kanë lobuar që të kërkojnë kohë për t’u shkëputur nga ndikimi dhe prezenca e Rusisë! “Duam kohë”, thoshin! Na mbështetni me “Ballkanin e Hapur”!, thoshin se me këtë iniciativë ne hapim rrugën për integrime euro-atlantike. Ndërkaq evropianët dhe amerikanët kuptuan e po kuptojnë se besuan se koha e agresionit rus kundër Ukrainës ishte pika e fundit kur Serbia do të duhej të shkëputej nga influenca e Vladimir Putin. Kjo nuk ndodhi. Përkundrazi marrëveshja për gazin e përforcoi këtë influencë”, shprehet profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Bytyçi thekson se të gjitha këto fakte do të duhej që të shfrytëzoheshin nga pala shqiptare, sidomos nga ajo e Kosovës.

“Më 7 qershor do të vijë në Beograd ministri rus Lavrov, i shpallur non grata në SHBA e Evropë. Strukturat e OKB-së e të Këshillit të Europës e ndëshkojnë Rusinë për shkak të agresionit kundër Ukrainës, Vuçiq lidh marrëveshje. Evropa dhe SHBA vendosin sanksione kundër Rusisë, Serbia i refuzon ato. Madje vendosin sanksione kundër ministrit Lavrov, presidenti serb e pret atë në Beograd. Të gjitha këto fakte do të duhej që të shfrytëzoheshin nga pala shqiptare. Nga qeveria e Kosovës dhe institucionet e këtij vendi. Nga qeveria e Tiranës dhe shteti shqiptar. Nga partitë politike të shqiptarëve në Ballkan e kushdo tjetër”, shpjegon Bytyçi.

Por në vend të kësaj po ndodh e kundërta sipas Bytyçit.

“Edhe pse Aleksandër Vuçiq i forcon lidhjet me Hitlerin e kohës së sotme, Vladimir Putin, Edi Rama, Abazoviç, Ali Ahmeti e të tjerë shqiptarë në politikë i qëndrojnë në krah. Evropianët e amerikanët gjithashtu akoma vazhdojnë ta përkëdhelin e të ruajnë iluzionin se “Serbia mund të bëhet aleat i Perëndimit”! Objektivisht do të duhej që kjo të ndodhte. Por është fakt se Gazpromi rus e drejton jo vetëm ekonominë, por edhe sportin e Serbisë. Nuk do të ndodhë kjo sa kohë që Beogradi nuk heq dorë nga lidhjet e Serbisë me Rusinë. Aleksandër Vuçiq është përzgjedhur si lojtar mashtrues në lojën e përcaktimit me apo kundër Perëndimit apo Rusisë!”, thotë Bytyçi.

“Qeveria e Kosovës, presidentja Osmani, parlamenti, opozita do të duhet ta shfrytëzojnë këtë situatë të forcimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Rusisë për të fituar epërsi morale, politike dhe për të siguruar suksesin e nevojshëm në përmbylljen e procesit të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë e shtetësisë së Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat