Historia e bombardimeve mund të përsëritet!?/ Kërcënimi i Kosovës, gabimi fatal që mund t’i kushtojë shumë Serbisë së Vuçiqit!

Politika

Historia e bombardimeve mund të përsëritet!?/ Kërcënimi i Kosovës, gabimi fatal që mund t’i kushtojë shumë Serbisë së Vuçiqit!

Nga: A.M Më: 3 qershor 2022 Në ora: 22:39
Bombardimet e NATO-s në Beograd, 1999

Ditë më parë, Aleksandër Vuçiq është betuar për të dytën herë në postin e presidentit të Serbisë.

Njësoj sikurse gjatë betimit të parë, Vuçiqi nuk harroi ta përmend Kosovën, madje e konsideroi atë si pjesë të Serbisë.

“Betohem se gjithë energjinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Serbisë, duke përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë përbërëse të saj…”

Kjo deklaratë u dha në kohën kur Serbia është në proces dialogu me Kosovës, përveç kësaj ajo u dha në një kohë kur situata jo vetëm në Ballkan, porn ë gjithë Evropën është kaotike, pas luftës së Rusisë në Ukrainë.

E lidhur me këtë, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Sipas tij, deklarata të tilla si të Vuçiqit stepin opinionin publik, mirëpo nuk janë befasuese duke marrë parasysh se lloje të tilla të deklaratave nga politikanët serbë janë shumë të shpeshta.

Ai potencoi se ‘ligjet’ në Ballkan i bën Amerika, kësisoj qëndrimet e Vuçiqit janë vetëm për konsum politik në Beograd.

Image
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

“Politikat e Serbisë zhvillohen si të tilla që kur i dëgjon njeriu mund edhe të stepet, por megjithatë edhe në këto troje të Ballkanit ligjet i bëjnë të fortit e botës si në këtë rast Amerika, prandaj të thënat e tij janë sa për konsum ditor në Serbi, dhe nuk është për tu habite nga ai kur deklarohet ashtu sepse i njohim ne ato qëndrime të tij nacionaliste.

Sidomos na kujtohet kur edhe në qeverinë e Millosheviqit ishte si ministër dhe në luftë me Bosnjën e Hercegovinën mu ky Vuçiqi deklaronte se kush e vran një ushtar serb kemi me i vra 100 myslimanë, prandaj deklarimet e tij janë të kuptueshme”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Tërnava përmendi edhe mbështetjen që po ia jep Serbia e Vuçiqit, Rusisë së Putinit në luftën në Ukrainë.

Marrë parasysh se të gjithë shtetet demokratike e dënojnë ashpër terrorin në Ukrainë, ai beson se afërsia me Rusinë e dëmton Serbinë, ndërsa e forcon Kosovën.

“Sikur e ceka, të fortit i bëjnë ligjet, prandaj pavarësisht situatës së tanishme në të cilën gjendet Kosova me Serbinë. Derisa e tërë bota demokratike me Amerikën, në krye dhe me shtetet më të forta të Evropës dhe me shtetet tjera të botës demokratike që janë mbi 95% shtete të renditura në përkrahje të Ukrainës, dhe ia kanë vënë sanksionet Rusisë, prandaj ky qëndrim i Serbisë rreth kësaj çështje do i kushtoj shumë, por do të jetë në favorin tonë, sepse edhe ndërkohë po ka iniciativa që Amerika me e zgjedh këtë çështje të konfliktit që po zgjatë që nga çlirimi e deri më tani”, theksoi eksperti i sigurisë.

Më tej, ai potencoi se në bisedimet në Bruksel duhet të përfshihen edhe serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Serbisë, ku kësisoj rrjedha e dialogut do të merrte kahje tjetër.

“Pa ndërhyrjen e shteteve tjera dhe pa ua dëgjuar dëshirat e Serbisë, si dhe të Kosovës, e sidomos duke planifikuar që në bisedimet e radhës të marrin pjesë serbët e Kosovës së bashku me shqiptarët, e jo Lista serbe sikur deri me tani që ishte e përkrahur nga vetë Vuçiqi, gjë që nga ky këndvështrim gjërat do të ndryshojnë rreth marrëveshjes dhe njohjes së pavarësisë në mënyrë reciproke, në mënyra më të vendosura dhe për një kohë më të shpejtuara e jo si deri më tani që kaluan mbi 22 vite nga çlirimi e këndej, e ne kemi mbetur si shteti më i izoluar në botë, prandaj betimi i Vuçiqit se do ta ruaj sovranitetin e tërësisë territoriale të Serbisë, duke përfshirë Kosovën dhe Metohinë, si pjesë përbërëse të saj janë konsum për popullatën serbe.

Pasi, nëse Amerika i detyron që ta njohin ato pesë (5) shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, dhe shteti ynë të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare si ne BE dhe NATO, dhe institucione tjera ndërkombëtare, tani roli i Serbisë në krejt këto rrethana çfarë efekti do të ketë”, vlerësoi Tërnava.

Në fund, eksperti i sigurisë tha se Vuçiqi do të qëndrojë edhe shumë gjatë në krye të Serbisë, mirëpo nuk do ketë guxim të kërcënojë dhe të destabilizoj rajonin, pasi Kosovën e ruan KFOR-i dhe historia e bombardimeve mund të përsëritet.

“Prandaj, definicioni i politikës është se politika është art i së mundshmes, prandaj krejt këto rrjedha janë të njohura për Serbinë, dhe megjithatë edhe ajo do të është më korresponduese-bashkëpunuese për tu zgjedhur çështja e njohjeve reciproke Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e të fortve të botës sikur i ceka më lartë. Vuçiqi si në stilin e tij që arriti të bëhet sërish kryetar i Serbisë, me politikat e tij, dhe tani në krye të shtetit do të qëndroj një kohë konsiderueshme të gjatë, Ai nuk mund të kercënohet dhe ta destabilizon rajonin, sepse i ka të freskëta kujtimet e viteve 1999 me ato bombardime që nëse bënë gabime të tilla dhe bombardohet vetëm edhe një herë Beogradi, nga të fortit e botës, sepse për sigurinë e territorit të Kosovës garancat i ka KFOR që është pjesë e NATO-s, vështirë se do të ketë më Serbi”, përmbylli Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat