Pasuria drithëruese e ish-pushtetarëve / Sa janë të pasur pushtetarët aktualë?!

Politika

Pasuria drithëruese e ish-pushtetarëve / Sa janë të pasur pushtetarët aktualë?!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 7 qershor 2022 Në ora: 08:04
Foto ilustrim

Derisa mbajnë pozita zyrtare, politikanët e Kosovës janë të detyruar t’i përgjigjen Agjencisë Kundër Korrupsionit, për të deklaruar pasurinë e tyre. Pasuria e tyre ndonëse shumë herë ka kaluar milionat, nga ato që janë deklaruar në AKK, raportime të tjera kanë treguar se ata janë të pasur shumëherë më shumë se kaq. Në mënyra të ndryshme kamuflojnë pasurinë e tyre, e që vështirë është të zbulohet.

Kështu pati deklaruar edhe vetë një nga deputetët më të pasur të PDK-së, Xhavit Haliti, i cili pati thënë se ‘të gjithë i kemi nga 2-3 milionë euro’. Ndërkaq në AKK ai ka deklaruar më pak se kaq. Ai ka deklaruar se posedon pasuri të përgjithshme mbi 1 milion e 150 mijë euro, duke përfshirë dy shtëpi familjare, toka bujqësore, banesë, veturë e stoli ari në vlerë luksoze. Poashtu ka deklaruar se mbi 100 mijë euro mban në bankë.

Pasuria e drejtuesve të shtetit, Vjosës, Albinit...

Një ndër njerëzit më të rëndësishëm të shtetit, është Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu. Ajo po ashtu ka deklaruar pasurinë e saj, në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Te pasuria e paluajtshme, Presidentja Osmani ka deklaruar banesa, shtëpi, garazhe e parcelë toke, por jo të gjitha në emër të saj, por edhe të bashkëshortit, ndërsa kalon vlerën gjysëm milioni apo mbi 448 mijë euro. Mbi 45 mijë euro janë kursimet e saj në bankë, ndërsa rreth 100 mijë euro janë borxhet e saj. Të hyrat vjetore të saj dhe bashkëshortit janë mbi 77 mijë euro. Në total pasuria e Presidentes kalon vlerën e gjysmë milioni.

Albin Kurti është njeriu numër dy i shtetit të Kosovës, si kryeministër vendi dhe duke qenë në këtë pozitë ai ka deklaruar pasurinë e tij në AKK. Kurti është deklaruar të ketë një pasuri në vlerë jo të madhe. Derisa deri vonë është raportuar se banon me qira, tani ai ka deklaruar se posedon një banesë që e ka blerë tri vite më parë, në vlerë 400 mijë euro. Nuk posedon veturë, ndërsa para të gatshme ka mbi 10 mijë euro. Paga e tij mujore si kryeministër është 1.300 euro, ndërsa e bashkëshortes që punon në Oslo, kap vlerën rreth 4 mijë euro.

Pasurinë në AKK e ka deklaruar edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Ai ka deklaruar se posedon një banesë në vlerën mbi 67 mijë euro, mbi 5 mijë euro kursime në bankë, ndërsa mbi 67 mijë euro kredi. Paga mujore e tij është mbi 3 mijë euro, ndërsa e bashkëshortes që punon në Universitetin e Prishtinë, 640 euro.

Në AKK pasurinë e ka deklaruar edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Ai ka deklaruar se te pasuria e paluajtshme posedon një shtëpi, dy banesa e një shtëpizë në vlerën 448 mijë euro. Bislimi posedon një veturë në vlerën 20 mijë euro, ndërsa bashkëshortja e tij 3 mijë euro. 8 mijë euro janë kursimet e tij, ndërsa borxhet janë në vlerën 215 mijë euro, siҫ i ka deklaruar si kredi për renovim/rifinancim. Paga e tij mujore është 1.410 euro, derisa e bashkëshortes së tij 2 mijë euro.

Donika Gërvalla është po ashtu zëvendëskryeministre e po ashtu edhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës. Ajo ka deklarua se posedon një shtëpi në vlerën 100 mijë euro dhe tokë pyjore e bujqësore në vlerën 20 mijë euro. Posedon një veturë në vlerën 10 mijë euro, ndërsa mbi 13 mijë euro kursime në bankë. 1.200 euro është paga e saj, ndërsa të ardhurat e saj nga Gjermania i ka deklaruar në vlerën 27 mijë euro.

Pasuria marramendëse e ish-pushtetarëve

Ndër njerëzit e pasur të Kosovës është edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai aktualisht e mban pozitën e deputetit në Kuvendin e Kosovës, ndërsa ka deklaruar se posedon mbi 820 mijë euro pasuri të paluajtshme, përfshirë këtu tri shtëpi banimi, tokë, banesa dhe vila. Ai ka deklaruar vetëm një veturë në emër të bashkëshortes në vlerën 8 mijë euro dhe një kompani ndërtimore në bashkëpronësi me bashkëshorten e tij, në vlerën 1000 euro. Mbi 52 mijë euro janë paratë e tij të kursyera, derisa 152 mijë euro janë borxhet e tij si kredi. Derisa ai merr nga qiraja e shtëpisë mbi 3, 300 mijë euro në muaj, merr edhe 225 euro si pension invalidor, ndërsa pagën e deputetit nuk e ka deklaruar. Bashkëshortja e tij, merr 660 euro pagë në RTK, dhe 1000 euro nga një kompani private sigurimesh.

Por, sipas raportimeve në media ndonëse pasurinë e tyre e deklarojnë në vlera minimale, ajo që ata e poesdojnë në formë biznesesh dhe mënyrash tjera, përfshirë jashtë vendit, besohet se shkon në qindra miliona euro.

Shumë kompani shqiptare, që po investojnë në ndërtime në bregdetin malazez, besohet se janë të lidhura ngushtë ose në bashkëpronësi me ish-drejtues të shtetit të Kosovës. Po ashtu sipas raportimeve të huaja, investime kanë bërë në Shqipëri, Turqi, Dubai, Qipro, por edhe në shumë shtete perëndimore.

Sipas një informacioni të shpërndarë në media në fushatën e vitit 2020, sipas një informacioni që i referohej parave në një bankë në Qipro, thuhej se Kadri Veseli kishte një pasuri me 100 milionë dollarë, pas tij radhitej Fatmir Limaj me 82 milionë dollarë, dhe më pas Hashim Thaçi me afër 80 milionë dollarë, ndërsa i katërti Ramush Haradinaj me gati 70 milionë dollarë, sidoqoftë këto të dhëna u konsideruan spekulimi thuaja nga të dyja palët, ata që cenoheshin, ndërsa kundërshtarët besojnë se kanë shumëfish më shumë se sa ato të prezantuara nga një bankë në Qipro.

Është çështje kohe zbulimi i një pasurie të konsiderueshme të tyre.

Për pasuri ‘marramendëse’ janë veҫuar edhe ish krerët e shtetit të cilët aktualisht janë duke u gjykuar në Hagë. Kështu Hashim Thaҫi që para se të nisej për në Hagë mbante pozitën e Presidentit të vendit, pati deklaruar pasurinë në AKK. Thaҫi deklaronte se posedonte vetë dy shtëpi e tokë bujqësore në vlerën 610 mijë euro. Ndonëse raportohet se ai nuk ka patent shofer, bashkëshortja e tij voziste një veturë Audi Q3 në vlerën 19 mijë euro. Mbi 10 euro mbante si para të kursyera në bankë, ndërsa po aq ka edhe borxhe kredi për blerjen e veturës. Paga e tij mujore kapte vlerën mbi 2,700 euro, ndërsa paga e bashkëshortes mbi 1.600 euro.

Ndërsa, ish partiaku i tij, dhe ish kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli deklaronte se posedonte banesa, shtëpi e lokale afariste, por që ua ka fshehur vlerën, ndërsa ka deklaruar vetëm 182 mijë euro pasuri të paluajtshme.

Ndërkaq një lokal afarist me 270 metra katrorë, mal 10 hektarë e shtëpi prej 350 metrave katrorë nuk ua ka treguar vlerën. Ai ka deklaruar edhe një veturë në vlerën 16 mijë euro. Mbi 15 mijë euro janë kursimet e tij, ndërsa borxhet si kredi në vlerën 158 mijë euro, si kredi për një aneks banesor, vlerën e të cilit e ka deklaruar si 85 mijë euro. Paga e tij mujore ishte po aq sa e presidentit në vlerën mbi 2700 euro, ndërsa mbi 2600 euro ishin mëditjet nga Kuvendi. Mbi 56 mijë euro janë të hyrat vjetore të bashkëshortes së tij e cila merr dy rroga, nga MASHT dhe nga një firmë private.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat