Vuçiq vazhdon kërcënimet ndaj Kosovës, Kurti t’ia bëjë të qartë këtë gjë - “Vjosa Osmani kishte të drejtë”

Politika

Vuçiq vazhdon kërcënimet ndaj Kosovës, Kurti t’ia bëjë të qartë këtë gjë - “Vjosa Osmani kishte të drejtë”

Nga: N. Sh. Më: 3 qershor 2022 Në ora: 23:11
Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Aleksandër Vuçiq

Dialogu Kosovë – Serbi është një ndër sfidat kryesore të Qeverisë Kurti.

Për këtë çështje, analisti politik Gani Qarri thotë se, pas pezullimit, për kohë të gjatë të dialogut, megjithëse nga shumë anë, është thënë apriori, se pas zgjedhjeve në Serbi, do të ketë dinamik të re të zhvillimit në procesin e bisedimeve, gjëja e parë, që sipas tij, duhet medoemos të ndodhë paraprakisht, është rigjallërimi i këtij procesi me caktimin e një afati kohor për përfundimin dhe produktin përfundimtar, që ashtu siç na është thënë, që nga fillimi, do të ishte njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e lënë të hapur mundësinë e perspektivës së integrimit të të dy vendeve në rrugëtimin drejt Bashkimin Evropian.

“Por sa i takon finales dhe një marrëveshje- hipotetikisht përfundimtare, vet pamundësia e zgjidhjes së një problemi kaq minor siç është çështja e targave të makinave me Serbinë, si dhe mënyra skajshmërisht provokatore e betimit të kriminelit Aleksandër Vuçiq si president i Serbisë hegjemoniste, është treguesi më i qartë, se para çfarë vështirësish ndodhet edhe vet ri vazhdimi i dialogut dhe sa e largët dhe e pamundur duket arritja e marrëveshjes së obligueshme gjithëpërfshirëse me njohje reciproke ndërmjet të dy vendeve, siç jemi mësuar të dëgjojmë në vijimësi nga mediat dhe goja e diplomatëve vendor e ndërkombëtar”, thotë ai.

Ndaj sipas tij, Presidentja e Kosovës Dr.Vjosa Osmani, kishte plotësisht të drejtë kur, në pyetjen që iu shtrua para rreth dy muajsh, nëse pas zgjedhjeve në Serbi, do të ketë intensifikim të bisedimeve, dhe ajo u shpreh se këtë mund ta garantojë vetëm sa i takon Kosovës, kurse çështja e procesit të dialogut, varet kryesisht nga qëndrimi i Serbisë!

“Dhe kjo po shihet më së miri tani, pas mënyrës provokuese dhe formës luftënxitëse të betimit të Vuçiqit, i cili me deklarimin e tij, pothuajse ka mbyllur të gjitha dyert, e rinisjes së procesit, pa angazhimin masiv të partnerëve ndërkombëtar për rivënien në binar të këtij procesi”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Image
Gani Qarri

Qarri thotë se pas kërcënimeve të Vuçiqit është e pamundur që të gjendet motiv për vazhdimin e bisedimeve.

“Përndryshe kërcënimet publike të Vuçiqit, e kanë bërë tërësisht të pamundur, që të gjendet motiv dhe arsye për rifillimin e bisedimeve me një shtet okupator e gjenocidial si Serbia e cila përkundër të gjitha krimeve dhe gjenocidit të shkaktuar shtetëror kundër shqiptarëve të pambrojtur edhe 23 vite pas çlirimit, dhe dëbimit me luftë, të ushtrisë dhe policisë së saj pushtuese, nga Kosova, vazhdon ta shpreh agresivitetin e hapur, kundër shtetit të pavarur e sovran të Republikës së Kosovës”, thekson ai.

Ai shton se, pas betimit të Vuçiqit, i cili edhe në përmbajtjen e deklaratës së betimit si president, thekson se do të luftojë për mbajtjen e Kosovës nën kthetrat e Serbisë, të cilën ai e sheh si shtet të papërfunduar dhe shihet hapur, ka për qëllim ri gllabërimin e saj me forcë, njëjtë siç vepron edhe Rusia aktualisht në Ukrainë, i ka humbur tërësisht kuptimi çfarëdo dialogu me këtë shtet okupator.

“Prandaj, pa garanci të forta nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, Kosova as që ka më guxim, motiv as shpresë, për të zhvilluar bisedime me këtë shtet kriminal, kur shihet qartazi se Vuçiqi nuk lë, asnjë mundësi të hapur, për arritjen e një marrëveshje paqësore, duke shprehur publikisht qëndrimet agresive dhe pretendimet e hapura territoriale ndaj vendit tonë. Vetëm garancitë e SHBA-ve, të Bashkimit Evropian dhe ndërhyrjet e partnerëve tjerë të fuqishëm ndërkombëtar, të cilët do të dëshmonin se pavarësisht manovrave cinike të Vuçiqit dhe Serbisë hegjemoniste, Vuçiqi as Serbia hegjemoniste, nuk do të akomodohen më si deri më tani, dhe Kosova do të gëzojë trajtim të barabartë si shtet i pavarur në bisedime, mund ta shtyjnë përpara procesin e bisedimeve të bllokuara”, thekson Qarri.

Por njëkohësisht, sipas tij, është momenti vendimtar, që edhe vet Kosova të tregojë vendosmërinë e saj, të sillet si shtet i lirë, sovran e i pavarur, dhe se është këtu, për të qëndruar dhe mbetur i tillë përgjithmonë, ku pavarësia, tërësia territoriale dhe sovraniteti i saj, nuk do të lejojë, të vihen në dyshim as të diskutohen kurrë.

“Përndryshe duke pasur përsysh qëndrimet më të reja të Vuçiqit i cili së fundi dëshmoi para gjithë botës, se edhe ai ka në plan, që në rastin e parë të mundshëm, ta imitojë Rusinë edhe në këtë pjesë të Evropës, për të vërshuar me ushtri në Kosovë, kjo është mënyra më e keqe, me të cilën, ka shpresë se mund të arrihet çfarëdo marrëveshje paqësore, për kohë të shkurtër, përkundrazi nën këto rrethana ajo mund të zvarritet edhe më keq, megjithëse Joe Biden është aktualisht president i SHBA-se, i cili i ka dhënë edhe një afat Serbisë që, ajo ti vendosë sanksione Rusisë për shkak të agresionit ushtarak në Ukrainë, gjë që deri më tani, as sa i takon kësaj çështjeje, nuk është respektuar nga Serbia”, shton ai.

Ai thotë se Kosova duhet të ia bëjë të qartë Serbisë se është shtet i pavaruar dhe sovran.

“Shto këtu sjelljet adoleshente të Albin Kurtit i cili e ka humbur tërësisht peshën e trajtimit të tij, si kryeministër i shtetit laik të Kosovës, duke kooketuar me imam jo vetëm në Kosovë por inskenon takime me hoxhallar edhe në SHBA, për rrjedhojë, me gjithë intensifikimin e investimit më të madh amerikanë në këtë proces dhe tentimeve për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, e cila duhet të bazohet në njohje të ndërsjellë në mes të dy vendeve, pa ndryshimin e qëndrimit aktual të Vuçiqit dhe Serbisë okupatore, në raport me Kosovën, duke ua bërë të qartë, se shteti i pavarur e sovran i Kosovës, është akti i kryer dhe e tillë do të mbetet edhe në të ardhmen, pa shpresë për rikthim në të kaluarën, nuk mund të ketë finale të madhe as marrëveshje përfundimtare, e cila ashtu siç na është thënë që nga fillimi i dialogut me këtë shtet hegjemonist, duhet të jetë obliguese për të dy palët dhe përfundojë me njohje të ndërsjellë, ndërmjet të dy vendeve”, përfundon Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat