Vrasja e Bardhyl Ajetit, turpi i drejtësisë në Kosovë/ Kush ishin hienat e pasluftës që nuk duronin kur dikush ua faktonte të bëmat e tyre kriminale?

Politika

Vrasja e Bardhyl Ajetit, turpi i drejtësisë në Kosovë/ Kush ishin hienat e pasluftës që nuk duronin kur dikush ua faktonte të bëmat e tyre kriminale?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 3 qershor 2022 Në ora: 09:17
Bardhyl Ajeti

Sot (e premte, 3 qershor 2022) mbushen 17 vjet nga vrasja e gazetarit të gazetës kombëtare “Bota sot”, Bardhyl Ajeti.

Bardhyl Ajeti, i cili ishte edhe ish-Kryetar i Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës, tani AGK, u plagos në një pritë të mirë organizuar, ndërsa po kthehej nga Prishtina për në shtëpinë e tij në Gjilan më tre qershor të vitit 2005.

25 qershori i vitit shënon ditën kur Bardhyli ndërroi jetë, ndërsa po trajtohej në një spital në Milano, për shkak të plagëve të rënda që mori në atentat.

Bardhyli nuk mundi ta përballonte breshërinë e plumbave, që ranë mbi trupin e tij.

Njëri plumb e kishte goditur në kokë, i dyti në shpatull të krahut dhe të tjerët mbi veturë. Pas kontrollit në Spitalin e Gjilanit, një javë u trajtua në QKUK në Prishtinë, Bardhyli  më pas u dërgua në Milano të Italisë, ku edhe ndërroi jetë.

Edhe pas 17 viteve që ndodhi ky rast i rëndë, vrasja e Bardhyl Ajetit nuk është zbardhur nga organet e drejtësisë në Kosovë.

Drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare nuk kanë bërë asgjë në zbardhjen e vrasjes së Bardhyl Ajetit.

Vrasja e Bardhylit kishte ndodhur në pikë të ditës. I vetmi dëshmitar i kësaj ngjarjeje ishte një taksist, i cili po e tërhiqte makinën e Ajetit pas një prishjeje që kishe pësuar. Por, ky dëshmitar me inicialet M.G. nga fshati Përlepnicë e Gjilanit, ishte ndjerë i kërcënuar dhe është larguar drejt Norvegjisë.

Drejtësia ndër vite nuk dha asnjë shpresë se vrasja e Bardhylit do të zbardhet. Për më tepër, në vitin 2018 i është thënë gazetës “Bota sot” se rasti i vrasjes së Bardhyl Ajetit është mbyllur nga UNMIK-u më 11 dhjetor të vitit 2006.

Fakti që kjo vrasje vazhdon të mos zbardhet është një dëshmi se drejtësia në Kosovë ka dështuar tërësisht.

Drejtësia në Kosovë është e kapur nga klane të ngushta politike të cilëve u pengonte e vërteta që shkruhej e thuhej guximshëm nga Bardhyl Ajeti dhe gazetarët e tjerë të gazetës “Bota sot” që u vranë pas luftës.

Arma e vetme e Bardhylit ishte shkrimi dhe faktet që i mblidhte për t`i publikuar në gazetën kombëtare “Bota sot”.

Kjo iu pengonte njerëzve të politikës, të cilët menjëherë pas luftës donin të përvetësonin çdo gjë që ishte e Kosovës.

Nuk duronin hienat që dikush t`ua paraqiste me fakte të bëmat e tyre kriminale.

Ata që në luftë njiheshin për heronj, pasluftës njollosën edhe emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me hajni, plaçkë e zhvatje të shtetit dhe vrasje të frymës intelektuale. Ata ia morën jetën Bardhyl Ajetit.

Para rreth afër një muaji ndërroi jetë nëna e gazetarit Bardhyl Ajeti, zonja Nexharije Ajeti. Ajo vdiq duke pritur një përgjigje se kush ishin dorasit që shtinë mbi trupin e njomë të djalit të saj.

Nëna Nexharije shkoi nga kjo botë pa e parë me sy drejtësinë për vrasjen e djalit të saj. Shkoi me sy hapur, e etur për një përqafim të djalit të saj që ia morën në lule të rinisë.

Ajo u bashkua përjetësisht me Bardhylin e familjarët tjerë betohen se nuk do t`i ndalin përpjekjet derisa drejtësia të zbardhë vrasjen.

Sot në Kosovë diskutohet shumë çështja e lirisë së medies.

Gazetarët kërcënohen nga persona e grupe të caktuara të cilëve u pengon e vërteta, ose u cenohen interesat e ngushta klanore. E sa herë ndodhin këto raste nuk ka se si të mos na kujtohet Bardhyli, një i ri që premtonte shumë për një të ardhme të ndritur dhe një shtet të së drejtës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat